Faji është i Brukselit. Prapa korrupsionit fshihet spekulanti miliarder Xhorxh Soros. Në kulisa po luajnë lobet europiane. Teoritë konspirative nuk mungojnë as nga kreu i së majtës rumune, Liviu Dragnea, i cili është vënë në shënjestrën e protestave masive, më të mëdhatë që kanë prekur vendin që pas rënies së regjimit diktatorial të Çausheskut, shkruan prestigjozia franceze “Le Monde”.
Sipas raportit Dragnea, aktualisht kryetar i parlamentit Rumun, po ecën në gjurmët e liderve populistë në Hungari, Poloni, Maqedoni she Shqipëri, të cilët në vend që të shohin problemet e tyre, i shpjegojnë ngjarjet me teori paranojake.
Kur partia e tij fitoi zgjedhjet e përgjithshme të një viti më parë, megjithëse ishte lideri i padiskutueshëm i social demokratëve rumunë, Liviu Dragnea, nuk morri dot vendit e kryeministrit. Një ligj që i ndalonte politikanëve të dënuar penalisht hyrjen në qeveri, u bë pengesë për ëndrën e tij. Dhe kështu politikani që qe dënuar për manipulimin e zgjedhjeve në qytetin Aleksandria me 45 mijë banorë, u detyrua të bëjë shef të qeverisë besnikun e tij Sorin Grindeanu, shkruan “Le Monde”.
Edhe pasi zgjodhi për vete vendin e shefit të parlamentit, Liviu Dragneas nuk iu ndanë telashet. Një tjetër hetim nisi për të në 31 dhjetor, me akuzën e punësimit fiktiv. Ai kishte paguar dy sekretare të partisë së tij me fonde publike, duke i punësuar ato fiktivisht në administratën lokale.
Dëmi për të cilin ai akuzohej ishte 24 mijë euro.
Shkrimi vijon duke shtuar se “po të njëjtën ditë (31 janar) kur prokuroria nisi çështjen kundër Dragneas, miku i tij kryeministër nxorri një dekret që “amnistonte” të gjithë politikanët që kishin problem me drejtësinë dhe akuzoheshin për abuzime deri në 44 mijë euro.
Kjo ishte shkëndija që i vuri benzinë zjarrit dhe zbriti në sheshe 500 mijë rumunë, të cilët protestojnë prej një jave kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmirisë së politikanëve.
Megjithëse qeveria e Sorin Grindeanu e tërhoqi dekretin protestat tashmë të ndezura nuk pushuan. Protestuesit i akuzojnë njerëzit me pushtet si Liviu Dragnea, për vilat e tyre përrallore me pishina, për abuzimet me fondet shtetërore dhe për korrupsionin galopant.
Përballë tyre shefi i PSD-së rumune ka zgjedhur të bërtasë për teori komploti dhe skenare nga jashtë.
Dragnera zuri në krye të partisë së tij vendin e ish kryeministrit Victor Ponta (2012-2015) i cili pas tre vitesh pushtet u akuzua gjithashtu për korrupsion”, shkruan “Le Monde”.