Tashmë nuk është më sekret që marrëdhëniet e bashkëkryetarit të qeverisjes, Ilir Meta, me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Donald Lu, nuk kanë qenë asnjëherë të ngrohta. Madje në periudha të caktuara, siç ishte kulmi i procesit për ngjizjen e Reformës në Drejtësi kanë qenë edhe të acaruara. Vetë Ilir Meta e ka shprehur disa herë kur është pyetur, se këto marrëdhënie janë thjesht institucionale.
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë, për Edi Ramën. Ambasadori Lu e ka treguar hapur që ka debulesë ndaj kryeministrit dhe gjithë aksionin e tij diplomatik, politik dhe shpesh përtej këtyre, e ka mbështetur te Edi Rama, duke u bërë palë përball opozitës dhe kreut të Kuvendit për shumë çështje kardinale. Përveç Reformës në Drejtësi, kuptimplote ka qenë heshtja e ambasadorit amerikan për çështjen e kanabisit, duke folur pa folur, pro Edi Ramës që e mohon me kokëfortësi realitetin ulëritës për këtë fenomen shqiptar, tashmë të njohur botërisht.
Por kulmi u arrit kur Ilir Meta, jo pa nerv të theksuar ju kundërvu ambasadorit Lu, për të mbrojtur Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. Duke shpjeguar gjithë këtë situatë, ai mbrëmë në emisionin e Sokol Ballës bëri një revizionim të perceptimit të krijuar, se mes tij dhe kryediplomatit të SHBA-së në Shqipëri ka një konflikt të ashpër. Meta tha pak a shumë, se ekzistojnë faktorë të tretë të cilët janë futur mes tij dhe ambasadorit, të cilët e dezinformojnë atë. Nuk është hera e parë, që kryetari i LSI-së e thotë këtë gjë. Edhe kur doli në kulmin e krizës për Reformën në Drejtësi dhe kërcënoi me dorëheqje, në prononcimin që dha te korridoret e Kuvendit pasi ndërpreu seancën e rëndësishme, tha që ambasadori Lu dëgjon dhe influencohet nga muhabete korridoresh.
Pra është e qartë që Ilir Meta është i bindur, që dikush “i fryn në vesh” ambasadorit kundër tij. Ka informacion për këtë gjë, apo edhe kjo bën pjesë në paranojën e një politikani të vjetër që ka rënë dhe është ringritur shpesh mes kurthesh dhe kulisash, kjo ngelet për tu parë. Një gjë është e sigurt; ambasadori Lu shpesh e ka lënë për të kuptuar, se ai mendon që Ilir Meta është i rreshtuar në frontin e atyre që kërkojnë të ngadalësojnë apo tjetërsojnë reformën, sa të mundin.
“Të gjithë ata që mashtrojnë dhe gënjejnë dhe të gjithë këta servilët e ambasadave, të ambasadorit se edhe ambasadori ndonjëherë gabon kam përshtypjen, sepse e dezinformojnë. I kam thënë. Duhet të kemi shumë kujdes, sepse ngaqë njerëzit këtu e duan shumë Amerikën, ambasada i kam thënë, është target për t’u manipuluar. Te unë hajde sa herë të duash, atë që ta them një herë, të jesh i bindur se do ta them deri në fund, në kuptimin më të mirë të fjalës. Ambasadori, i SHBA-ve, ka një vend të veçantë në raportet tona dhe ne e kemi pranuar këtë.
Po të ishte ambasador i ndonjë vendi tjetër, qëndrimet e tij mund të ishin shumë më të papranueshme, si nga opinioni publik, ashtu edhe nga institucionet e vendit. Por ne e kemi pranuar këtë marrëdhënie dhe pranojmë edhe kritika. Por asnjë ambasador nuk mund të zëvendësojë institucionet e Shqipërisë”, deklaroi te “Top Story” për këtë marrëdhënie kryetari i Kuvendit.
Pra siç shihet qartë, Ilir Meta është i bindur që “dikush” po e dezinformon dhe madje edhe po e manipulon ambasadorin. Që përfaqësuesi i një shteti lider botëror siç është SHBA, të jetë kaq naiv sa që të mashtrohet dhe manipulohet nga politikanët rajonalë të këtij cepi të Europës është pak e vështirë të besohet. Këtë e di edhe Ilir Meta, por interesi i tij momental është, që të mos e çojë konfliktin më tej duke deklaruar copë publikisht, që ambasadori Lu është palë me “dikë” në Shqipëri që e urren atë, “e do nga halli” dhe synon ta mbajë gjithmonë nën presion.
Atëherë kush është ky “dikush”? Vetë statusi i ambasadorit Lu tregon, që akses tek ai gjatë veprimtarisë që kryen në Tiranë, nga palët shqiptare kanë vetëm përfaqësuesit më të lartë të opozitës (Basha-Berisha) dhe ata të qeverisë, kryeministri Rama më konkretisht. Nuk duhet anashkaluar edhe afrimiteti i me ambasdoren e BE-së Vlahutin, e cila mund të bëjë shumë mirë ndërmjetësen e përcjelljes së “dezinformacionit”. Marrëdhënia e të parëve (Basha-Berisha) me ambasadorin tashmë dihet. Nga ana tjetër Meta nga kjo anë fle i qetë, sepse e di shumë mirë që opozita jo vetëm nëpër ambasada nuk thotë ndonjë gjë kundër tij, por edhe shfaqet shpesh e kushtëzuar prej tij në synimin e saj, për të rimarrë pushtetin.
Në këtë situatë është e qartë që Meta është i sigurt që “të gjithë ata që mashtrojnë dhe gënjejnë”, përfaqësohen nga aleati i tij armik, Edi Rama. Po çfarë i thotë Rama, Lu-së për Ilir Metën? Imagjinojini të dy, me nga një gotë verë përpara, kokë më kokë. Rama që çfarë nuk thotë kundër bashkëkryetarit; Është i korruptuar, nuk më lë të çojë reformat deri në fund, nuk e do Reformën në Drejtësi sepse ka frikë; e di ti, sa të vijnë prokurorët dhe gjyqtarët e rinj, unë e fus në burg etj etj. Dhe ambasadori që tund kokën me mendje të mbushur dhe pas një ore del publikisht, e sulmon “frontin anti-reformë”.
Nuk funksionon kështu. Është naive për tu besuar, por në thelb e ka një të vërtetë. E vërteta është ajo, që Ilir Meta e di që prej kohës kur në çdo fjali përmendte fjalën burg, për veten e tij. Edi Rama ja ka bërë një dosje (E nisur që kur ishte në opozitë dhe e përditësuar këto katër vite) që qarkullon jo vetëm në ambasadat kryesore në Tiranë, por edhe nëpër kancelaritë kryesore në Europë. Është e mbushur me opinione, dezinformime apo me fakte, kjo është tjetër çështje. Ky është një problem sa politik, aq edhe personal i vetë Ilir Metës.
Ajo që ka rëndësi për shqiptarët në këto moment është që ta dinë, se të dyja palët që po qeverisin vendin dhe po bëhen gati për një mandate të dytë janë të përfshira në një armiqësi të egër. Si mundet të ecin punët mirë në një qeveri dhe në një vend, kur një nga kokat e saj, më kryesorja, “dezinformon” Shtetet e Bashkuara të Amerikës” për tjetrën? Si mund të ketë normalitet dhe zhvillim një vend, kur pikërisht ata të dy që janë votuar për këtë gjë, harxhojnë kaq shumë energji për të shantazhuar dhe fundosur njëri tjetrin?
Përgjigjet për këto pyetje mund të shpjegojnë edhe arsyen e vërtetë, se përse qëndron ende bashkë kjo dyshe… /SYRI.net/