Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomati Lisen Bashkurti, e ka mirëpritur vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se në këtë drejtim janë vetëm dy zgjidhje: ose dialog për zgjidhjen paqësore të problemeve midis dy vendeve, ose krizë permanente, që nënkupton konflikt mes palëve.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bashkurti ka vlerësuar se vazhdimi i dialogut është alternativa më e drejtë dhe më e dobishme. Por, ai thotë se ka ardhur momenti që Kosova ta rishikojë tërë procesin e dialogut me Serbinë, duke kërkuar kështu nga BE-ja zbatimin e plotë të marrëveshjeve të firmosura deri më tani.
Bashkurti ka thënë se moszbatimi i marrëveshjeve e dëmton rëndë jo vetëm imazhin e Kosovës dhe Serbisë, por edhe të diplomacisë së BE-së. Diplomati shqiptar i ka sugjeruar presidentit Hashim Thaçi të ndërtojë një proces të hapur të dialogut, transparent, bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës.
“Epoka e re”: Z. Bashkurti, sot (e martë) mbahet takimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si e vlerësoni vazhdimin e këtij procesi pas provokimeve të fundit të Serbisë ndaj Kosovës?
Bashkurti: Situata e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka njohur vetëm përkeqësim kohët e fundit. Që nga muaji dhjetor e deri tani janë katër incidente shumë të rënda që kanë çuar marrëdhëniet deri në kufijtë e një krize shumë serioze. Në fillim të muajit dhjetor Lisa Serbe u deklarua se do ta ngrijë të gjithë bashkëpunimin me institucionet qendrore të Kosovës dhe se do t’u bindej vetëm orientimeve nga kryeministri Vuçiq. Madje, pati deklarata se komuniteti serb në Kosovë do të arrijë të punojë vetëm me dinar, duke e mohuar edhe monedhën e përbashkët të Evropës, euron. Pas këtij incidenti mjaft provokues situata u përkeqësua. Në mesin e dhjetorit opinioni publik në Kosovë dhe ai ndërkombëtar u njoh me përpjekjen për ndërtimin e një muri në veriun e Kosovës. Një veprim që na kujton murin e lashtë kinez ose murin e Berlinit gjatë luftës së ftohtë. Në fakt, ky nuk është një incident i zakonshëm. Unë e gjykoj që është përpjekje për të ndarë de fakto veriun e Kosovës përpara procesit të fillimit të demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Nga fillim i muajit janar të gjithë jemi dëshmitarë që u bë një arrestim spektakular i z. Haradinajt në Francë në zbatim të një fletarrestimi që prokurori serb ka lëshuar në Interpol qysh në vitin 2004. Kjo situatë krijoi një tension të madh midis vendeve edhe atëherë kur u mendua se do të shkojë drejt një zgjidhje juridike të këtij problemi, ndodhi incidenti i fundit që mund të thuhet se ishim para një lufte. Përpjekja për ta futur një tren me disa vagonë me njerëz të panjohur, me logo dhe slogane në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, me pavarësinë e Kosovës dhe me sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, u bë një shqetësim tashmë jo vetëm i marrëdhënieve dypalëshe Kosovë – Serbi, por edhe i komunitetit ndërkombëtar. Mund të thuhet se brenda dy muajve të fundit këto katër incidente tregojnë se Serbia ka bërë një kthim prapa shumë të rëndë në marrëdhëniet me Kosovën dhe ka mohuar çdo përpjekje të përbashkët për t’i normalizuar marrëdhëniet midis tyre. Në një farë mënyre, ka shkelur edhe ato firma që ka hedhur në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Natyrisht se kjo situatë ka shkuar në zgrip, do të thotë ka ngelur vetëm që të shkohet drejt krizave, tensioneve, konfrontimeve dhe luftës midis dy palëve. Duke pasur parasysh këtë situatë, mendoj se çelja e dialogut me iniciativë të Mogherinit në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, është një iniciativë e mirë. Nuk kemi shumë alternativa në marrëdhëniet me Serbinë. Koha ka ardhur të kemi vetëm dy zgjidhje: dialog për zgjidhjen paqësore të problemeve themelore midis dy vendeve ose alternativa e dytë krizë permanente, tensione, konflikte, pse jo edhe luftëra midis palëve. Mendoj se alternativa e parë është më e drejtë, është më e dobishme dhe më e arsyeshme. Prandaj Kosova duhet t’i vijojë përpjekjet e saj për zgjidhje me dialog të problemeve me Serbinë.
“Epoka e re”: Opozita ka kundërshtuar vazhdimin e dialogut, madje ka kërkuar nga kryeministri dhe presidenti të mos shkojnë në takimin e radhës. Sipas mendimit tuaj, a do të duhej të merrte pjesë Kosova në këtë takim?
Bashkurti: Prej disa kohësh opozita në Kosovë ka mbajtur qëndrimin kundër dialogut me Serbinë. Personalisht jam prononcuar më shumë dashamirësi për opozitën që ta rishikoj këtë qasje. Rruga për zgjidhjen e problemeve më e favorshme për të dyja vendet, më e dobishmja dhe më pak e kushtueshme, është zgjidhja me institutet paqësore të negociatave. Natyrisht, opozita ka një të drejtë dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Procesi i dialogut deri tani nuk ka qenë transparent dhe nuk ka qenë gjithëpërfshirës. Në një farë mënyre e ka anashkaluar vendin, rolin dhe kontributin e opozitës në këtë proces. Nga kjo pikëpamje i jap të drejtë opozitës. Opozita është pjesë e interesit shtetëror dhe publik në Kosovë dhe, si e tillë, ajo duhet të përfshihet në tërë procesin e politikëbërjes, vendimmarrjes dhe të negocimit. Në këtë aspekt vendimmarrësit kryesorë, mazhoranca, qeveria dhe presidenti i Kosovës, lypset ta rishikojnë në mënyrë thelbësore mënyrën se si i kanë ndërtuar marrëdhëniet politike me opozitën për zgjidhjen e çështjeve kombëtare. Politika e jashtme është interes kombëtar dhe, për rrjedhojë, edhe diplomacia si agjenci për zbatimin e politikës së jashtme lypset të marrë në konsideratë ekzistencën e opozitës. Në Kosovë nuk ka vetëm opozitë politike, por ka opozitë qytetare, mediatike dhe akademike. Prandaj të gjitha këto duhet të konsiderohen në procesin e dialogut me Serbinë.
“Epoka e re”: Meqë Serbia nuk është konstruktive në këtë proces, atëherë Kosova do të duhej ta kushtëzonte vazhdimin e këtij dialogu, të paktën me zbatimin e marrëveshjeve?
Bashkurti: Është një moment që Kosova nevojitet ta rishikojë tërë procesin e dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Unë do të sugjeroja disa çaste të rëndësishme. Së pari, është e domosdoshme që Kosova të kërkojë nga Bashkimi Evropian të shikohet zbatimi i marrëveshjeve të firmosura deri më tani. Mendoj se pika më e dobët e këtij procesi për normalizim të marrëdhënieve është moszbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Për sa kohë që marrëveshjet e firmosura nuk zbatohen, i gjithë procesi mund të katandiset në një fazë midisi dy vendeve dhe kjo do ta dëmtonte shumë rëndë jo vetëm imazhin e Kosovës dhe Serbisë, por edhe imazhin e diplomacisë së Bashkimit Evropian. Insistimi i Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve do të ishte detyra e parë. Së dyti, mendoj se është momenti të rishikohet gjithë strategjia e negocimit të Kosovës me Serbinë, duke pasur parasysh se strategjia përfshin tërësinë e politikave, të synimeve dhe objektivave që Kosova do të realizojë përmes këtij procesi. Ky proces ka nisur si një proces teknik, por nuk mund të shkojë pambarimisht si i tillë. Pas përfundimit të të gjitha raundeve teknike që do të karakterizojnë hap pas hapi dhe fushë pas fushe, do të vijë momenti i zgjidhjes politike. Në këtë drejtim strategjia e negocimit të Kosovës lypset ta synojë pikërisht këtë, që Serbia të njohë pakushte pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Së treti, është e rëndësishme të rishikohen të gjitha prioritetet e negociatave, duke pasur parasysh se ka ndërruar shumë situata e zhvillimeve në Kosovë dhe në Serbi, pra ka ndryshime të mëdha në mjedisin politik ballkanik, sidomos në atë gjeopolitik botëror dhe të fuqive të mëdha. Duke pasur parasysh gjithë këto ndryshime të mëdha, mendoj se prioritetet lypset të ndryshohen, të zhvendosen, duke pasur parasysh kryesisht interesin shtetëror, publik dhe qytetar të Kosovës.
Ndryshimi i prioriteteve nuk mund të bëhet mbi baza individuale dhe partiake, por kërkon një diskutim të gjerë në parlament dhe me një përfshirje të gjithanshme të aktorëve të shoqërisë së Kosovës. Së fundi, është e domosdoshme të rishikohet formati i ekipit negociator. Mendoj se ka ardhur koha që Ministria e Dialogut me Edita Tahirin duhet të pushojnë së funksionuari. Përgjithësisht ata janë përpjekur të bëjnë një punë teknike, por mund të thuhet të pasuksesshme. Ajo ministri bashkë me znj. Tahiri mund të thuhet se kanë qenë të anashkaluar dhe kanë qenë përgjithësisht të dështuar në procesin e tyre. Është koha të krijohet një format i ri i dialogut. Në këtë format të ekipit negociator duhet të ketë më shumë legjitimitet përfaqësimi, të ketë më shumë nivel të lartë, të ketë më shumë profesionalitet dhe më shumë besueshmëri e kredibilitet te opinioni politik dhe publik në Kosovë, po ashtu edhe tek ai ndërkombëtar.
“Epoka e re”: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se ky dialog në të ardhmen do të zhvillohet në nivel të presidentëve. Gjithashtu, ai ka thënë se ky do të jetë kapitulli i fundit i këtij procesi. Si e shihni ecurinë e dialogut nën drejtimin e dy presidentëve?
Bashkurti: Asnjëri nga presidentët, as në Kosovë e as në Serbi, nuk kanë status kushtetues që të jenë politikëbëres dhe vendimmarrës në procese të rëndësishme të politikës së jashtme, bile midis tyre ka edhe ndryshime të statusit kushtetues. Mendoj se në Kosovë presidenti është institucion. Ky institucion lypset të konsiderohet i tërë faktorit shtetëror, ato që kanë të bëjnë me legjislativin, ekzekutivin dhe agjencitë e tjera të shtetit të Kosovës. Së dyti, mendoj se presidenti i Kosovës që të mund të jetë një faktor politik kredibel dhe i besueshëm brenda dhe jashtë vendit është e domosdoshme t’i përfshijë të gjithë aktorët dhe faktorët kryesorë institucionalë në Kosovë. Presidenca në Kosovë është modeste në kuptimin e funksionimit dhe kompetencave të saj. Ajo do të mund të merrte një kuptim më të plotë dhe më të gjithanshëm në qoftë se do të shfrytëzonte të gjithë këtë kontekst institucional, politik dhe shoqëror të Kosovës. E kuptoj se pesha më shumë individuale sesa institucionale e z. Thaçi ka rëndësi në këtë proces, por duke pasur parasysh se kemi përvoja shumë të hidhura në negociatat e së kaluarës, do të sugjeroja që presidenti i Kosovës të ndërtojë një proces të hapur, transparent, bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës, si dhe shumë profesional të ekipit negociator. Gjykoj se provoja hidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe me asociacionin e komunave me shumicë serbe është një model i gabuar. Pra, është një leksion se si nuk duhet të ecim në rrugën e negocimit të mëtejshëm me Serbinë për normalizimin dhe përfundimin e gjithë procesit negociator. Është një moment reflektimi serioz për institucionet e Kosovës për ta hedhur hapin tjetër që do të shpie në zgjidhjen përfundimtare të marrëdhënieve me Serbinë.
“Epoka e re”: Cili do të jetë epilogu përfundimtar i dialogut të Brukselit?
Bashkurti: Nuk ka asnjë dyshim që epilogu i këtij dialogu do të jetë njohja përfundimtare e Kosovës sovrane dhe të pavarur nga shteti i Serbisë. Nuk do të jetë proces i lehtë sepse është proces shumë i vështirë. Mirëpo, hapi final i këtij procesi do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës, që është tërësisht e pashmangshme.
Shqipe HETEMI