Gjykata e Apelit në Tiranë dënon me tre vjet burg Tedi Durishtin, “menaxherin e agjencive të modës” të akuzuar për mashtrim ndaj disa vajzave.
Më 23 dhjetor 2016, Gjykata e Apelit Tiranë ka dhënë dënimin e formës së prerë për ndëshkimin me tre vjet burg të Tedi Durishtit, 23 vjeç, i arrestuar në shkurt 2015. Ai ishte dënuar 4.8 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, me akuzën e mashtrimit, raporton Panorama.
Në një nga episodet për të cilat është akuzuar i dyshuari, ai kishte përmendur e madje kishte pretenduar se ishte pjesë e kompanisë “Ami Event”, në pronësi të Ermal Mamaqit. “Për këtë fakt shtetasi Ermal Mamaqi ka bërë menjëherë njoftim në adresat e tij dhe të agjencisë “Ami Event”, se i pandehuri nuk ishte i punësuar në agjencinë e tyre dhe se nuk kishte lidhje me ta”.
Aktori dhe prezantuesi i njohur ka dëshmuar gjatë hetimit të këtij rasti, por edhe në mesazhet e shpërndara në faqet e tij publikisht, se nuk kishte asnjë lidhje me Tedi Durishtin. Më poshtë publikohet një pjesë e vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit, ku shpjegohet mashtrimi i kryer nga i akuzuari.
DENONCIMI
Denoncuesja D.V. është njohur me të pandehurin Tedi Durishti në një sfilatë mode në Kosovë, në vitin 2014. Ata janë takuar disa herë edhe në qytetin e Tiranës. Durishti i është prezantuar gjithmonë si menaxher e parukier i agjencisë së modës “Fashion Art Agenci”. Në një nga këto takime, ai i ka propozuar për të bashkëpunuar, meqenëse ai ishte pjesë e ndërmarrjeve në këtë fushë, brenda dhe jashtë vendit.
Durishti i ka kërkuar vajzës që të gjente edhe pesë vajza të tjera, të cilat do t’i shërbenin si pjesë e ekipit të tij në rolin e modeleve. I akuzuari i ka propozuar vajzës pjesëmarrjen në një aktivitet, që do të zhvillohej në datën 30.06.2014 në Itali, në kompaninë e njohur me emrin “Shtëpia e Modës Italiane”.
Në këtë aktivitet, ai do të ishte pjesëmarrës, dhe ka kërkuar të njihet me vajzat, që shtetasja në fjalë kishte gjetur më parë, për rolet e kërkuara nga Durishti. Ajo më parë kishte biseduar me to për këtë iniciativë të propozuar nga i pandehuri dhe i ka garantuar për shpërblimin e tyre.
I pandehuri ka arritur që të realizojë edhe takimet me vajzat që pretendohej se do të ishin pjesë e aktivitetit. Pas takimeve dhe njohjes me vajzat, me justifikimin se shpenzimet e udhëtimit për në Itali do të mbuloheshin prej tyre, ai u ka kërkuar paraprakisht secilës prej tyre paratë që do të shërbenin për të bërë pagesat e biletave të udhëtimit, duke i sqaruar gjithashtu se shpenzimet e tjera do të përballoheshin prej tij. Këtë propozim ai e ka bërë në prezencë të vajzave të ofruara nga shtetasja D.V.
Vajzat me të cilat është takuar dhe ua ka bërë të besueshme historinë e aktivitetit jashtë shtetit, ishin shtetaset S.B., L.M., E.B., A.B. dhe E.LL. Rezulton se i pandehuri ka arritur të marrë prej secilës shumën prej 50 euro, si justifikim për shpenzimet e biletës së udhëtimit si dhe kopje të pasaportave të secilës prej tyre. Prej shtetases D.V. ai ka përfituar edhe një vlerë shtesë prej 30 000 lekësh, për shpenzime personale të tjera, sepse do të largohej nga banesa e prindërve të tij, për shkak se ata ishin në prag divorci.
MASHTRIMI
Edhe pse ka kaluar çdo lloj afati i njoftuar më parë nga i pandehuri, vajzat nuk janë njoftuar asnjëherë për zhvillimin e aktivitetit. Shtetasja D.V., duke dyshuar, ka këmbëngulur për të rimarrë paratë e dhëna prej saj e shoqeve të saj, por i pandehuri jo vetën që është munduar të shmangë takimet me të dhe vajzat e tjera, por edhe kur e ka bërë një gjë të tillë, ka nxjerrë justifikime si anulim i aktivitetit, mosparaqitje të vajzave për tërheqjen e biletave të udhëtimit etj.
Pas këmbënguljes së saj, D.V. ka mundur të marrë vetëm pasaportat e vajzave të sipërpërmendura. Me shtetasen në fjalë dhe bashkëshortin e saj, i pandehuri është konfrontuar edhe fizikisht në datën 16.02.2015. Edhe pse ka ndodhur një gjë e tillë, i pandehuri nuk i ka kthyer paratë e vjedhura nëpërmjet gënjeshtrës e për rrjedhojë shtetasja në fjalë është drejtuar në organin e policisë, ku ka bërë kallëzimin përkatës.
RASTET E TJERA
Fakti i mashtrimit nga i pandehuri ka vazhduar edhe me shtetasin E.T., të cilit Tedi Durishti i është hequr sikur ishte punonjës në stacionin televiziv “BBF” dhe se i nevojiteshin kundrejt pagesës dhjetë djem me motorë, të cilët do të shërbenin si figurantë të një videoklipi, me kusht që secili prej tyre duhet të parapaguante një shumë prej 2000 lekësh e të paraqiste edhe një fotokopje të patentës. Pasi ai ka gjetur djemtë dhe i kanë dhënë 16000 lekët e kërkuara si paradhënie, i akuzuari ka kërkuar edhe 5 000 (pesë mijë) lekë për transportin e motorëve, me justifikimin se ata do të shkonin në qytetin e Sarandës, vend ku do të bëhej regjistrimi i videoklipit. Më pas, i akuzuari është zhdukur dhe nga interesimi te BBF, paditësi ka mësuar se Tedi Durishti nuk punonte aty, por i kanë thënë se ishte një mashtrues.
Panorama.al