Detaje të reja kanë dale nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me vdekjen e Ardit Gjoklaj, i cili humbi jetën në landfillin e Sharrës me 7 gusht të këtij viti.
Organi i akuzës ka marrë përgjigje nga kompanitë e telefonisë celulare në lidhje me vendndodhjen e 17-vjeçarit që punonte në të zezë në landfillin e mbeturinave. Sipas burimeve të hetimit, telefoni i Ardit Gjoklajt është loguar në antenën më të afërt në zonën e landfillit të Sharrës natën mes 6 dhe 7 gushtit 2016, kur dyshohet se ka ndodhur edhe goditja e viktimës me ekskavator duke i shkaktuar vdekjen shkruan “panorama”. Më konkretisht, viktima ka lëvizur në zonën e Kombinatit natën e ngjarjes edhe pas orës 3 e gjysmë të mëngjesit, kohë kur mendohet se ka ndodhur edhe goditja aksidentale me kovën e ekskavatorit.
Telefoni “i shtypur”.
Sinjali i fundit i telefonit të viktimës ka qënë në orët e para të mëngjesit të datës 7 gusht, pasi siç është konfirmuar edhe nga këqyrja e vendit të krimit, aparati celular është mbajtur nga Arditi në xhepin e buzës që kishte veshur. Pas gjetjes së trupit, celulari është gjetur i shtypur në xhepin e bluzës së viktimës në krahun e majtë të gjoksit. Lokalizimi i viktimës përmes celularit është bërë me sinjalit që aparati ka dhënë deri në momentin kur është dëmtuar, si pasojë e goditjes nga mjeti që ka goditur edhe viktimën Ardit Gjoklajt.