Nexhmije Hoxha nuk ishte e vetme ndër liderët komunistë që kanë qenë anëtarë të Partisë Fashiste.
Fakti i panjohur bëhet i ditur nga hulumtimet e historianit Kastriot Dervishi për raportet e panjohura të gruas së Enver Hoxhës me regjimin fashist. Në rrëfimin për gazetën “Panorama”, ndër të tjera ai zbulohen emrat e mjaft prej bashkëpunëtorëve të diktatorit komunist, që jo vetëm kanë milituar në Partinë Fashiste, por edhe kanë përfituar në mënyra të ndryshme nga administrata e atij regjimi. Enver Hoxha dhe Myslym Peza “Nga 13 ministra që kishte qeveria e parë e Enver Hoxhës pas luftës, saktëson Dervishi, nëntë prej tyre kishin qenë anëtarë të Partisë Fashiste”. Çuditërisht, të dhëna të tilla, sipas ishdrejtorit të arkivit të Ministrisë së Brendshme, janë hequr nga dosjet e arkivit të Partisë dhe administroheshin nga kreu i saj, që i përdorte sipas rastit në fushatat spastruese, të cilat ricikloheshin herë pas here. Interesante në rrëfimin e Dervishit janë një mori shkresash e dokumentesh që konfirmojnë anëtarësinë e Nexhmije Hoxhës në radhët e Partisë Fashite dhe përfitimet që ka pasur nga ky fakt nga administrata fashiste se e ka shkolluar në një nga institucionet më në zë të kohës në Tiranë dhe që e ka punësuar mësuese në kryeqytet në vitet e luftës…
Zoti Kastriot, ndër liderët komunistë që kanë pasur lidhje me regjimin fashist, rasti i Nexhmijes ka qenë i veçantë, apo ka pasur dhe të tjerë?
A rezultojnë dokumentet “komprometuese”, si këto të gruas së diktatorit për zyrtarë të tjerë të Partisë së Punës?
Dokumente të tilla mbi të kaluarën e njerëzve të partisë ka shumë. Bashkë me dosjet ku ruheshin dokumentet e Nexhmije Hoxhës ishin edhe ato të personave të tjerë. Madje jo vetëm për udhëheqës të lartë, por edhe për njerëz që shërbenin pranë Enver Hoxhës dhe kishin të kaluar fashiste. Përtej kësaj, dokumentacioni i kohës ruan edhe një mori letrash anonime në adresë të personave me të kaluar “të dyshimtë”. Lidhur me verifikimin e tyre rëndom angazhoheshin organet e specializuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo punë ka vazhduar gjatë. Me produktin e saj, shumë herë delikat, njiheshin vetëm krerët e lartë dhe materialet rezervoheshin në dosjet sekrete. Rihapja e tyre është vërtet interesante, jo vetëm për faktet e panjohura, por edhe për komprometimin e disa prej protagonistëve të lëvizjes komuniste në Shqipëri. Të marrim një rast që ka për objekt Qemal Stafën. Një shkresë e datës 20.2.1967 e kryetarit të Degës së 4t të Drejtorisë së Parë të Sigurimit, ndër të tjera nënvizon faktin se Qemal Stafa kishte marrë ndihmë 300 franga ari nga legata italiane. Megjithatë, të kthehemi tek argumenti kryesor. Cilët janë liderët komunistë që kanë pasur lidhje me regjimin fashist. Sa për ilustrim po përmend disa raste për personat që kanë dokumente në dosarët e veçantë. Më 11 shtator 1939, Manush Myftiu (pas lufte anëtar i Byrosë Politike, ministër dhe zëvendëskryeministër) i shkruan për bursë ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi. Po ashtu, për Myftiun ka dhjetëra shkresa që tregojnë “qëndrimin e mirë moral e politike të tij” (p.sh., shkresa e datës 19.2.1942 e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Shyqyri Borshi). Por Manushi nuk lihej vetëm me kaq, pasi shënohej se edhe i vëllai, Sulejmani, kishte kërkuar bursë për të vijuar studimet në Francë (kërkesa e datës 3.7.1940 drejtuar zyrës krahinore të Mëkëmbësisë në Vlorë). Behar Shtylla (pas lufte ministër i Punëve të Jashtme dhe ambasador) figuron në dokumente të shumta të fashizmit për bursën e marrë atje etj., së bashku me vëllanë e tij, Ahmet. Për të vendosej vendimi i Këshillit të Ministrave, si dhe një foto e një grupi të rinjsh të veshur me uniformat fashiste. Për Pilo Peristerin ruhej një dokument i datës 28 qershor 1938 i prefektit të Korçës, Veli Vasjari, i cili rekomandonte që i përmenduri të ofrohej si informator. Për Liri Belishovën ruhej kërkesa e saj drejtuar Princeshës Myzejen për marrjen e një burse në Institutin “Nana Mbretneshë”.
Kërkesa e fëmijës Belishova ruhej si ndonjë dokument i rëndësisë së madhe. Për Pjetër Kostën (drejtor në KQ të PPSH dhe ministër) mbaheshin shënim dokumente nga koha kur punonte në Bankën Kombëtare të Shqipërisë. Për Myslim Pezën janë ruajtur një seri dokumentesh. Nga shënimet vihet re se ato “u janë dhënë dorazi shokut Hysni”. Për Myslimin shënohet koha e qëndrimit në Jugosllavi (1931 1939), një letër e të dy vëllezërve Myslim dhe Shyqyri e datës 12 mars 1941, që nis me fjalët “kemi qenë bashkëpunues për çlirimin e Shqipërisë (nga Zogushënim)”. Një praktikë e veçantë është për Josif Pashkon.
Dokumentet rreth tij i takojnë viteve 19401941, me rastin e Luftës ItaloGreke. Po ashtu ruhej betimi ndaj regjimit i datës 14 qershor 1939. Për Adil Çarçanin ruhej kërkesa drejtuar Bashkisë së Gjirokastrës më 22.7.1934, si dhe letra të tjera mbi gjendjen familjare etj. Për Mehmet Shehun ruheshin dokumente nga vitet ’30. Këtu përfshiheshin koha kur ai kishte kërkuar bursë, emërimi në punë shtetërore etj. Për Tahir Kadarenë ruhej një deklarim i datës 19 qershor 1937, që lidhej me grupin e oficerëve antizogistë të zbuluar. Për Haxhi Lleshin mbaheshin dokumente të shumta të së kaluarës së tij, sidomos të lidhjeve të tij me fqinjin verior të Shqipërisë. Këtoraste i solla sa për shembuj. Kam shumë raste të tjera, sidomos për personat që kanë marrë bursa. Në këto dosarë ka edhe foto të personave me uniformë fashiste gjatë vizitave që ata kanë bërë në Itali.
Të rikthehemi te rasti i Nexhmije Hoxhës…
Nuk ka asnjë dyshim që Nexhmija ka qenë pjesë e kësaj partie, së paku një vit. Aktiviteti i saj i mëparshëm apo i mëpasshëm nuk zbeh faktin se ajo ka qenë në Partinë Fashiste në këtë periudhë. Se në çfarë mënyre ka milituar ajo në parti, me mbledhje në shkollën “Et’hem Toto” apo në zyrat vendore të partisë, këtë nuk mund ta di, sepse nuk mund të flas pa referim në dokumente.
I çuditshëm mbetet fakti se këto dokumente janë ruajtur nga Enver Hoxha dhe nuk janë asgjësuar si shumë të tjera, siç kanë qenë ato që e implikonin vetë diktatorin. Nga historia e Partisë së Punës njohim faktin se të dhënat “e zeza” ruheshin për ditë të zeza, që parakuptonte grupet armiqësore që dilnin rishtas nga gjiri i Partisë(!).
Për Nexhmije Xhuglinin ka një mori dokumentesh që përbëjnë një praktikë të veçantë shkresore me dokumente të para dhe pas luftës. Dokumenti i Partisë Fashiste që kam publikuar është vetëm njëri prej tyre. Praktika nis me njoftimin e ministrit të Arsimit, Mirash Ivanaj, datë 6.11.1933, ku njoftohet se zonjusha Nexhmije Tefik Xhuglini pranohej me gjysmë bursë në Institutin “Nana Mbretneshë”. (Në rreth) Nexhmije Hoxha në vitet e shkollës Më 8 shtator 1939, Tefik Xhuglini i drejtohet me një letër Ministrisë së Arsimit, ku i shkruan: “I nënshkruari Tefik Xhuglini, emigrant nga Manastiri, me familje të shumtë dhe me nji rrogë të vogël si nëpunës i Kryqit të Kuq, marr guximin m’i u sjell asaj ministrie për t’iu luftë qi t’i jepet nji bursë së bijës Nexhmije Xhuglini, me datëlindje 1921 për të vijue mësimet si konviktore në shkollën normale femënore të qytetit. Këtu të bashkueme paraqes edhe origjinalin e dëftesës së lirimit të shkollës plotore ‘Princeshë Ruhije Zogu’ me shpresë se do të merret në konsideracion. Mospranimi i vajzës seme na shkakton dishprim mbasi s’jam në gjendje financiare qi të mund të baj me vijue mësimet. Me shpresë se mshira e juaj s’do të mungojë për një vajzë emigrante, qi dëshiri e vullneti e studimit si mungon, metem me respekt”. I qëlloi Nexhmijes që shkollën e mbaroi gjatë pushtimit fashist. Gjatë kësaj kohe babai i saj, Tefik Xhuglini, punonte llogaritar teknik në Strehën Vorfnore në Tiranë nga 1 korriku 1941. (Për ironi të fatit, ekonomati në filmin“Lulëkuqe mbi mure”, në të vërtetë është babai i saj). Përpara anëtarësimit në Partinë Fashiste janë një sërë dokumentesh të tjera. Më 8 nëntor 1941, zonjushë Nexhmija është identifikuar te noteri dhe ka deklaruar nënshkrimin e saj. Më 10 nëntor 1941 ka marrë raportin mjekësor pozitiv nga mjeku i spitalit “Benito Musolini”, Vasil Rani, dhe po atë ditë Partia Fashiste njoftoi regjistrimin me teserën nr.637 të Nexhmije Xhuglinit në Partinë Fashiste. Nënshkrimin e ka bërë komandanti krahinor, Eqerem Stërmasi. Më 11 nëntor 1941, Prefektura e Tiranës ka dhënë mendim pozitiv për të duke shkruar se “mban qëndrim moral dhe politik të mirë”. Me dokumentin e prefekturës dhe të anëtarësisë në Partinë Fashiste është paraqitur në Ministrinë e Arsimit ku ka marrë emërimin. Kësisoj, më 20 dhjetor 1941, pasi dokumentet kanë qenë në rregull, Nexhmije Xhuglini është emëruar mësuese në Tiranë nga zëvendësministri i Arsimit, Dhimitër Beratit, bashkë me 113 persona të tjerë (“Fletorja Zyrtare”, nr.197, datë 31.12.1941). Nexhmija ka ushtuar detyrën e mësueses deri më 1 nëntor 1942, duke qenë paralelisht edhe anëtare e Partisë Fashiste për një vit rresht. Është pushuar nga detyra me dekret të Këshillit të Naltë, më 27 mars 1944, me firmat e Mehdi Frashërit dhe Patër Anton Harapit.
Ju konfirmoni se ka pasur teserë partie, ndryshe nga disa studiues, që thonë se ka qenë pjesë e Rinisë Fashiste, si shumë bashkëmoshatarë të saj, që studionin në shkollat e atij regjimi…
Normalisht që Nexhmija ka pasur edhe teserë partie, të cilën e ka lënë për ditët tona. Nëse regjistrimin në Partinë Fashiste do ta kishte refuzuar, do të ishte shkarkuar menjëherë nga detyra si mësuese, gjë që nuk ka ndodhur. Në këtë mënyrë e vetmja mundësi që një komunist i mëtuar të ruante “pastërtinë” e tij politike ishte të mos pranonte asnjë nëpunësi në administratën fashiste. Fakti është që këtë nëpunësi e kanë pranuar, së bashku me faktin se kanë qenë anëtarë të Partisë Fashiste Shqiptare. Nuk mund të qëndroje njëherazi edhe nëpunës, edhe komunist.
Ishte ky një rregull që kishte Partia Fashiste në raport me nëpunësit, apo zyrtarët e regjimit?
Partia Fashiste ishte parti sunduese në vend. Ajo e dinte fare mirë që nëpunësit ishin më të lidhur, po të nënshkruanin deklarata betimi. Për këtë arsye këtë e rregulloi, së pari, me një akt administrativ shtetëror. Të gjithë nëpunësit detyroheshin të nënshkruanin deklaratën e betimit në bazë të urdhrit qarkor nr.589/1, datë 6.6.1939, të Këshillit të Ministrave. Në bazë të kësaj deklarate ata nënshkruanin besnikëri ndaj regjimit, si dhe se nuk do bënin pjesë partie e shoqata kundër regjimit. Po ju përmend vetëm një shembull: qeveria e parë e Enver Hoxhës, nga 13 ministra, 9 kishin qenë anëtarë të Partisë Fashiste. Kjo do të thotë se kur ua deshte puna këtyre u leverdiste të ishin fashistë. Kur nuk ua donte, bënin antifashistin. Në rrumpallën e madhe arkivore që i ndodhi Shqipërisë pas lufte, shumë prej tyre mundën të spastronindokumentacion shumë të rëndësishëm. Sigurisht ngelën dokumente të tjera apo fakte të tjera.
Këtu kujtoj një fakt të thjeshtë, nenin 45 të statusit të Partisë Fashiste, miratuar me dekretin datë 2.6.1939 të Mëkëmbësit. Në këtë nen thuhet: “Ata që pushojnë të jenë në PFSH, bien prej nëpunësive të përhershme apo të përkohshme që mbajnë”. (“Fletorja Zyrtare”, nr.39, datë 9.6.1939, faqe 7). Kësisoj, të gjithë ata që pas datës 6 qershor 1939 janë në nëpunësi shtetërore (përfshi këtu p.sh., Enver Hoxhën më sues me kontratë në Korçë), kanë nënshkruar deklaratën e betimit për besnikëri ndaj regjimit. Pas pushtimit fashist, Enver Hoxha shkoi për pushime për 3 muaj në Itali. Pas kthimit ai ka vazhduar normalisht të japë mësim në liceun e Korçës, deri në dhjetor 1939, kohë kur u largua për mospëlqim transferimi nga Korça në Gjirokastër. Kësisoj Enver Hoxha në 6 mujorin e dytë të vitit 1939 ka qenë anëtar i Partisë Fashiste, sepse ka qenë nëpunës (në kuptim të nenit 45 të statutit të sipërcituar).
Por meqë Enver Hoxha nuk pranonte të bënte autobiografinë në parti, po sjellim rastin e një personi tjetër. Ky quhet Spiro Pano (19161974), ishministër, ishsekretar i Komitetit Qendror të PPSHsë. Në autobiografinë e tij shkruan se në vitet 19391942 ka qenë mësues në shkollën e Ujit të Ftohtë në Vlorë dhe për këtë arsye është regjistruar në Partinë Fashiste. Atëherë pse mësuesi Spiro Pano e paska pasur të detyruar dhe Enver Hoxha nuk e paska pasur të detyruar këtë gjë? Komunistët, nëse ishin të tillë, kishin vetëm një rrugë për të ruajtur “virgjërinë” politike të tyre: të mos pranonin asnjë funksion shtetëror në një regjim që nuk e konsideronin të tyrin.