Mungesa e një Spitali Psikiatrik Ligjor ka detyruar shtetin shqiptar të burgosë qindra persona. Megjithëse është shkelje ligji, në burgjet shqiptare janë rreth 200 persona që mbahen të izoluar. Të sëmurët mendorë që bëjnë krime duhet të izolohen në një spital ligjor, por mungesa e një institucioni të tillë, ka sjellë që këta persona të mbahen në Burgun e Zaharisë në Krujë dhe në Spitalin e Burgut në Tiranë.
Rreth 120 persona, për të cilët gjykata ka vendosur masën shtrim në Spitalin Psikiatrik dhe shtrim i detyruar, qëndrojnë në Zahari, i cili ngjason më shumë si një “kamp përqendrimi” sesa një spital psikiatrik ligjor. “Fiks Fare” risolli edhe njëherë historinë 20-vjeçare të mungesës së këtij spitali, duke marrë shkasë nga ngjarja e rëndë në fshatin Palasë.
Më 17 gusht, i sëmuri mendor Jorgo Zani, me kartelë mjekësore, masakroi nipin e tij 12-vjeçar. Ai banonte vetëm pak metra larg familjes së të miturit. Banorët e zonës fajësojnë për këtë krim institucionet shtetërore, që nuk morën masa, por edhe familjen e cila nuk e kontrollonte. Institucionet shtetërore u kujtuan vetëm pas vrasjes makabre. Një autoambulancë mblodhi të sëmurët mendorë dhe i dërgoi në Spitalin Psikiatrik në Vlorë “Ali Mihali”.
Të sëmurët mendorë izolohen në burg!
Po a ka shteti shqiptar një institucion për t’i izoluar këta persona? Fatkeqësisht jo. Një nga institucionet ku mbahen këta persona është Burgu i Zaharisë, i cili është 4 kilometra larg qytetit të Krujës. Megjithatë, një automjeti i duhen 30 minuta për ta përshkuar. Rruga është e shkatërruar, plot gropa dhe në terren të thyer. Burgu është në një zonë të shkretë dhe shumë i izoluar. Familjarët prenotojnë taksi për të shkuar të takojnë të afërmit e dënuar, apo ata që janë me masën mjekim i detyruar dhe shtrim në spitalin psikiatrik.
Autoambulanca e burgut ishte e vjetër, fenelina ishte thyer, ndërsa gjendja e saj ishte e shkatërruar. Nga burgu del një gomar, i ngarkuar me dru, ndërsa ajo që duket me sy të lirë është godina e shkatërruar e IEVP Krujë. Ekipi i gazetarëve të “Fiks Fare” futet brenda burgut, ndërsa si për të gjithë, kontrollohen nga gardianët. Këta të fundit kontrollojnë edhe njëri-tjetrin.
Pas disa metrash, fillojnë të shfaqen pamjet e para të burgut-spital: lagështirë, mure të shkatërruara dhe dysheme e pisët. Kamera e “Fiks Fare” sjell edhe pamje të qelive, ndërsa disa persona, për të cilët gjykata ka vendosur masën shtrim në spitalin psikiatrik apo shtrim i detyruar. Disa persona mbulohen me batanije, ndërsa të tjerë dalin në zgavrat e hekurit të derës dhe përshëndesin ekipin e gazetarëve.
Disa prej këtyre personave bisedojnë me gazetarët. Njëri prej tyre thotë se ka tentuar të vrasë veten disa herë, ndërsa një tjetër tregon edhe të “bëmën” e tij. “Jam këtu se bëra një gjest të gabuar, hyra në një bankë dhe u kërkova 20 mijë euro. I doja për të ngrënë bukë. Nuk kisha armë. Hyra se kështu më tha mëndja”, tregon personi. Një tjetër tregon se në këtë institucion nuk ka asnjë vend ku të kalojë kohën, nuk ka kënd sportiv. Ai thotë se qëndron veti i 7 në dhomë. Pak metra më tutje, një person për të cilin gjykata ka vendosur shtrim në spitalin psikiatrik thotë se “shiko çfarë hamë, s’ka asnjë shije (tregon pjatën me ushqim, është oriz me patate, ngjyrë e bardhë)”.
Kryegardiani i IEVP Krujë, Lulzim Haxhia, tregon për “Fiks Fare” se në institucionin që punon ka të dënuar nga 45 deri në 80 vjeç. Sipas tij, janë 120 persona për të cilët gjykata ka dhënë masën shtrim në spital. Janë rreth 20 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe pjesa tjetër për krime të tjera. Ai tha se pozicioni ku ndodhet IEVP Krujë nuk u mundëson rehabilitimin e kësaj kategorie, për shkak të largësisë. Më pas shton se pjesa më e madhe e këtyre personave janë braktisur nga familjarët, për shkak se kanë kryer krim në familje.
Totozani: Zaharia duhej të ishte mbyllur dje!
Në Ministrinë e Drejtësisë, në Drejtorinë e Burgjeve, por edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, ndodhet një rekomandim i fundit i Avokatit të Popullit. “Fiks Fare” disponon një kopje të këtij raporti, ku rekomandohet mbyllja e burgut të Krujës.
“Avokati i Popullit, kreu një inspektim të përgjithshëm në IEVP Zahari Krujë më datë 24.02.2016. Vazhdon të mbetet një institucion, i cili me një distancë 4 km në juglindje të qytetit përbën si problematikë të theksuar rrugën tejet të amortizuar. Mbetet akoma një shkelje flagrante e ligjit, si dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare mbajtja në këtë institucion e personave me masën mjekësore mjekim i detyruar ose shtrim i përkohshëm. Ngritja e Institucionit Mjekësor të Posaçëm, do të mundësonte vuajtjen e dënimit të kësaj kategorie personash në këtë institucion duke ofruar kushte dhe një shërbim mjekësor të denjë për ta”, thuhet në këtë raport, sipas së cilit lagështia, amortizimi, higjiena, prezenca e insekteve, tualetet e dushet me kushte shumë të këqija higjieniko-sanitare.
Gazetarët e “Fiks Fare” biseduan edhe me Avokatin e Popullit. Zoti Totozani tha se institucioni i Zaharisë duhej të ishte mbyllur dje! Sipas tij, është e pafalshme që persona që nuk janë të dënuar të qëndrojnë në qeli të mirëfillta burgu. Ai shton se, prej 15 vitesh, institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë rekomandime për ngritjen e Spitalit Psikiatrik Ligjor, por deri më tani nuk ka asnjë reagim nga institucionet përkatëse shtetërore. “Më ka shkuar buza prapa kokës”, thotë Totozani, ndërsa, ka shpresë se një institucion i tillë do të ngrihet, i diktuar fortë nga BE-ja.
Skëndaj: Shqipëria ka djegur fondet e BE-së
“Fiks Fare” bisedoi edhe me zonjën Erinda Skëndaj, nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. “Shteti shqiptar, prej më shumë se dy dekadash ende s’ka gjetur një zgjidhje për personat me mjekim të detyruar. KSHH ka identifikuar një rast konkret, të cilin e kemi çuar në Gjykatën e Strasburgut, ku kërkojmë të ndërpritet kufizimi i lirisë. Këta persona nuk janë të dënuar. Institucioni i Zaharisë në Krujë, ku mbahen këta persona, është në kushte të këqija, për shkak të lagështirës dhe kjo është konstatuar në progres raportin e KE-së. Në të thuhet se ‘Shqipëria s’ka bërë asnjë progres përsa i takon ngritjes së një institucioni të përshtatshëm mjekësor për këta persona’. Bashkimi Europian para disa vitesh akordoi një fond të konsiderueshëm për ngritjen e këtij institucioni dhe s’u mor vesh përse nuk u ndërtua. Cilat ishin problemet që u hasën, u hapën procedura tenderimi, i caktua edhe vendi ku do ndërtohej. Ky fond është djegur”, thotë Skëndaj.