Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka denoncuar në nëntë raste për kompani private se kanë dëmtuar rrjetin gjatë kryerjes së punimeve publike apo private duke sjellë për pasoje lënien pa energji me orë të gjata të abonentëve.
Situata në fjale shfaqet problematike kryesisht në Tiranë. Sipas OSHEE, gjithsej janë mbi 40 raste të regjistruara këtë vit, vetëm për Tiranën, ku kompani të ndryshme, të kontraktuara nga institucione shtetërore, por edhe private, kanë dëmtuar rrjetin elektrik të OSHEE, ku në jo pak raste, defekti ka qenë i rëndë, me mungesë të tejzgjatur të dritave. Sakaq, Drejtoria Ligjore pranë OSHEE, është duke plotësuar dosjet me procesverbalet përkatëse, për t’i trajtuar më tej tek organet kompetente të hetimit.
Në tre ditët e fundit, janë konstatuar dëmtime të rrjetit elektrik të OSHEE nga firma private, duke lënë prej 4 orësh pa drita banorët e zonave si Selitë, Rruga e Kavajës, apo Siri Kodra.
Problem serioz shfaqen me firmat private të kontraktuara nga ujësjellësi, ku në 10 raste, është regjistruar dëmtim rrjetit elektrik tensioni i mesëm.
Me këtë rast, OSHEE u bën thirrje të fortë të gjitha institucioneve shtetërore dhe kompanive private, që të respektojnë
• udhëzimet teknike dhe azhurnimet e rrjetit inxhinierik elektrik në terren, të përcaktuar nga kompania e Shpërndarjes dhe nën asistencën teknike të personelit teknik të OSHEE në rastet kritike
• Në të gjitha punimet të respektohen aktet normative të rrjeteve të ndryshme inxhinjerike që bashkëjetojnë në këtë infrastrukturë nëntokësore (ujësjellësi, telekomi, internetet, tubacionet e gazit etj)