Nga Blendi Fevziu
Vendimi i Presidentit të Republikës për të dekoruar 67 shqiptarë të pafajshëm, të vrarë padrejtësisht dhe të nëpërkëmbur për më shumë se 73 vjet ka rihapur edhe një herë një debat të nxehtë në vend. Atë që lidhet më luftën e dytë botërore dhe me rreshtimin e shqiptarëve në formacionet politike të saj. Për fatin tonë të keq, debati nis si gjithnjë nga personat më pak kompetentë dhe në vend të historisë i referohet filmave të kinostudios “Shqipëria e Re” dhe imazheve të socrealizmit. Pa dashur të hyjë në një debat që kërkon shumë më tepër thellim dhe shumë më tepër hapësirë se sa një editorial, dua të nënvizoj se vendimi i Presidentit ka dy anë: atë historike dhe atë morale.
Konteksti historik, është ai që keqinterpretohet më shumë dhe që përdoret kryesisht nga ata që e shohin si politikë dite. Në këtë kontekst, Presidenti nuk ka gabuar aspak. Masakrimi i 67 pjesëtarëve të një formacioni të Ballit Kombëtar, por në realitet, një grup fshatarësh që as kishin vrarë njeri dhe qenë bashkuar për të luftuar italianët, më 21 tetor, ka qenë një akt i pastër kriminal. Ai u krye nga Brigada e Parë me një vendim të marrë nga Dushan Mugosha (Shihni kujtimet e Xhelal Staraveckës). Qëllimi ishte thjeshtë terrorizimi i mbështetësve të Ballit dhe marrja e pushtetit në një moment që në Shqipëri ishte krijuar vakum. Italianët kishin kapitulluar, ndërsa gjermanët qenë vendosur vetëm në disa qendra dhe pika strategjike.
Masakra e Lushnjës e kishte nismën në dështimin e Mukjes. Atje, ku Komunistët, Ballistët dhe nacionalistë të tjerë u bashkuan dhe firmosën për një luftë të përbashkët ndaj okupatorëve. Por ndërkohë Italia kapitulloi dhe pushteti i ardhshëm ishte më i rëndësishëm se sa lufta. Pavarësisht se firmosi, PKSH vendosi ta prishë marrëveshjen e Mukjes.
“Bashkimi me Ballin Kombëtar tani është një punë e vdekur dhe s’bisedohet më për atë punë. Tani bisedohet shpartallimi i tij“.
Kjo frazë përbën thelbin e letrës që Enver Hoxha i nisi më 1 tetor të 1943-it Komitetit Qarkor të Gjirokastrës. Për mbështetësit e “Ballit Kombëtar” kjo është dita e fillimit të përplasjeve zyrtare ushtarake midis dy formacioneve politike që u shndërruan në dy forca armike. Edhe pse përplasje mes tyre kishte pasur edhe më herët, ato qenë në fakt sporadike. Prishja e Marrëveshjes së Mukjes, qe jo vetëm humbja e një shansi për luftë të përbashkët kundër okupatorit, por edhe fillimi i përleshjeve të armatosura midis palëve. Përplasjet nisën në fillim të muajit shtator me vrasjen e 6 ballistëve në Ziçisht. Nga 1 shtatori deri më 1 tetor u numëruan dhjetëra viktima nga të dyja palët.
Viktimat e Lushnjës u masakruan në këtë moment. Asnjë prej tyre, kurrë nuk kishte bashkëpunuar me italianët, kundër të cilëve ishin ngritur. Në vitet e fundit të jetës, vetë Mehmet Shehu, siç dëshmon djali i tij Bashkim Shehu në librin “Vjeshta e Ankthit”, shprehte pendesë për këtë akt. Ishin njerëz të pafajshëm që u vranë për të ngjallur frikë tek të tjerët. Dhe për të frenuar mobilizimin e mëtejshëm në forcat e Ballit. U vranë për pushtetin e ardhshëm.
Më 26 tetor të 1943-it “Balli Kombëtar” lëshoi një “thirrje drejtuar Nacionalçlirimtares” me titullin: “Vëllavrasja ka fillue!”
Mbështetësit e komunistëve kanë deklaruar gjithnjë se luftën vëllavrasëse e filloi “Balli Kombëtar”, se ishin pjesëtarët e tij që ju bashkëngjitën forcave gjermane dhe që sulmuan forcat partizane. Por asnjë historian deri më sot, nuk mund të thotë që Balli ka bashkëpunuar me okupatorët përpara Tetorit të vitit 1943. Ky është konteksti historik.
Ai moral është tjetër. A meritonin këta 67 persona të dekoroheshin dhe cili ishte kontributi i tyre në këtë rast. Ata janë viktima të pafajshme të një lufte civile dhe një përplasjeje forcash, që për fatin e tyre të keq, qëlloi të kulmonte pikërisht në fshatin e tyre. Në fakt, Presidenti duhet të përgatisë një nderim më të denjë dhe më domethënës për Mit’hat Frashërin, kreun e Ballit Kombëtar, djalin e Abdyl Frashërit, firmëtarin e pavarësisë, anëtarin e kabinetit të Ismail Qemalit, krijuesin e Bibliotekës Kombëtare shqiptare, shkrimtarin dhe përkthyesin e njohur dhe militantin antifashist. Askush deri më sot, asnjë historiograf komunist nuk ka dëshmuar ndonjë bashkëpunim të Frashërit me Gjermanët. Por ai është përbaltur pa të drejtë dhe sot, ende prehet në një varrezë në Long Island të Nju Jorkut. Ky njeri ka lënë një testament. Ai ka dorëzuar gjithë pasurinë e tij për Shqipërinë, me kusht, që ta varrosnin në oborrin e Institutit Albanologjik nëse ndonjë ditë do të ngrihej një i tillë. Ai vijon të prehet ende larg, vetëm si pasojë e një manipulimi historik.
Sa i takon 67 personave, ka edhe një shikim tjetër. Vrasja makabre e atyre të pafajshmëve ishte vetëm një akt. Për 50 vjet me rradhë, familjet tyre janë persekutuar në mënyrë të tmerrshme. Familjet u izoluan, fëmijëve, nipërve dhe stërnipërve që nuk i njohën kurrë ju mohua punësimi normal dhe shkollimi. Ata e vuajtën këtë si një njollë në biografi dhe ky dekorim është edhe një sadisfaksion moral për vuajtjet e tyre. Ata nuk ngjallen dot më; familjet nuk e shpërbëjnë dot persekutimin e padrejtë dhe të pamerituar; nuk i kthejnë dot mbrapsht vuajtjet që kanë hequr. Lërini së paku të ndihen krenarë me atë dekoratë simbolike, sa për t’i treguar të gjithëve, por edhe vetes, se e vërteta vonon, por humbet kurrë.
Ke vepruar drejtë Zoti President, por është ende shumë pak. Historia nuk bëhet me filmat e Kinostudios dhe e drejta nuk ka lidhje me politikën e ditës!/opinion.al