Nga Florjan Kalaja
Kushtetuta e ndryshuar ka parashikuar se çdo gjyqtar dhe prokuror në detyrë, deri në momentin që të kalojnë rivlerësimin me sukses, do të duhet t’i nënshtrohet verifikimit të pasurisë, figurës morale dhe profesionale.
Ndryshimet kushtetuese kanë vënë në dyshim integritetin moral dhe profesional të çdo gjyqtari dhe prokurori, prezumim i cili do të duhet të rrëzohet përgjatë procesit të rivlerësimit. Nga ky proces presupozohet që atyre që u provohet prezumimi i papërshtatshmërisë me detyrën do të largohen nga sistemi dhe të tjerët do të konfirmohen në detyrë, duke u titulluar sakaq gjyqtarë dhe prokurorë që meritojnë besimin e publikut.
Me datë 07.10.2016 ka hyrë në fuqi ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky ligj ka lënë si detyrë të çdo gjyqtari dhe prokurori, që brenda një muaji nga data e hyrjes në fuqi të plotësojë tre formularët e verifikimit pasuror, të figurës dhe profesional, dhe t’i dorëzojë ato në tre institucionet e ngarkuara me detyrat e verifikimit. Krahas plotësimit të formularëve, e cila ngjan të jetë punë rutinë, ligji ka vënë si detyrë që brenda një muaji nga data e hyrjes në fuqi e ligjit gjyqtarët dhe prokurorët të provojnë me dokumentacion çdo të ardhur dhe shpenzim që ka të bëjë me pasurinë, figurën dhe aspektin profesional. Ndërkohë, nëntë ditë nga afati 30 ditor rezultojnë të jenë ditë pushimi dhe për rrjedhojë mbeten efektivisht 21 ditë kohë. Detyrimi që ligji për rivlerësimin kalimtar vendos në ngarkim të gjyqtarëve dhe prokurorëve është të paraqesin nga e para të gjitha provat dokumentare të justifikimit të pasurisë, figurës dhe të aspektit profesional që ato deklarojnë në formularë dhe çdo dokument nga ato të kërkuar ndodhet në arkivat e organeve shtetërore.
Pavarësisht kësaj, ligji me një këmbëngulje të pashpjegueshme arsyeshëm vendos që të gjitha dokumentet të sillen edhe një herë nga subjektet e rivlerësimit. Natyrshëm të vjen në vëmendje diskutimi i fundit i ligjit të dekriminalizimit për mësuesit, që për plotësimin e vetëm një formulari disafletësh parashikon gjashtë muaj kohë. Natyrshëm të krijon përshtypja barazia në kohë e lënë për gjyqtarët dhe prokurorët që e nisin sot detyrën me ato që kanë vite vjetërsi në punë deri në pragun e pensionit. Ka kohë që në media përcillen deklarata të ngarkuara negativisht të reformatorëve të drejtësisë lidhur me prezumimin e papërshtatshmërisë së detyrës së çdo gjyqtari dhe prokurori. Për të përcjellë këtë frymë në opinionin publik shfrytëzohet çdo foltore qeverie dhe parlamenti, edhe pse jo edhe drejtorish. Ka kohë që për çdo dështim në Shqipëri. nëpërmjet medias, përcillet negativisht ideja se fajtor është vetëm sistemi i drejtësisë dhe kryesisht gjyqtarët dhe prokurorët.
Në media u fabrikuan edhe spekulime se 100 gjyqtarë dhe 100 prokurorë kanë dorëzuar nga frika e vetingut dorëheqjet para Presidentit të Republikës. Pati media që paralajmëroi për kryetar gjykate që kërkonte marrëdhënie seksuale në zyrë me kushtin e përdorimit të influencës së tij për të ndikuar dhe gjithç ka u arkivua me ditët dhe javët pasuese.
Që në muajin gusht 2016, Ministria e Financave dhe deputetë të Komisionit të Ligjeve kundërshtuan sasinë dhe cilësinë e përfitimeve të parashikuara në projektligjin për statusin e magjistratëve për gjyqtarët dhe prokurorët, që do t’i mbijetonin procesit të rivlerësimit kalimtar. Derisa projektligji u bë ligj paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve u ul me një të tretën e saj, paga e re u shty edhe me një vit, duke u parashikuar të nisin efektet me datë 01.01.2019; u hoq e drejta e çdo gjyqtari dhe prokurori për të marrë shtesë page për çdo fëmijë në masën 5% dhe u reduktuan një sërë të drejtash të tjera. Gjatë ditëve të para pas hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut në media u publikua qëllimisht nga organet shtetërore një kërkesë drejtuar zyrave të pasurive të paluajtshme, nëpërmjet së cilës kërkohej informacion për pasuritë e regjistruara të mbi 400 gjyqtarëve dhe mbi 300 prokurorëve, duke pasqyruar në to edhe emrat dhe mbiemrat e prindërve, krushqive, e fëmijëve madhor dhe fëmijëve të mitur deri te fëmijët foshnje. Kryetitujt e mediave të shkruara dhe vizive ishin të tipit: ja gjyqtarët dhe prokurorët dhe të afërmit e tyre, pasuritë e të cilëve do të hetohen në kuadër të vetingut.
Imazhet përcjellëse pasqyronin topa të stërmëdha me prerje të kartë monedhës 500 euro. Prezumimi i kriminalizimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve u tejçua si kurrë më parë edhe te prindërit e moshuar të tyre, fëmijët madhorë, të mitur dhe foshnjat. Një ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ILDKPKI u nxor një udhëzim, akt nënligjor me karakter normativ, i cili detajonte të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të rivlerësimit në kuadër të verifikimit pasuror. Në pikën 28 të udhëzimit të ILDKPKIsë ngarkoi me zbatimin e këtij akti normativ nënligjor të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës. Nga verifikimi i bazës kushtetuese dhe ligjore që mbante në krye udhëzimi konstatohet se nuk ka asnjë dispozitë kushtetuese, por edhe ligjore në fuqi që të ngarkojë ILDKPKInë për nxjerrjen e akteve normative me karakter nënligjor, të përcaktojë se cilat çështje të Kushtetutës apo ligjit duhet të detajohen me kësi normash dhe në çfarë mënyre duhet të rregullojë çështjet një akt i tillë, në mënyrë të pavarur nga çfarë parashikon neni 118 i Kushtetutës. Pavarësisht të gjithave këtyre fakteve të renditura më lart, nuk pati asnjë zë publik nga gjyqtarët apo prokurorët për të kundërshtuar apo tërhequr vëmendjen me çka ndodhte. Pavarësisht çka po ndodhte dita ditës nën një normalitet revoltues, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, organi që po përjeton muajt e fundit të ekzistencës por akoma kompetent si qeveria e gjyqësorit, nuk trajtoi asgjë dhe nuk u përpoq të zgjonte vëmendjen publike me çka ndodhte, edhe pse në përbërjen e saj ka dhjetë gjyqtar anëtarë.
Pavarësisht çka ndodhur, Prokuroria e Përgjithshme nuk pati asnjë reagim publik. Kësaj heshtjeje varri iu bashkua edhe institucioni i Presidenti i Republikës dhe Konferenca Gjyqësore Kombëtare, çdo gjykatë dhe çdo prokurori në Shqipëri. E habitshme ishte se as Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nuk i bëri përshtypje trajtimi denigrues dhe dekonspirimi në kundërshtim me ligjin nga autoritetet shtetërore dhe media i të dhënave me karakter sensitiv, familjar dhe \ngushtësisht personal i familjarëve të gjyqtarëve e prokurorëve të Republikës. Përshtypje nuk i bëri as institucionit të Avokatit të Popullit. Asnjë fjalë apo konferencë, me apo pa donacione kombëtare qeveritare apo jo, apo ndërkombëtare, nuk pati nga shoqëria civile. E ndërkohë që në të gjithë komunitetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nëpër kafene, zyra apo midis miqsh, komentoheshin të gjitha këto ndodhi me frikë dhe shqetësim, askush nuk flet publikisht dhe askush nuk do të zgjojë vëmendje. Asnjë reagim nuk pati nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Është një heshtje e habitshme dhe e frikshme e gjithkujt që do të duhej të mbronte të drejtën, parimin, respektimin e ligjit dhe komunitetin për të cilin është krijuar për t’i shërbyer dhe promovuar.
Nuk pati asnjë reagim ndaj uljes së standardit të pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve deri te bindja pa kushte ndaj akteve nënligjore të dala pa ligj, pasi askush nuk e bëri udhëzimin objekt kontesti gjyqësor. Nuk pati asnjë reagim për faktin se cilët janë 100 gjyqtarët dhe prokurorët që u dorëhoqën të frikësuar dhe nëse ky fakt është apo jo një spekulim dashakeqës për opinionin publik. Nuk pati asnjë reagim për thashethemin që mori dhenë të kryetarit të gjykatës që u korruptua me seks. Nuk pati asnjë reagim për uljen pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve me një të tretën dhe shtyrjen e saj me dy vjet. Duket se në erën e re të Reformës në sistemin e Drejtësisë gjithçka mundet t’i ndodhë dhe t’u bëhet gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nuk meritojnë asgjë tjetër veç poshtërimit dhe më tej ndëshkimit. Akoma më keq dita ditës po duket se gjithçka mundet të shkaktohet nga kushdo sepse gjyqtarët dhe prokurorët s’ka kush t’i mbrojë. Megjithatë, për gjithkënd që dashakeqës apo i keqpërdorur turret për të krijuar një situatë negative të punës së organeve kushtetuese të vetingut kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet t’u kujtohet neni 179/b pika 1 dhe 2 e Kushtetutës së ndryshuar. Nuk duhet të harrohet se sistemi i rivlerësimit kalimtar ngrihet me qëllim që të garantohet funksionimi i shtetit të së drejtës, pavarësia e sistemit të drejtësisë, si edhe të rikthehet besimi i publikut tek institucionet e drejtësisë dhe se rivlerësimi do të duhet të kryhet mbi bazën e parimeve të procesit të rregullt, si dhe duke respektuar të drejtat themelore të subjektit të vlerësimit.
*Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë