Nga Afrim Krasniqi
Presidenti ka dekretuar datën e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe partitë kanë shpallur kandidatët e tyre.
PS nuk ka ende një shpallje zyrtare, por në rrugë informale kandidati i saj është mjeku Ilia Stefa. PD ka shpallur zyrtarisht kandidatin Dritan Hajro, propozim i Partisë Agrare Ambientaliste, aleate me PD.
Më 2015 e majta fitoi me kandidatin Arben Malo (LSI), i cili papritur u nda nga jeta këtë vit. Pas testit të Dibrës zgjedhjet në Kolonjë përbëjnë një test tjetër politik. Fakti që PS në qeveri nuk ka lënë zonë të lirë për LSI (e cila mori mandatin drejtues më 2015) por e kërkon për veten, do të thotë, do ta shndërrojë testin e Kolonjës në një test dukshëm politik përballë opozitës, dhe test force edhe përballë aleatit të saj, LSI.
Fakti që PD në opozitë hoqi dorë nga kandidatët e saj dhe përzgjodhi një kandidat të majtë në emër të aleatit të saj PAA, tregon se dëshiron të sigurojë besimin e PAA (një parti në rritje muajt e fundit) në zgjedhjet 2017 dhe se do të testojë kandidatët pragmatistë në zona bastione të së majtës.
Bashkia Kolonjë u krijua me ndarjen e re territoriale duke pasur si bërthamë Bashkitë Ersekë dhe Leskovik. Në të parën (Ersekë) ka dominuar në 25 vjet Partia Socialiste dhe aleatët e saj, ku spikatin katër mandate drejtimi nga Adriatik Brace.
Në Leskovik ka dominuar e djathta, së fundi me disa mandate radhazi nga ish kryetari Fatmir Guda, një gazetar që u rikthye në vendlindje për të administruar disa mandate qytetin e tij.
Bashkia numëron më shumë se 19 mijë banorë, por ka jo më shumë se 8 mijë zgjedhës efektivë. Bashkia përbëhet nga 8 njësi administrative, ku krahas dy ish bashkive, Ersekë e Leskovik, janë edhe ish komunat Qendër Leksovik, Novoselë, Barmash, Mollas dhe Çlirim.
Njësia kryesore mbetet ish Bashkia Ersekë, ndaj edhe analiza e rezultateve duhet përqendruar në këtë njësi. Referuar të dhënave krahasuese kandidatët e PS kanë dominuar në zgjedhjet lokale në Ersekë, madje edhe më 2011, kur aleati i saj LSI ishte në koalicion me PD, pra kundër kandidatit të PS. PD dhe LSI patën rreth 300 vota më pak se PS, kurse më 2015, PS e LSI kanë rreth 700 vota më shumë se kandidati i PD. Si parti politike, PS + LSI më 2015 shënuan 5808 vota ndaj 2379 të PD + aleatëve të saj.
7 tiparet e veçanta të zgjedhjeve në Kolonjë
Grafiku më poshtë ilustron emrat e kryebashkiakëve në Kolonjë (Ersekë) prej 1992, si dhe ecurinë e votave PS-PD midis viteve 2003-2015 në të njëjtën njësi.
A tregojnë grafikët trendin apo rezultatin 2016? Natyrisht të dhënat krahasuese kanë vlerë, por p.sh, në Dibër, në zgjedhjet e pjesshme PS mori shumë më tepër vota se në çdo zgjedhje tjetër në 26 vjet në këtë njësi, ndryshe nga të dhënat e tabelave dhe grafikëve, përfshirë edhe ato të zgjedhjeve të fundit lokale 2015. Zgjedhjet në Kolonjë janë interesante për disa arsye:
Së pari, zgjedhjet nuk vijnë për shkak të një skandali (si në Dibër), por për shkak të një fatkeqësie. Kjo do të thotë, asnjëra palë nuk do të mund të flasë mbi bilancin e qeverisje lokale në Kolonjë gjatë 2015-2016.
Së dyti, është provë nëse PS ia del pa një LSI aktive ku ndryshe nga Dibra, nuk kemi një PDIU aktive dhe as të fortë.
Së treti, kemi një kandidat të një partie që drejtohet nga një figurë e majtë politike (ish ministri socialist Duka), i afërm i ministrit të sotëm në qeveri Koka. Pra, nuk pritet të kemi zgjedhje konfliktuale por më shumë pragmatiste.
Së katërti, kemi një test politik për rezultatet e deritanishme të qeverisë në një zonë jugore (pas testit verior në Dibër), një shenjë paralajmërimi për zgjedhjet 2017.
Së, pesti kemi kandidatë të majtë në një zonë bastion të së majtës. Referuar nivelit të identitetit të majtë dhe natyrës së sjelljeve pragmatiste të votuesve, kandidati aktual i të djathtës mund të mbledhë votat militante të së djathtës, dhe të përçajë të majtën lokale.
Së gjashti, zgjedhjet do të administrohen nga KQZ, por megjithëse dekreti është firmosur dhe praktika zgjedhore ka nisur, ende Kuvendi nuk ka zgjedhur kryetarin e KQZ. Mandati aktual përfundon brenda 48 orëve, kurse politika, si edhe më parë, nuk ka arritur ende të gjejë zgjidhje ligjore (ose nuk ka ende konsensus në bisedimet e fshehta mes palëve) për drejtimin e KQZ, gjë që mund të ketë ndikim në vonesat/cilësinë e administrimit zgjedhor edhe në Kolonjë.
Së fundi, prej 1994 çdo zgjedhje e pjesshme është fituar nga kandidati i qeverisë, sepse ajo ushtron presion, përdor potencialet e saj për “blerjen” e votës, zgjedhësit janë pragmatistë, etj. Por në Kolonjë duhet pritur nëse trendi ruhet apo ndryshon, sidomos nëse qeveria përdor edhe më tej të gjitha potencialet e saj financiare e politike, – një tregues kritik që mund të ketë kosto politike për të në pritshmërinë ndërkombëtare për aftësitë e saj për të organizuar e menaxhuar zgjedhjet e ardhshme parlamentare në standardet e kërkuara, të cilat, p.sh, në Dibër, nuk u respektua