Pas kthimit të ligjit të mbetjeve në Kuvend nga presidenti Nishani, analisti Fatos Lubonja mendon se tashmë do të varet shumëçka edhe nga loja politike që luhet brenda parlamentit, brenda forcave politike. Në një komunikim për “News24”, Lubonja tha se lojën e përcakton LSI-ja.
INTERVISTA
Zoti Lubonja do donim të bashkëbisedonim së bashku për një sërë çështjesh që përbëjnë aktualitetin politiko-social. Do doja ta nisim bisedën me ju pikërisht me vendimin që është marrë nga presidenti Nishani për të rikthyer në parlament ligjin e shumë debatuar të mbetjeve të integruara. Në gjykimin tuaj ishte i drejtë?
Më duket se nuk do koment, sepse ky ligj ishte një ligj antiqytetar, një ligj i cili u kontestua me të drejtë para 3 vjetësh dhe përsëri kontestohet me të drejtë. Problemi është që e keqja në atë vend ka triumfuar dhe triumfon gjithmonë dhe gjithnjë e më pak njerëzit kanë besim se diku mund të ndodhë ndonjë gjë e mirë në Shqipëri, ndonjë ngjarje e mirë që të jetë në interes të shumicës së popullit dhe jo në interes të një pakice që ka kapur shtetin dhe që e përdor Shqipërinë thjesht si një terren për tu pasuruar për vete, duke shkatërruar gjithçka, jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen. Eshtë evidente, nuk besoj se ka ndonjë koment. Unë kam qenë pjesëtar në protestat e tre vjetëve më parë. Mbetet gjithmonë ai mosbesimi i thellë që ajo klasë politike, ajo maxhorancë që është sot në parlament përsëri të punojë për ata që e paguajnë, si të thuash nëpërmjet formave të korrupsionit dhe nuk do ti shërbejë interesit publik. Mua më bën përshtypje që ka kaq ndjeshmëri për plehrat, por çështja se në Shqipëri ka 25 vjet që ata që e quajnë veten biznesmenë, ata që gjoja e quajnë veten të pasur në Shqipëri kanë ndërtuar një industri që është në kundërshtim me interesat publike, në tërësinë e vet që shkatërron ambientin, që shkatërron të ardhmen. Eshtë një çështje shumë më e gjerë se sa çështja e plehrave. Pra kjo shoqëri civile, që ka kaq shumë ndjeshmëri tek plehrat duhet ta zgjerojë shikimin e vet. Ideja ime është se kemi një klasë biznesi, një klasë politike shumë të kriminalizuar.
Kjo është një industri që funksionon kudo, dhe në Itali kam përshtypjen. Si është në Itali?
Funksionon kudo me problemet e veta. Po të jap rastin e Kampanias, ku ka pasur dhe ka denoncime të mëdha, të jashtëzakonshme lidhur me faktin se në Kampania mafia që ka pasur në dorë industrinë e riciklimit, bashkë me ndotjet po i quajmë ndotje normale të padëmshme, ka varrosur në fushat e Kampanias edhe ndotjet toksike të veriut, duke marrë para të madhe atje.
Në një vend si Italia, ku siç dihet ka shumë më tepër kontroll të shtetit dhe shumë më tepër kontroll të shoqërisë dhe shumë më tepër ndjeshmëri të bujqve dhe njerëzve që punojnë tokat aty, dhe jo më në një vend si Shqipëria ky hyn edhe derri dhe dosa siç thuhet. Edhe Italia e ka problem të madh këtë, plus fakti tjetër është i qartë, se Italia edhe ka eksportuar ndotje për ti djegur diku, dhe në Gjermani. Por nuk kam dëgjuar që Italia të sjellë ndotje për të djegur nga ndonjë vend tjetër. Gjermania i merr, sepse ka një teknologji dhe dihet që ky është një problem që gjithsesi kontestohet nëpër vendet ku ndodhin këto procese.
Veprimi i presidentit Nishani vetëm se e kthen ligjin mbrapsht në Kuvend, ai do të shkojë prap për votim. Duket se maxhoranca nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj. Shoqëria Civile u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të gatshëm sërish për aksion civil përpara parlamentit kur të vijë dita. Ju si e parashikoni vazhdimësinë?
Do të varet shumëçka edhe nga loja politike që luhet brenda parlamentit, brenda forcave politike. Mendoj që sigurisht ka një mosbesim të madh tek Partia Demokratike, e cila ka qenë inicuese e këtij ligji dhe tani po voton kundër, por nuk ka ndonjë të keqe. Po kërkon dhe referendum. Megjithatë lojën e përcakton ndoshta më shumë LSI-ja, e cila në një farë mënyre është ajo që ka luajtur balancën.
Çfarë qëndrimi do mbajë. Dhe qëndrimi që do të mbajë LSI-ja nuk ka të bëjë shumë me të drejtën, me çështjen e interesit publik, por edhe me lojën politike që luhet nën rrogoz, në rivalitetin midis kësaj force politike dhe maxhorancës. Pra për fat të keq, nuk kemi një klasë politike atje në parlament që të ketë ndjeshmëri. Është e kapur nga ata biznesmenët që janë lobistët e kësaj maxhorance tani. Janë po ata që kanë qenë dhe lobistët e maxhorancës së kaluar, dhe të LSI-së.
Ka një shpresë se zoti Meta sot kërkoi që e ardhmja e politikës vendase të jetë pa shumë biznesmenë në parlament…
Besoj se kjo është e rëndësishme të thuhet. Kur e thotë dhe Ilir Meta kuptohet se ka vajtur deri aty ku nuk mban më, se ja do dhe interesi, të kuptohemi. Problemi më i madh ky është pra, konflikti i interesit të atyre politikanëve që e kanë kapur parlamentin për të fuqizuar bizneset e tyre dhe nuk kanë ardhur në parlament për të na shërbyer ne. Ideja është që Shqipëria duhet të bëjë një transformim, mendoj unë, të madh të këtij raporti. A do të arrihet kjo. Me një presion të madh ndoshta diçka edhe mund të arrihet.
Zoti Lubonja ju shpesh keni shkruar, natyrisht duke analizuar situatën politike, dhe jo vetëm, në vend. Në këto shtatë ditë të fundit ne kemi tashmë daljen zyrtare të dy forcave të reja politike, ‘Sfida për Shqipërinë’ e Gjergj Bojaxhiut dhe nga ana tjetër ‘Lista’ e Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit, të cilët deklaruan në parlament se nuk janë më pjesë e Rilindjes. Si e shikoni tani gjithë këtë situatë, ndërkohë që po shkojmë edhe drejt zgjedhjeve të 2017-ës?
Mendoj se koha për një lëvizje të re që të kontestojë këtë kastë politike është vonuar shumë ardhja e një lëvizje të tillë. Nuk kemi kohë këtu të zgjatemi se pse është vonuar kaq shumë, por unë mendoj se në atmosfera, në popull domethënë është e tillë që ai rotacioni që deri diku 10 vjet më parë, apo ndoshta dhe një çik më pak, dukej sikur ishte shpresa. Pra që ndërrimi, dhënia e votës partisë tjetër do të mund të përmirësonte, ka dështuar.
Ka dështuar sepse për fat të keq partitë e mëdha që kemi, partitë e vjetra nuk janë përmirësuar me kalimin e kohës, por janë përkeqësuar, në një farë kuptimi. Janë përkeqësuar sepse janë njehsuar gjithnjë e më shumë me atë biznesin që fola, kriminal, me krimin e organizuar, janë bërë gjithnjë e më shumë përfaqësues të asaj që mund ta quajmë e keqja në Shqipëri.
Në qoftë se me të keqe kemi gjithmonë parasysh interesin privat të një pakice, kundër interesit të shumicës. Dalja e forcave që të përfaqësojnë shumicën, që të përfaqësojnë të papërfaqësuarit është pritur me kohë. A mundet këto dy lëvizje vërtet të marrin kaq fuqi sa të përfaqësojnë të papërfaqësuarit. Në mënyrë ideale unë do të thoja që pikërisht këto dy parti që përmendët ju janë dy forca politike, që mundet në një të nesërme të zëvendësonin dy partitë e mëdha.
Në kuptimin që Shqipëria ka nevojë për një parti vërtet të majtë, që të përfaqësojë pjesën më të brishtë të shoqërisë, më të papërfaqësuar. Dhe në këtë rast mund të mendohej Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi si të majtë, me qenë se dalin nga PS. Por ka nevojë edhe për një, po e quajmë qendër të djathtë normale, ku të punohet për një treg të lirë vërtet dhe jo treg të monopoleve, ku të punohet për biznese të lira. Pra dy parti normale. Unë mendoj që duket shumë larg mundësia që këto dy parti të bëhen kaq të rëndësishme sa të zëvendësojnë këto të dyja. Por lindja e tyre është shumë e rëndësishme. Mendoj që kanë problemet e tyre të dy palët, sepse një nga gjërat kryesore që mungon në Shqipëri është besimi tek çdo gjë e rë që lind, tek forcat e reja që lindin, tek njerëzit. Sepse shikohen të gjithë si pjesë e një kaste.
Edhe Ben Blushi vjen nga një parti, ka një histori të gjatë në atë parti. Edhe Bojaxhiu ka qenë me PD-në, është një biznesmen që është akuzuar. Të gjitha këto ndikojnë për të mos pasur besim tek njerëzit. Ashtu sikundër ndikon edhe fakti që partitë e mëdha nxitojnë që ti etiketojnë këta si bërës të lojës së kundërshtarit, për të mbajtur terrenin e polarizuar në dy forcat kryesore.
Prandaj them se do të ishte shumë mirë që këto parti të gjejnë mënyrat për të rritur besimin, për t’u bërë sa më të besueshme. Kjo lidhet shumë edhe me aktivitetin e tyre, jo vetëm fjalët por edhe me shumëçka që do bëjnë në të ardhmen. Por mendoj se është shumë e rëndësishme që të vihet në dukje gjithë kjo që ka ndodhur në Shqipëri, siç po e vënë në dukje të dy palët. Edhe për të marrë pushtetin duhet të ushtrojnë presion mbi forcat kryesore politike që ato të transformohen, siç ka ndodhur dhe në botë. Në Amerikë ka qenë një Parti e Popullit që ka arritur 8-9% në fund të shek 19, por që ka ndikuar shumë në transformimin e Partisë Demokratike, për tu bërë sa më pak parti e oligarkëve e të pasurve, siç ishte në atë kohë në kapitalizmin e egër. Pra në njëfarë mënyre këto forca mund të ndikojnë dhe si presion ndaj partive të mëdha. Eshtë demokracia që hapet shumë me këto lëvizje.
Në vijim të kësaj analize që ju sapo bëtë. Kur je i ri në çfarëdolloj profesioni të duhet shumë punë që të zësh rrënjë fort. Ju si besoni, a kanë këto dy parti terrenin e duhur për të punuar siç do donin të punonin dhe për të zënë rrënjë dhe pse jo për të ndikuar më pas në një vendim të caktuar të popullit, tek populli në zgjedhjet që po afrojnë?
Do të thoja që edhe e kanë edhe nuk e kanë. Kur them e kanë nënkuptoj që ka një atmosferë tashmë të tejngopur me dëshpërim dhe njerëzit mezi presin të kenë shpresë diku në atë vend. Në këtë kuptim zhgënjimi me klasën politike që ka tash 20 e kusur vjet është një gjë e favorshme për këto parti. Por nuk e kanë… përsëri edhe kjo qëndron sepse edhe këto parti kanë kapur mediat, kanë paranë, kanë ekonominë.
Por njëkohësisht janë edhe të rrënjosura, si të thuash, në mendësinë e shqiptarëve të cilët janë manipuluar mjaft nga këto dy parti. Njëra pretendon që përfaqëson po themi të persekutuarit edhe nga populizmi, manipulimi dhe larja e shpëlarja e trurit sikur PD-ja ka përfaqësuar ish-të persekutuarit vazhdon të jetë, ashtu sikurse edhe ana tjetër që PS-ja vazhdon të sundojë edhe duke pasur parasysh se përfaqëson një pjesë tjetër të shoqërisë shqiptare.
Pra çështja e lidhjeve me të kaluarën është shumë e rëndësishme. Këto parti në qoftë se do shikojnë përpara, duhet ti referohen më shumë terrenit aktual. Një parti e djathtë thotë PD-ja por ndërkohë pjesa më e madhe e njerëzve të pasur janë në krahun e PS-së që e quan veten parti e majtë. Pikërisht këtu ka një kontradiksion që vjen nga emërimi i djathtë i majtë, që duhet ta ndryshojnë këto parti. Jemi në një situatë ku duhet shumë forcë, shumë vullnet.
Mediat kryesore janë të kapura nga këto forca politike. Këto forca janë të lidhura me oligarkinë. Këtu nuk është çështje vetëm e dy partive mendoj unë, as e dy personave, tre personave që përmenden në krye të partive, këtu është çështja e gjithë sistemit që duhet ndryshuar. Këtu duhet të kalohet nga pushteti i oligarkëve të lidhur me partitë nëpërmjet mediave, në një shtet ku mediat, pushteti politik, biznesi janë të ndara, ashtu sikurse dhe drejtësia duhet të jetë e ndarë. A mundet të kenë këto fuqinë apo jo? E vështirë është. Unë dyshoj që shumë më shpejt ndodh rënia e tunelit se sa hapja e një drite në tunel. Po megjithatë çdo përpjekje është për tu përshëndetur. /Balkanweb/