Historia e ARMO-s, kompanisë më problematike në vend, po i ngjan gjithnjë e më shumë një skenari shqiptar të “Ujkut të Wall Street”, ku transaksioneve të komplikuara, nuk po u gjendet filli, përkundrazi ato po ndërlikohen dhe më tej.
Pak javë pasi ministri i Financave dhe përfaqësues të kompanisë IRTC (që mori në përdorim ARMO nga 1 shtatori) deklaruan se ky ishte një transaksion privat shitjeje mes bankave dhe ARMO-s, disa banka kanë sekuestuar sërish asetet e kompanisë që përpunon naftë, duke shtuar dhe më shumë misterin se çfarë po ndodh realisht.
Më 13 shtator, Shoqëria Përmbarimore T.M.A ka kërkuar rifillimin e veprimeve përmbarimore të pezulluara ndaj ARMO SHA për llogari të kreditorit Banka Credins, për një kontratë overdrafti të shtatorit 2014, vlera e të cilit nuk bëhet e ditur. Kërkesa ishte pezulluar fillimisht në qershor 2016 dhe është aktivizuar sërish disa ditë pasi u njoftua se kompania do të rivihej në punë. Pas kërkesës së bankës (më 9 shtator), përmbaruesi ka kërkuar të rifillojë vendimet procedurale të pezulluara. Përmbaruesi u ka kërkuar dhe bankave të tjera rivendosjen e sekuestros mbi llogaritë, depozitat apo kreditë e debitorit dhe ka arritur të mbledhë vetëm 1.1 milionë lekë.
Më herët (po në shtator) kishte qenë Tirana Bank, që kishte depozituar përmes Shoqërisë Përmbarimore TDR Group, shpalljen në ankand të një sërë pasurive të ARMO, si një truall prej 28 mijë metra katrorë dhe Dega e shpërndarjes së karburantit me sipërfaqe 1600 m2, në Lagjen 1 Maji në Fier, me një çmim prej rreth 96 milionë lekësh. Kërkesa e Tirana Bank ka ardhur pasi ARMO, me dorëzanës “Anica mercuria refinery Associated” dhe “Deveron Oil Albania” nuk ka kthyer kreditë dhe shtojcat e kredisë përgjatë viteve 2013-2015. Procedura e zhvillimit të ankandit zgjati 15 ditë deri më 20 shtator dhe nuk u shfaq asnjë interes për të blerë objektin e nxjerrë në ankand me një vlerë fillestare prej 95 milionë lekësh. Në ankandin e radhës, që mbetet i hapur deri më 21 tetor, çmimi i objektit (truall 28 mijë metër katror dhe dega e shpërndarjes së karburantit me sipërfaqe 1600 m2) ka zbritur në 67 milionë lekë.
ARMO është kreditori më i madh i vetëm në listën e 35 kreditorëve më të mëdhenj problematikë në vend, me një stok huaje që i tejkalon 50 milionë euro, ku huadhënësit kryesorë janë Raiffeisen, Credins e Tirana Bank. Vënia në përdorim e kompanisë ishte një veprim i mirëpritur nga bankat pasi i rrit vlerën kompanisë përpara shitjes së saj në ankand, si dhe ul kostot e amortizimit dhe mirëmbajtjes. Por zhvillimet e fundit duket se e kanë kthyer në një “poker” mes bankave rafinerinë praktikisht të falimentuar.
“Doja të thoja që kjo ka qenë një çështje shumë e komplikuar, por pas operacioneve me bankat ne blemë kreditë dhe me disa investitorë të tjerë amerikanë. Ne kemi mbështetjen e qeverisë për të zgjidhur disa çështje të komplikuara që kanë mbetur dhe për të rivënë në jetë uzinën”, është shprehur në një deklaratë për mediat Harry Seargent, përfaqësues i kompanisë që po administron ARMO-n, në fillim të shtatorit, kur ai së bashku me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, vizituan ARMO-m për të njoftuar rivënien në punë të saj.
Bankers: Në nëntor fillojmë furnizimin me naftë
Burime zyrtare nga Bankers Petroleum, e cila në fillim të shtatorit njoftoi se kishte rënë dakord të furnizonte me naftë bruto IRTC-në, pohuan për Monitor se ata nuk e kanë filluar ende këtë proces. Pritet që Bankers të fillojë t’i shesë naftë bruto IRTC-së në nëntor, të cilën më pas ai do ta përpunojë në rafineritë e Fierit dhe Ballshit, për të nxjerrë bitum apo naftë të përpunuar.
Albpetrol, sekuestro edhe për 2 miliardë lekë të tjera
Edhe kompania shtetërore prodhuese e naftës Albpetrol në 22 shtator ka kërkuar përmes shoqërisë përmbarimore TDR urdhrin e ekzekutimit ndaj ARMO, për të kërkuar kthimin e shumës prej 2 miliardë lekë. Burime nga Albpetrol pohuan për Monitor se bëhet fjalë për detyrimin e panjohur (kamatë vonesa dhe interesat), për të cilin Albpetrol ka fituar gjyqin në korrik të këtij viti. Ky është gjyqi i dytë që fiton Albpetrol, pas atij të marsit, ku prodhuesi shtetëror fitoi të drejtën për të mbledhur 3.6 miliardë lekë detyrime. Por, ndërsa gjyqi i parë është apeluar dhe çështja është aktualisht në instancën e lartë, i dyti nuk është apeluar, duke i dhënë mundësinë Albpetrol të kërkojë mbledhjen e shumës përmës përmbarimit. Nëse ARMO nuk ka para, kompania i sekuestron asetet.
Nuk është vetëm Albpetrol dhe bankat që kërkojnë të mbledhin detyrimet. Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka kërkuar po në shtator zbatimin e Gjykatës rrethit Fier marrë që në janar 2011 dhe që është lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë në dhjetor 2015 për plotësimin e detyrimit, shifra e të cilit nuk bëhet e ditur.
Më herët (në 7 shtator), zyra përmbarimore Kodra Bailiff Service ka kërkuar për llogari të tregtuesit të naftës FIT-MEK-OIL ekzekutimin e titullit ekzekutiv në mënyrë vullnetare për shlyerjen e detyrimit kundrejt palës kreditore prej rreth 1.28 miliardë lekë (rreth 9 milionë euro).
Neni 605 i Kodit Civil përcakton se prioritet në ndarjen e shumave që përfitohen nëpër ankande kanë punonjesit, tatimet, kompanitë shtetërore (Albpetrol), bankat etj.
Duke qenë se ka dhe një numër të konsiderueshëm kreditorësh të tjerë që kanë tashmë tituj ekzekutivë për shuma që e kalojnë disa herë vlerën e pasurive të ARMO pritet që projekti i ndarjes së shumave që do përfitohen nëpër ankande të krijojë një sërë konfliktesh gjyqësore mes këtyre kreditorëve.
Rivënia në punë e ARMO-s
Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) është kompania që ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Lajmi u bë i ditur më 1 shtator nga prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, që në një deklaratë për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë në fjalë, në bazë të së cilës Bankers do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto te IRTC. Marrëveshja do të bëhet efektive pasi Bankers të marrë miratimin nga Qeveria Shqiptare për programin e propozuar të shpimit të kompanisë për tremujorin e katërt 2016 dhe pas respektimit të amendamenteve për procedurat ndërmjet kompanisë dhe Albpetrol për tërheqjen e pjesën e prodhimit të naftës së prodhuar në Patos-Marinzës që i përket Albpetrol.
Nga Ministria e Industrisë dhe e Ekonomisë nuk ka informacion se në çfarë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë kjo kompani e re me rafinerinë ARMO dhe si do të veprohet me detyrimet e shumta që ka ARMO. (E vërteta e fshehur e ARMO-s!; Ata që e morën referohen nga shtypi amerikan, që mashtruan dhe qeverinë amerikane)
Rafineria ARMO, është një nga kompanitë më problematike në Shqipëri, teksa është kreditori më i madh i vetëm i keq në banka dhe ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve.
Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro. /Monitor/