Përpara se të vinte në pushtet, kryetari i PS, tashmë kryeministër Edi Rama, premtoi se nuk do të bënte veprime si parardhësi i tij. Ai premtoi ndryshim duke nisur që nga eskorta e tij që do të ishte më e vogël e deri tek respektimi i qarkullimit rrugor.
Por mesa duket pushteti filloi të joshë kryeministrin Rama dhe të harrojë ato çfarë kishte nxjerrë nga goja. Sot jo vetëm që e shikon me një eskortë më pompoze, por madje fut në kaos të gjithë qarkullimin e kryeqytetit.
E tillë ishte situata kur kryeministri po kthehej nga një miting përmbyllës që po zhvillonte në qytetin e Dibrës, për zgjedhjet lokale që priten të mbahen atje. Me të hyrë në Tiranë, e gjithë policia e shtetit u angazhua që kryeministri të kishte akset rrugore të lira. Kështu, u bllokua një aksi rrugor “Dritan Hoxha” deri në hyrje të Zogut të Zi, më pas u bllokua aksi deri tek “21-Dhjetori” dhe më pas vijoi drejtimin për në shtëpi, pranë zonës së Surrelit.
Kjo solli një irritim të drejtuesve të automjeteve të cilët duhet të prisnin për më tepër se 20 minuta në trafik në një kohë që kryeministri ende ishte në hyrje të Tiranës.
Edhe pse e kemi parë disa herë kryeministrin duke ecur në këmbë, tashmë duket se kjo i përket të kaluarës pasi arroganca e pushtetit e ka mbështjellë tërësisht Ramën.
Nga Boldnews.al