Ata janë të rinj ekselentë, potencialet e të cilëve mund të shfrytëzoheshin në tregun e punës, në rast se nuk do të largoheshin nga Shqipëria.
Nën aspiratën për të vazhduar studimet e larta në universitet më të mira evropianet, një pjesë e konsiderueshme e maturantëve janë në ditët e fundit e qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Ada Markece është një nga maturantet ekselente të gjimnazit “Sami Frashri” në Tiranë. Ky është kontakti i saj i fundit me klasën dhe takimet me bashkëmoshatarët. Ajo ka aplikuar dhe vendosur të studiojë në Gjermani, duke konsideruar këtë si një ndër investimet më të rëndësishme të familjes së saj.
Markece: Dua të vazhdoj për megatronikë në Universitetin Teknik të Mynihut dhe shpresoj të pranohem. Kam një familje që është shumë e pasionuar pas arsimit dhe gjithmonë ka bërë shumë që ne të arsimohemi jashtë. Të dy motrat kanë studiuar jashtë. Gjatë verës, kam shkuar dhe kam bërë kurse verore jam njohur edhe me universitetin.
Drejt Mynihut të Gjermanisë do të udhëtojë për të vijuar studimet e larta edhe Naila Velcani.
Velcani: Kam zgjedhur Gjermaninë. Janë kushtet si zhvillohet mësimdhënia. Mundësitë e punësimit dhe e ardhmja që është deri diku e siguruar. Do të ndjekë studimet për Mjekësi dhe pas Mjekësisë së Përgjithshme më pas shpresoj për neokirurgji.
Për të, ka një largim më të trishtë, gati në nota zhgënjyese.
Velcani: Mua mi kanë thyer pritshmpritë rezultatet e provimeve të maturës për shkak se rezultatet që kisha, nuk arrita atë çka doja. Në Matematikë prisja rezultate maksimale. Mesatarja ime e tre viteve është 9.5.
Franca është një tjetër vend I zgjedhur nga maturanti Fabi Kenuti, i cili do të studioje informatikë.
Kenuti: Rrugëtimi ka nisur për të ndjekur studimet e larta, ka nisur që me gjimnazin, tani është vazhdimi. Është pjesa më e vështirë. Në Francë është zgjedhja më e mirë dhe më ka dalë përgjigjja. Do të studioj në Lil, në veri të Francës. Do të studiojmë për Informatikë.
Drejtuesja e shkollës “Sami Frashri”, Teuta Dobi investoi kohë, dhe vendosi në gatishmëri të gjithë stafin e mësuesve për të nxjerrë dëftesat dhe për të përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për nxënësit që studiojnë jashtë, në mënyrë që të jenë brenda afateve të pranimit të universitete.
Dobi: Nga 538 maturantë që janë në total, 200 prej tyre kanë aplikuar për të studiuar jashtë shtetit. Pjesa më e madhe ka aplikuar në Gjermani. Ne jemi përpjekur që të dalim në punë edhe të shtunë dhe të diel dhe kemi përgatitur dokumentacionin.
Në nivel kombëtar, autoritetet arsimore numërojnë mbi 6000 maturantë të këtij viti që kanë plotësuar dokumentacionin dhe kanë konvertuar diplomat për vendin ku do të nisin studimet.
Nora Malaj, zv/ministre e Arsimit: Në 42 mijë maturantë, numri 6 mijë nuk është një numër që nuk ka ndonjë fluks të jashtëzakonshëm.
Kur pyet Adën, Nailën dhe Fabin nëse duan të kthehen në Shqipëri, përgjigja është e njëjtë.
Markece: Nuk e di. Situatën që është këtu do të thoja jo dhe nuk e kam në plan. Madje do të tërheqë edhe prindërit.
Velcani: Jo! Jo! Në qoftë se ikën andej dhe bën gjithë atë shkollim, dhe të kthehesh këtu..vendi ynë këtë na ofron.
Kenuti: Të shohim çfarë do të na sjellë fati!
Nëse mijëra shqiptarë zgjodhën azilin për të kaluar kufijtë shqiptarë në emër të një të ardhme më të mirë në vendet evropiane, largimet e të rinjve për studime përbëjnë një mënyrë ndryshe të të ikurit. Ata prekin edhe suksesin arsimor atje./Oranews