Shumë orë pas grabitjes spektakolare të thasëve me euro në aeroportin e Rinasit, Policia ka një angazhim “specifik” për zbulimin e…fajtorëve që lejuan këtë situatë dhe jo të grabitësve.
Prej mesditës së të Enjtes, burime nga Policia e Shtetit “trafikojnë” informacione, sipas të cilave fajin e ka…Policia Private, pavarësisht se këto ditë aeroporti i Rinasit duhet të konsiderohej vendi më i sigurt për shkak të atentateve terroriste në aeroportin e Stambollit, ku vdiqën rreth 50 persona.
Në këtë rast, PR (public relation) i Policisë dhe Ministrisë së Brendshme e ka të vështirë të gjejë përgjegjësin tek “fajtorët e përhershëm”-pra tek gjyqtarët e korruptuar që kanë lejuar kriminelë të lëvizin lirshëm apo te “Saliu që mbushi policinë me barkderrë”.
Për vjedhjen e Rinasit, ku tre persona të armatosur hyn në zemër të pistës, pranë një avioni, Policia e Shtetit deklaron se fajin e ka Policia Private.
Dhe për të mbështetur këtë tezë, shpërndahen mediatikisht informacione jozyrtare. Pasditen e së enjtes, në komunikimin e parë mediatik, nëpërmjet aplikacionit ëhatsapp, Policia u kujdes të shpërndante në inbox-in e telefonave të gazetarëve se “pjesa e aeroportin, nga kanë hyrë grabitësit, ishin nën ruajtjen e një kompanie Security”, e njëjta që kishte për detyrë transportin e parave nga një bankë e nivelit të dytë në drejtim të bordit të avionit.
Por ky variant u shndërrua në një objekt batutash në media dhe rrjete sociale. Pavarësisht ironisë mbi dështimin e masave të sigurisë të ndërmarra nga ana e Policisë pas atentateve në Stamboll, PR i Ministrisë së Brendshme vijon paraditen e së premtes, me të njëjtën logjikë. Sërish me informacione të “trafikuara” nga burime, në televizionet me titra, jepen detaje mbi “dështimin” e kompanisë së Sigurimit Privat. Policia thotë se duhet të ishin 7 policë privatë që të ruanin pjesën e rrethimit të thyer nga grabitësit, por në fakt ishin tre. Po sipas këtyre burimeve, Policia po punon intensivisht për të zbuluar përgjegjësinë e policëve privatë, të cilët nuk kanë reaguar gjatë grabitjes.
Pra, i gjithë angazhimi policesk është që të heqë përgjegjësitë e saj nga vjedhja spektakolare. Asgjë nuk thuhet për grabitësit, asgjë për shumën e parave. E rëndësishme është që të krijohet bindja se Policia nuk ka faj në grabitje.
Por në fakt, kjo është një ndërmarrje e vështirë dhe kjo nisur nga detajet e deritanishme mbi vjedhjen dhe çfarë e ka paraprirë atë.
– Të mërkurën, një ditë pas atentateve në Stamboll dhe një ditë para grabitjes spektakolare, Policia e Shtetit u kujdes të publikonte masat e marra prej saj për sigurinë në aeroportin e vetëm të Shqipërisë, atë të Rinasit. Pavarësisht se nuk ka pasur asnjëherë ndonjë rrezik të qënësishëm për atentate terroriste ndaj Shqipërisë, sërish është e rëndësishme që masat të merren dhe kjo është për t’u vlerësuar.
Megjithatë, deklarimi me bujë i këtyre masave, më shumë se sa për të krijuar bindjen se shqiptarët janë të sigurt në daljen e tyre nga porta e vetme ajrore, kishte lidhje me dëshirën për faktorizim të Ministrisë së Brendshme.
– Në pamjet filmike të transmetuara për masat e rritura të sigurisë, kamerat me regji qëndrore u kujdesën që krijonin bindjen se i gjithë perimetri i aeroportit ishte nën kontrollin e rreptë të forcave policore. Madje, detaj i rëndësishëm në kronikat televizive ishte prania e qenve të stërvitur, të cilët, mesa duket, zëvëndësojnë më së miri efikasitetin e forcave të policisë.
– Mesditën e së mërkurës, tre persona, të maskuar dhe të armatosur, çajnë rrethimin anësor të aeroportit, udhëtojnë rreth një kilometër në brendësi të pistës, aty ku gjendeshin dy mjete që po ngarkonin para nga një bankë e nivelit të dytë në bordin e avionit. Nën kërcënimin e armëve, grabitësit neutralizojnë transportuesit e parave, rrëmbejnë dy thasë me para, qëllojnë në ajër për të frikësuar të pranishmit, hipin sërish në makinën e tyre, dalin nga e njëjta portë nga hynë dhe largohen me shpejtësi.
– Të gjitha këto veprime kanë marrë rreth 10 minuta kohë, ndërkohë që përgatitja dhe hyrja në pistën e aeroportit ka kërkuar edhe më shumë kohë. Gjithësesi, kjo hapësirë kohore nuk ka qenë e mjaftueshme që të kuptohet nga forcat e Policisë së Shtetit, të cilat janë të kudogjendura në këto ditë në aeroport. As qentë e stërvitur nuk arritën të kuptonin se po kryhej një vjedhjes spektakolare në qendër të pistës, në kohën që avioni ku po imbarkoheshin paratë dhe në të cilin gjendeshin pasagjerë, po bënte përgatitjet e fundit për t’u nisur në fluturim.
– Për këtë situatë, Policia e ka përgjigjen e saj; kompania private nuk e ka raportuar ngjarjen. Në fakt, është shumë e vështirë që punonjësit e kompanisë, të cilët nuk lejohen të jenë të armatosur në atë pjesë të aeroportit, nën kërcënimin e armëve të grabitësve, të kishin mundësinë që të raportonin policinë. Pasi, kjo e fundit aty ishte dhe ndoshta duhet ta kishte kuptuar se, nën masat e rrepta të tyre të sigurisë, tre persona grabitës dhe aventurierë, realizuan një goditje spektakolare.
– Pas ngjarjes, në rrjetet sociale dhe mediatike, qarkullonte një psherëtimë lehtësuese: “Mirë që ishin vetëm grabitës dhe jo terroristë”