Çfarë ndodhi në maj 1998. Cila ishte prapaskena që solli vrasjen makabre të Konushevcit dhe mjekut Malaj. Cili ishte fati i vëllezërve Demiraj. Raportet e forcave në Tiranë dhe Tropojë, prania e kudondodhur e spiunazhit serb dhe një letër e Ilir Konushevcit
Nga Bedri Islami
Në fillimin e majit të vitit 1998, kur gjërat që lidheshin me forcimin e strukturave të ushtrisë Çlirimtare të kosovës,ishin në pikun e vlimit, rrugës për në Tropojë, në një pritë të mirëorganizuar, u vranë dy nga drejtuesit kryesorë të strukturave të logjistikës, Ilir Konushevci, Hero i Kosovës, i njohur me emrin “Mërgimi”, si dhe mjeku atdhetar Hazir Malaj, burrë i shquar, i vënë krejtësisht në shërbimin e luftës për lirinë e Kosovës. Në fakt, duhet thënë që në fillim se, mjaft nga familjet e nderuara të Malësisë së Gjakovës, që nga mesi i vitit 1995, pa pyetur askënd, kishin vënë gjithçka në dobi të luftës në Kosovë de ishin bërë kështu pararendësit e asaj që do të ndodhte disa vite më vonë. Familje të njohura si e Sulejman Krasniqit me djemtë, Haklajt, Haxhiajt, Sulejman Berisha e shumë të tjera u bënë strehë për lëvizjen ilegale çlirimtare. Ashtu si ndodhi edhe e kundërta; disa nga farat e hidhura të kësaj treve u bënë bashkëpunues të shërbimit të fshehtë jugosllav dhe i shitën ose i vranë djemtë që kërkonin lirinë e vendit të tyre dhe bashkimin me shtetin amë, Shqipërinë.
Në një shkrim krejtësisht të saktë të para pak ditëve, Izet Haxhia sillte në vëmendje se në vrasjen e Ilir Konushevcit organizatori dhe vrasësi kishte qenë Bislim Demiraj, i lidhur ngushtë me strukturat e shërbimit të fshehtë serb, por njëkohësisht edhe i afërt me rrethin e ish presidentit Berisha.
Duke qenë e saktë, nuk është e gjitha. Në vrasjen e Ilir Konushevcit nuk ishte vetëm njëri vëlla, por të dy vëllezërit e gjykatëses së sotme, Shefkie Demiri. Ishte Agimi, i kthyer nga jashtë dhe Bislimi. Në shënimin e tij, zoti Izet Haxhia shkroi atë që duhej shkruar dhe që në njërin nga librat e mi, “Enigma e një vrasjeje të trefishtë” e kam cilësuar si vrasja që kërkonte të priste krahët e luftës në Kosovë.
Bislim dhe Agim Demiraj nuk e zgjodhën rastësisht Ilir Konushevcin për të bërë vrasjen e tyre në thyerjen e mesnatës. Ajo vrasje, sa ishte e porositur, aq ishte edhe e planifikuar deri në detaje, nga njerëz të cilët, pasi ia kishin shpirtin dreqit, që do të thotë shërbimit sekret serb, kishin marrë përsipër më shumë se një vrasje të zakonshme.
Ilir Konushevci është njëra ndër figurat më madhore të luftës në Kosovë. Së bashku me Luan Haradinajn, i njohur si “Adriani”, me Adrian Krasniqin, i njohur si “Adi”, me Qerim Kelmendin, i njohur si “Dema”, me Ramush Haradinajn, i njohur si “Smajli”, me Hashim Thaçin, i njohur si “Studenti”, me Kadri Veselin, i njohur si “Luli”, e shumë të tjerë, do të jenë buka e UÇK-së, pra njerëzit që përmes një mijë e një vështirësive dërgonin mjetet e logjistikës në Kosovë. Këtë e bënin edhe kur dëbora kishte zënë të gjitha shtigjet, por edhe në stinët e tjera dhe nuk ishte e lehtë. Pas nëntorit të vitit 1997, kur nuk jetonin më, pasi ishin vrarë në përleshje Luan Haradinaj dhe Adrian Krasniqi, e gjithë barra ra mbi shpatullat e grupit të drejtuar nga Ilir Konushevci. Si njeri nga krijuesit e Grupit të Llapit, vazhdues në komandë i Zahir Pajazitit, njeriu që ishte më i besuari jo vetëm në atë trevë, vrasja e tij ishte imediate për strukturat e lidhura me krimin politik, sidomos me strukturat e lidhura me shërbimin e fshehtë serb.
Arsyeja e parë e vrasjes ishte pikërisht kjo: Mbyllja e një rruge të rëndësishme të luftës dhe krijimi i ndjenjës së frikës dhe të presionit mbi vazhdimin e saj.
Arsyeja e dytë, gjithnjë e lidhur me shërbimin e fshehtë serb, ishte që në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të krijohej mendimi politik dhe të kishte përplasje me strukturat e shtetit shqiptar, duke krijuar mendimin se pas vrasjes qëndron pikërisht shteti shqiptar. Në fakt, asaj kohe ishte arritur një marrëveshje e heshtur mes shtetit shqiptar dhe trupës drejtuese të luftës për të bërë bashkëshoqërimin e mjeteve të logjistikës drejt veriut, ku ishn bazat e UÇK-së. Edhe asaj nate, në mjetet me logjistikë ishte një oficer i shërbimit informativ, i cili, sapo plasi pushka e parë ia mbathi dhe nuk dihet se ku e ndali vrapin. Maji i viti 1998 kishte ende tensione të tjera mes forcave policore të shtetit shqiptar, shumë nga të cilët ishin të afirmuar si berishianë, por edhe të tjerë, si nanoistë, të cilët ardhjen e mijra njerëzve nga Kosova në Shqipëri për tërheqjen e armatimit kërkonin ta ndalonin. Vrasja e Ilirit do i hidhte benzinë këtij zjarri që mund të ndizej.
Arsyeja e tretë qëndron në linjën e krijuar nga forcat e Azem Hajdarit për të ndaluar lëvizjen e strukturave çlirimtare, duke e paraqitur Tropojën si një bastion vetëm të tij. Në pasditen e 8 majit, pra të ditës së vrasjes, vëllezërit Bislim dhe Agim Demiraj janë takuar me Azem Hajdarin në një lokal pas Piramidës. Lokali ishte i një shqiptari të Kosovës, i njohur për lidhjet e tij me UDB-në. Pas bisedës së tyre, e cila, thënë të drejtën, nuk dihet se çfarë teme ka pasur, dy vëllezërit janë nisur drejt Tropojës për të organizuar pritën. Por, afërsisht në të njëjtën kohë, përmes lidhjeve me qeverinë Bukoshi, Azem Hajdari kishte marrë një shumë tepër të madhe nga ministria e Mbrojtjes të drejtuar nga zoti Krasniqi. Ilir Konushevci ndërkohë, krahas të tjerëve, kishte krijuar lidhje edhe me fisin e Haklajve, sidomos me Hamdi dhe Fatmir Haklajn, i cili fshehtas shtetit, ndihmonte me logjistikë edhe UÇK-në. Vrasja e Ilirit nga vëllezërit Demiraj ishte njëkohësisht edhe hakmarrja e Azem Hajdarit dhe grupit të tij ndaj gjithë atyre që në Tropojë ishin bashkuar me UÇK-në.
Nuk ishte një vrasje e cilësuar si hakmarrje ose për të prishur pazarin e tregtisë së armëve, si është bërë iluzion herë pas here.
Prita është organizuar në një qafë mali, pas orës një të natës, pikërisht në një kthesë, në të cilën kamioni i ngarkuar do të ecte tepër ngadalë e po ashtu edhe makina shoqëruese, ku ishin Iliri dhe mjeku Hazir Malaj. Drejt pritës është qëlluar drejtpërsëdrejti, pa asnjë paralajmërim, pasi duke i ndjekur, e kanë ditur mirë se me cilët kanë të bëjnë. Duke qenë një luftëtar i sprovuar, pjesë e disa aksioneve në Kosovë, Ilir Konushevci u është përgjigjur menjëherë dhe nga shkëmbimi i zjarrit, veç mjekut Hazir Malaj, është vrarë edhe Agim Demiraj, i cili kishte ardhur posaçërisht për këtë vrasje. Grupi i drejtuar nga Bislim Demiraj, jo thjesht për hakmarrje, por sepse ashtu e kishin urdhërin, pasi kanë qëlluar disa herë dhe e kanë plagosur Konushevcin, e kanë tërhequr në pyll dhe kanë bërë tmerr në trupin e tij, duke e kthyer vrasjen në fundin e një torture të gjatë. Ata, pas vrasjes nuk kanë marrë nga trupi i tij asnjë nga mjetet monetare që ka pasur me vete dhe as nuk kanë shkatërruar mjetet logjistike. Pra, gjithçka ishte e përgatitur si një vrasje politike dhe u bë një vrasje politike.
Disa ditë më vonë, Fatmir Haklaj, duke mësuar për ngjarjen dhe njerëzit që kishin marrë pjesë në vrasjen e Ilir Konushevcit dhe të Hazir Malajt, bën vrasjen e Bislim Demirajt.
Kush qëndron pas dorës së tyre?
Është e qartë se shërbimi sekret serb, i njohur si UDB dhe njerëzit e saj në Shqipëri. Për disa kohë është folur për një telefonatë, një natë para ngjarjes, telefonatë e ardhur nga larg, që caktonte shumën që duhej për një vrasje, e kjo mund të jetë njëra ndër pistat e kërkimit të së vërtetës. Zërat nga larg, herë herë të njohur, e herë herë të panjohur, nuk shfaqen për herë të parë në historinë e politikës sonë në dekadat e fundit.
Periudha e vrasjes së Ilirit është edhe njëra nga pikat kyçe, kur në strukturat e luftës kishte zhvillime të ndjeshme dhe, pse të mos cilësohet, figura e Ilirit u bënte hije shumë vetëve që donin veten në pamjen e parë.
Disa muaj para vrasjes së tij, Ilir Konushevci u ka dërguar një letër Shokëve të tij të Idealit në diasporë, strukturave drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Është letra e një militanti, që mbi veten e familjen e tij, kishte vënë luftën në Kosovë.
Për të pasur njohuri më të gjëra rreth mendimit të tij dhe të vërtetës rreth letrës, po botojmë thujase të plotë përmbajtjen e saj…
*****
LETRA E ILIR KONUSHEVCIT
Më 18.XI.1997
Pranojnë: Shokët e idalit në diasporë
Në vend të përshëndetjes, dy fjalë për shokët e mi të ngushtë, Zahir Pajazitin dhe Adrian Krasniqin.
Për të folur për këto dy burra automatikisht flet për një pjesë të madhe të Lëvizjes revolucionare ose të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë jam shumë me fat që kam pasur rastin që të rri dhe të punoj me to.
Zahiri ishte një trim i madh dhe shumë i rrallë; atentator i shkëlqyer që nuk i trembej syri nga asgjë. Me punën e tij, unë mendoj që i vuri themelet UÇK-së. Ai i ngjalli ndjenja popullit në Kosovë dhe në diasporë, ngriti moralin të gjithë njerëzve, të cilët nuk përkulen para armikut. Ndërsa atyre që përulen i futi tmerrin në palcë.
Adriani arriti që me angazhimin e tij të masivizojë në mënyrë indirekte UÇK-në. Puna e Adrianit është ajo, e cila nuk i shkoi shumëkujt për dore. Ai nuk u kënaq vetëm me këtë punë të shenjtë që bënte, të cilën e vlerësojnë të gjithë shokët, por donte që vetë të merrte pjesë në aksione konkrete, ku edhe dha jetën heroikisht.
Deshën apo nuk deshëm, po të bëjmë një analizë të punës së Zahirit dhe të Adrianit del se këta i vunë themelet aktivitetit të UÇK-së, prandaj ne na mbetet që të vazhdojmë veprën e tyre deri në çlirimin definitiv.
Po e shkruaj këtë letër, vellezër, duke analizuar disa nga ato gjëra, të cilat i ka vu re, me të vetmin qëllim që, së bashku, të angazhohemi në drejtim të lëvizjes e jo të ngecjes së luftës kundër armikut.
Unë gjendem në Shqipëri që nga shkurti i këtij viti. Nga këto 9 muaj, 2.5 muaj i kam kaluar në Kosovë, prandaj mendoj se i njoh në një masë rrethanat në Kosovë, në Shqipëri e shumë pak në diasporë.
Prandaj ndjej obligim moral që të ju njoftojqë të ballafaqoheni edhe ju me disa probleme dhe ngecje, të ciat mendoj se do të ndihmojnë në tejkalimin e situatës.
Unë do të përqëndrohem në disa pyetje, të cilave do t’i përgjigjem unë, sipas mendimit tim, kurse juve ju mbetet t’i shqyrtoni, ashtu si është më së miri.
Si bëhet organzimi i luftës guerile në Kosovë dhe a mund të jemi më të organizuar në këtë luftë?
Si bëhet financimi i luftës në Kosovë?
A janë të përfshira të gjitha territoret e okupuara nga njësitë tona guerile?
A ka një njeri apo grup njerëzish, të cilëve u binden të gjithë ushtarët dhe udhëheqësit e njësive?
Mendimi im është se, po qe se arrijmë t’i zgjidhim këto probleme, atëherë do të kishim një ushtri të mirëfilltë dhe profesionale, e cila do të arsyetonte afirmimin, i cili është arritur edhe me punën tuaj në diasporë.
Si bëhet organizimi i luftës guerile në Kosovë dhe a mund të jemi më të organizuar në këtë luftë?
Përgjigja është fare e shkurtër: organizimi në nivel të Kosovës bëhet në mënyrë kaotike dhe jo profesionale.
Nuk dua të futem në hollësira për të argumentuar këtë (po qe se është nevoja kam shumë argumenta), por do të ndalem në atë se çfarë duhet të bëjmë.
Për një të ardhme të afërt mendoj se duhet të jepni vërejtje dhe sugjerime.
Për një të ardhme të largët, apo sa më parë, të gjejmë një Njeri ose një grup njerëzish, të cilët e njohin artin e luftës guerile dhe të luftës në përgjithësi.
Vetëm atëherë mendoj se do të kemi një ushtri profesionale, e cila do të vepronte me përpikmëri në momentet dhe në vendet e duhura.
Si bëhet financimi i luftës guerile në Kosovë?
Financimi i kësaj lufte në Kosovë bëhet jo mirë, gjithnjë e ceku sipas mendimit tim Unë u kam tërhequr vërejtjen shokëve në Kosovë, që kanë pasur kontakt me mua, për vendimet të cilat i kishin marrë gabimisht, si për shembull:
-mjete të tjera nuk u jepen njësiteve pa kryer aksion,
-ndarja e mjeteve anetarëve të familjeve të ushtarëve të vrarë nga 400 DM çdo gjashtë muaj…
Unë mendoj se financimi, ose më mirë të thuhet, ndihma financiare që duhet t’u jepet njësiteve guerile ose Ushtrisë nëpër rrethe duhet të jetë kështu:
Çdo rrethi, ose “fshati të çliruar”, si për shembull Prekazi, etj, duhet të ketë shumën fillestare, pastaj të vlejë edhe kriteri se kush angazhohet më tepër “në punë”.
Unë, në rrethin ku veproj, e kam cekur këtë dhe kam gjetur mirëkuptim, kur në nivel të Kosovës, jo.
Në rrethin ku kam vepruar dhe veproj herë pas here kemi arritur në një organizim në një masë të mirë. Në mbledhjen e fundit të saj ( ekzistojnë disa përsona udhëheqës ose shtabe lokalë) u morën dy vendime:
1.Financimi i këtij rrethi të bëhet në mënyrë direkte nga diaspora.
2.Që të emërohet në Shtabin Qendror të UÇK-së një anëtar nga ky rreth pas vdekjes së Zahir Pajazitit.
Ne jemi mirënjohës ju shokëve që vendimin tonë të parë po e zbatoni dhe sugjeroj që ky vendim të zbardhet për deri sa të konstatojmë se Shtabi ka kaluar në një shkallë më të lartë të organizimit.
Sa i përket pikës së dytë, unë e di shumë mirë që nuk janë të përfshira në shtab shume rrethe, për shembull, Llapi, Deçani, Gjakova, Ferizaj, etj.
Nuk dua të flas për rrethe të tjera, por rrethi i Llapit ka afruar anetarin e saj, siç shihet në pikën e dytë, dhe për habi, refuzimi është bërë për një minutë, pa u konsultuar refuzuesi me askënd. Prape nuk do të futemi në hollësira.
A janë të përfshira të gjitha territoret e okupuara nga njësitë tona guerile?
Me keqardhje konstatoj se nuk janë të përfshira një pjesë e madhe e territoreve të Kosovës. Afërsisht rreth 40 për qind e teritoreve të Kosovës nuk janë të përfshira, për shembull, Mitrovica, Gjilani, Prizreni, Kamenica si dhe shumë pjesë. Pjesë të rretheve të ndryshme.
Mendoj se puna më e madhe e anetarëve të Shtabit Qendror duhet të ishte në masovizimin dhe shtrirjen në gjithë tereitorin e Kosovës, Kosovës Lindore dhe në Maqedoni, pastaj, në futjen e antarëve të rinj në Shtabin Qendror, e jo si deri më tash që është në një rreth të ngushtë dhe i vetkënaqur; dhe, jo si ndodhi kohët e fundit që angazhimi i disa anetarëve të Shtabit të Kosovës të shtrihet në Shqipëri, ku, pothuajse gjithçka ka funksionuar për mrekulli dhe ku janë arritur rezultate të cilat i kanë çmuar të gjithë shokët në Kosovë.
Duke cekur edhe një herë qëllimin e kësaj letre, ju tregoj se punët në Shqipëri deri më sot kanë vajtur shumë mirë, por me disa lëshime të disa personave.
Unë besoj se shpejt do i mënjanojmë këto lëshime, kushtimisht lëshime, sepse mund të ketë edhe gabime, por secili duhet të përgjigjet për punën që bën. Secili duhet të përgjigjet për atë çka bën injorime, a bën shoqëri të ngushta, të cilat, për mendimin tim, janë të dëmshme, sepse ne kemi një ideal të përbashkët. Vetëm ai që e çon punën përpara, duhet përkrahë.
Dhe, si përfundim, kjo është një Letër vërejtje (Kam edhe shumë lëvdata për ushtarët tanë, por mendoj se është shumë herët për ato).
Dëshiroj që ushtrinë Çlirimtare të Kosovës askush të mos e marrë si pronë private.
Ju përshëndes nga zemra
Ushtari i UÇK-së, “Mërgimi”.