Administratorit të njësisë administrative të Farkë, Mateo Shabas, i është “klonuar” adresa në rrjetin social facebook. Ai ka bërë një kallëzim penal në polici, pasi pretendon se në emër të tij, persona të tjerë kanë mashtruar disa persona, duke u premtuar vende pune.
Bold News ka siguruar një vendim të Gjykatës së Tiranës, e cila detajon të gjithë historinë, ndërsa mësohet se prokuroria i ka kërkuar informacione edhe “Facebook”-ut. Sipas vendimit, Shaba, me funksion administrator pranë Njësisë Administrative, Farkë, ka kallëzuar disa persona të panjohur që kanë krijuar një profil në rrjetin social “Facebook”, emërtuar “Ergi Sina”, me adresë https://www.facebook.com/ergi.sina.161, duke publikuar foto të kallëzuesit, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike.
Personi i panjohur, gjatë bisedave me mesazhe në rrjetin social “Facebook” të kryera me miqtë e kallëzuesit, është paraqitur sikur të ishte shtetasi Mateo Shaba, duke dhënë të dhëna personale të tij, madje duke ofruar vende pune pranë institucionit ku vetë i dëmtuari punon. Mësohet se Shaba, prej vitit 2010 ka hapur një profil në rrjetin social “Facebook”, emërtuar “Mateo Shaba”, në të cilën ka të publikuara foto të tij.
Në datë 7 mars 2016, një e njohura e tij, e quajtur Dorela Paluca e ka kontaktuar dhe e ka vënë në dijeni lidhur me ekzistencën e një profili në rrjetin social Facebook” emërtuar “Ergi Sina”, në të cilat ishin të publikuara foto të tij.
Gjithashtu i ka thënë se ky profil i kishte dërguar mesazh në profilin e saj në rrjetin social Facebook emërtuar “Dorela Paluca” dhe i kishte folur në emër të kallëzuesit, duke i ofruar vende pune si dhe duke i kërkuar takim. Kallëzuesi, thuhet në vendim, ndihet i shqetësuar për shkak se është person publik dhe keqpërdorimi i imazhit mund të ndikojë në jetën e tij profesionale dhe private.
Në deklarimet e dhëna më 11 mars 2016, shtetasja Dorela Paluca, ka parashtruar se prej vitit 2012, ka në administrim një profil në rrjetin social Facebook me emrin e saj “Dorela Paluca”. Më datë 07.03.2016 rreth orës 11:00 në profilin e saj të Facebook-ut i ka ardhur ftesë për miqësi nga një profil i emërtuar “Ergi Sina” ku si foto profili dhe kopertinë ishin të vendosura foto të shokut të saj, kallëzuesit Mateo Shaba.
Paluca deklaron se ka njohje personale me Shabën, por nuk janë miq në rrjetin social “Facebook”. Ajo e ka pranuar ftesën e miqësisë, me qëllim për të parë se cili person ishte në të vërtetë. I ka dërguar mesazh dhe nga bisedat që kanë realizuar personi që dispononte adresën e Facebook-ut emërtuar “Ergi Sina” e ka siguruar se ishte i njëjti me atë të shfaqur në foto.
Gjatë bisedave që kanë kryer, ky person është shtirur sikur ishte shtetasi Mateo Shaba, duke i dhënë të dhëna personale të tij, madje i ka ofruar punë si sekretare pranë institucionit ku prezantohej që punonte.
Dorela Paluca i ka kërkuar që të takohen, por ai nuk ka ardhur në takim. Menjëherë pas komunikimeve me mesazh në rrjetin social facebook, Dorela Paluca ka telefonuar shokun e saj, kallëzuesin Mateo Shaba duke e vënë në dijeni për sa kishte ndodhur.
Gjatë veprimeve të para hetimore është realizuar këqyrja e të dhënave kompjuterike në internet. Prokuroria i kërkoi gjykatës marrjen e të dhënave kompjuterike lidhur me veprën penale objekt hetimi,konkretisht të dhënat e regjistrimit te profilit https://www.facebook.com/ergi.sina.161.
Kjo kërkesë bazohet dhe në Konventën e Budapestit, ratifikuar me ligjin nr. 8888, datë 25.4.2002 “Për Ratifikimin e Konventës për krimin në fushën e kibernetikës” dhe listën e shteteve të cilat kanë ratifikuar këtë akt, në të cilën rezulton se dhe SHBA e ka ratifikuar.
(Boldnews)