Tahiri reagon kundër Kryeprokurorit

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka reaguar kundër deklaratave të Kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ky i fundit u shpreh pak ditë më parë në Washington se qytetarët i drejtohen Prokurorisë, pasi nuk kanë besim tek policia.

Sipas Tahirit njerëzit e kanë rritur besimin tek policia, krahasuar me dy vite më parë.

“Njerëzit e kanë rritur besimin tek policia. Njerëzit kanë më shumë besim se para 2 vitesh”- ka deklaruar Tahiri gjatë aktivitetit “Java e Sigurisë Rrugore”.

Më poshtë keni fjalën e plotë të Ministrit të Brendshëm.

 

Pyetje: Zoti Tahiri, lidhur me lajmin mbi arrestimin e Taulant Alibeaj (vëllai i zotit Enkelejd Alibeaj), a keni marrë informacion nga autoritetet gjermane për këtë shtetas?

 

Ministri Tahiri: Unë nuk jam i autorizuar të përgjigjem për këtë pyetje, për sa kohë me të merret Policia. Gjithsesi, ju ftoj t’i adresoheni zyrtarisht Policisë për këtë informacion. Dhe jam shumë i bindur që Policia do përgjigjet në përmasën që është e lejuar – dhe kjo për shkak të natyrës së çështjes. Edhe ata që kanë dalë e janë prononcuar publikisht për motive politike lidhur me këtë çështje, mund të kërkojnë informacion zyrtar në Polici. Dhe besoj Policia do kthejë përgjigje. Unë nuk mund të përgjigjem për këtë.  

Pyetje: Z. Tahiri dhe një pyetje tjetër, Prokurori i Përgjithshëm më 1 prill deklaroi nga Ëashington se qytetarët besojnë vetëm te Prokuroria dhe shumicën e kallëzimeve i bëjnë në Prokurori. A ndani të njëjtin mendim me Prokurorin e Përgjithshëm z. Llalla?

Minsitri Tahiri: Gjithsesi duhet të pyesni z. Lllalla për këtë. Bashkëpunimi është shumë i mirë.  Unë mendoj se nuk ka rëndësi ku shkojnë qytetarët të bëjnë denoncimin. E rëndësishme është që ligji të vlejë i njëjtë për të gjithë dhe ata që shkelin ligjin të dënohen. Paskëtaj, mbi shifra konkrete dhe besimin e qytetarëve, pyesni qytetarët dhe ju japin përgjigje.

Pyetje: A besojnë qytetarët te Policia?

Ministri Tahiri: Policia sot është institucioni më i besuar – në krahasim të paktën me ç’ishte kur e gjetëm (një ndër tre institucionet më të korruptuara në vend). Ne kemi bërë një punë kolosale për ta pastruar nga të gjithë ata që kishin përkeqësuar imazhin e Policisë së Shtetit dhe kishin dëmtuar besimin e qytetarëve tek ajo. Takimi i sotëm me fëmijët është një ndër takimet që kemi bërë gjatë kësaj kohe. Do vazhdojmë akoma më shumë, sepse ne realisht mendojmë se investimi më i mirë shkon për fëmijët: te edukimi i fëmijëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të respektojnë ligjin. Ky është investim shumë i më i kollajtë sesa investimi për të rriturit, të cilët kanë edhe traditën apo kulturën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor për shkaqe nga më të ndryshmet. Janë dhe më të vështirë për t’u edukuar. Ndaj ju bëj dhe ju thirrje: çdo mundësi për të edukuar fëmijët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe ligjin në tërësi, është mundësia jonë e artë për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë nesër.

LEXO EDHE  Rama sulme personale ndaj Metës: Ta tha mirë vajza, mos pi shumë!

Pyetje: Z. Tahiri në lidhje me projektligjin “Për masat shtesë për sigurinë”, kemi parë ditët e fundit që PAMECA dhe institucione të tjera kanë qenë kundër. Do ketë ndryshime në këtë projektligj? Do hiqni dorë?

Ministri Tahiri: Jo, janë të pavërteta informacionet që kanë dalë. Projektligji është hartuar me partnerët ndërkombëtarë, me grupet e interesit. Në media kam parë të qarkullojë një draft paraprak të vërejtjeve të PAMECA-s, më duket dhe ICITAP-it. Gjë që është tërësisht normale, sepse në një proces pune shkëmbehen draftet dhe vërejtjet. Pastaj të gjitha janë të reflektuara dhe është kollaj t’i verifikoni dhe ju. E rëndësishme është që me projektligjin për Sigurinë Publike të ecim përpara. Ju e dini ndoshta shumë më mirë se kushdo tjetër që kamerat e sigurisë, masat e tjera shtesë të sigurisë të parashikuara për shkollat, kopshtet, lokalet e natës, njësitë e biznesit dhe për rrugët publike, të gjitha këto janë masa që parandalojnë ose i reduktojnë ngjarjet kriminale. Ka kaluar Europa vite më parë në këtë rrugë, ne nuk po shpikim rrotën. I gjithë debati që po bëhet është një debat besoj i paarsyeshëm. Gjithsesi, ne jemi të gatshëm të ulemi me këdo që ka diçka për të na thënë në lidhje me këtë ligj. Ne do të ecim përpara me miratimin e tij duke marrë përsipër të shikojmë çdo vërejtje dhe çdo sugjerim, por ama jetën e fëmijëve tanë në shkolla, në kopshte, jetën e qytetarëve, jetën e të rinjve në lokale, jetën e sipërmarrësve, ne nuk mund ta lëmë në dorën e të gjithë atyre që kanë ndërmend  të bëjnë politikë edhe kur vjen puna te siguria.

Pyetje: Viti 2016 ka pasur një sërë vrasjesh të tipit mafioz, jo më larg se ditën e sotme. Ndërkohë nuk kemi asnjë ngjarje të zbardhur, person të identifikuar. Dhe duket se është bërë paksa e modës kjo e vrasësve me pagesë ndërkohë që asnjë prej tyre nuk është arrestuar. Saga e hakmarrjeve në Elbasan vazhdon ndërsa nga Policia apo Ministria nuk kemi asnjë sqarim…

Ministri Tahiri: Reagimi është ai që ka bërë Policia. Ngjarja ndodhi sot. Prisni që Policia të punojë të paktën. Policia po bën punën, do të vijojë të bëjë punën. Çdo ngjarje është marrë shumë seriozisht dhe do të bëjmë maksimumin për të zbardhur dhe për të çuar para drejtësisë autorët e çdo ngjarjeje. Mos harroni: Shqipëria sot është një vend shumë herë më shumë i sigurt se Shqipëria që gjetëm  në vitin 2013 kur morëm detyrën. Shifrat dhe statistikat janë aty. Ata që donin të bënin politikë me shifrat dhe statistikat e gjetën mënyrën duke i interpretuar e duke gjetur lloj-lloj artificash për të mos e lënë Shqipërinë të jetë më e sigurt. Dhe për të mos lënë qytetarët të besojnë se Shqipëria mund të jetë më e sigurt atëherë kur Policia, institucionet dhe qytetarët bashkohen të gjithë bashkë për të ndërtuar qytete më të sigurta në Shqipëri.



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here