Nepotizmi në Bashkinë e Pogradecit, kryetari punëson familjarët

Eduart Kapri, ish-kryebashkiaku i Pogradecit

Kryetari i Bashkisë Pogradec Eduart Kapri ka emëruar të afërm të tij në poste kyçe në administratën vendore duke shpërfillur shqetësimet për nepotizëm.

Nëpër kafenetë e Pogradecit mërmëritet që kryetarin e bashkisë nuk mund ta takosh pa marrë më parë aprovimin e Ermir Pashollarit.

Djaloshi që nuk i ka mbushur akoma të tridhjetat mban mbi supe postin e shefit të kabinetit të kryebashkiakut Eduart Kapri. Pashollari është gjithashtu baxhanaku i kryetarit të bashkisë.

Rasti i Pashollarit nuk është i izoluar në administratën e bashkisë Pogradec. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që pas zgjedhjes si qytetar i parë i qytetit juglindor, Kapri ka emëruar një numër të afërmish dhe familjarësh në administratën e bashkisë, apo të ndërmarrjeve publike që varen prej saj.

Emërime të tilla janë në kundërshtim me ligjin, megjithatë kryebashkiaku nuk duket i shqetësuar, duke thënë që të afërmit e tij meritojnë një mundësi për tu bërë pjesë të administratës publike.

“U ofrova një mundësi, por kjo nuk është afatgjatë,” u shpreh ai. “Edhe sikur unë të dua nuk mundem sepse i bie pastaj që unë të merrem me punën e çdo njërit aty,” Kapri shtoi.

Eduart Kapri ishte nga të paktët kandidatë të Aleancës Popullorë për Punë dhe Dinjitet, APPD – të udhëhequr nga Partia Demokratike, që arriti të triumfonte në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015.

Gjatë këtyre zgjedhjeve opozita arriti të merrte drejtimin e vetëm 15 nga 61 bashkitë e reja, të cilat dolën nga reforma territoriale-administrative e vitit 2014.

Kapri u zgjodh në krye të bashkisë Pogradec duke siguruar 50.93 për qind të votave kundrejt rivales së tij Diana Mile të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila mbështetej nga Aleanca për Shqipërinë Europiane.

Në zgjedhjet për këshillin bashkiak, Aleanca për Shqipëri Europiane arriti të merrte dyfishin e votave të APPD-së.

Rezultati i dobët i Diana Miles në proporcion me votat e koalicionit, prodhoi pretendime nga Lëvizja Socialiste për Integrim se në Pogradec u bë një “pazar’ me votën, duke e akuzuar në mënyrë indirekte Partinë Socialiste se kishte mbështetur kandidatin e opozitës.

Përpara se tu zgjidhte si kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, Kapri ka shërbyer si Kryetar i Këshillit Bashkiak në Pogradec, i zgjedhur nga Partia Socialiste.

Në një intervistë për BIRN gjatë fushatës elektorale Kapri u shpreh që në rast të zgjedhjes së tij në krye të bashkisë, menaxhimi i burimeve njerëzore do të mbështetej vetëm në aftësitë profesionale.

“Teknicienët mbeten teknicienë, nuk kanë ngjyra politike, partiake, do të vazhdojnë të jenë pjesë e mekanizmit shtetëror, mes eksperiencës që mbartin,” ai tha.

“Njerëzit e aftë të administratës publike do të jenë me mua dhe pranë Bashkisë, për të bërë më të mirën për banorët, në një prej Bashkive më të bukura në Shqipëri,” tha Kapri në atë atë kohë.

Megjithatë, pas ardhjes në krye të bashkisë ai e ka ndërruar një pjesë të administratës dhe në disa pozicione kyçe ka emëruar familjarë dhe të afërt, të cilët nuk i përmbushin standardet e larta që Kapri kishte shpallur gjatë fushatës.

Luan Pashollari – babai i baxhanakut dhe shefit të kabinetit të kryetarit të bashkisë, është sot në krye të zjarrfikësve, i emëruar sapo ky shërbim i kaloi në varësinë pushtetit vendor.  Përpara se të emërohej në krye të zjarrfikësve të qytetit, Luani ka shërbyer në policinë e shtetit – nga e cila u larguar në vitin 2006 për mungesë të arsimit përkatës.

Mundësi punësimi në një post të rëndësishëm Karpri i ka dhënë edhe nipit djalit të motrës Marsel Isallarit, i cili është emëruar si drejtor i ndërmarrjes të ujësjellës kanalizimeve Pogradec.

Të fejuarën e nipçes drejtor, Viola Cicin, Kapri e ka emëruar në krye të Drejtorisë Ekonomisë dhe Turizmit në bashki. Vajza 28-vjeçare ka marrë përgjegjësinë të menaxhojë projektet e qytetit me aspirata të mëdha për zhvillimin e turizmit.

LEXO EDHE  VIDEO/ Vrasja e 27-vjeçares shqiptare në SHBA, zbulohen detaje të reja

Një tjetër kushëri i kryetarit, Altin Bardhi, është emëruar në postin e kryeinspektorit në bashki, por megjithatë Kapri shprehet se tashmë e ka shkarkuar pasi kishte performancë të dobët.

Lidhjet familjare të një numri punonjësish të administratës së bashkisë Pogradec me kryetarin e bashkisë bien ndesh me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2006, Për Shmangien e Nepotizmit në Administratën Publike, i cili ndalon “të ushtrojnë detyrën brenda një institucionit publik punonjës të lidhur mes tyre me lidhje familjare, gjinie apo krushqie.”

Megjithatë, i pyetur nga BIRN Kapri është shprehur që ai ka zgjedhur stafin e duhur.

“Unë kam qenë i prirur të zgjedh stafin më të mirë, më të specializuar dhe njerëzit që unë i mendoj qe kanë karakter dhe dinë  të suportojnë marrëdhëniet me publikun që të mos arrijnë  në ato gjëra që deri dje nuk i kemi pëlqyer,” është shprehur ai, duke shtuar se ato që nuk kanë pasur performancën e duhur janë zëvendësuar.

“Çdo njeriu i kemi bërë të qartë që një gjë është të futesh në punë dhe një gjë tjetër është që ta mbashë vendin e punën,” shtoi ai.

Mungesa investimeve dhe borxhet

Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia Pogradec  numëron 61.530 banorë, prej të cilëve, 17,726 persona, trajtohen me ndihmë ekonomike.

Numëri i bizneseve të regjistruara është i vogël, 88 biznese të mëdha në qytet dhe 135 në zonën administrative të bashkisë. Janë kryesisht kompani ndërtimi dhe shërbimesh hotelerie. Si biznes i vogël janë të regjistruara 1,170 subjekte.

Të ardhurat e siguruara nga bashkisë përllogariten rreth 300 milionë lekë të reja, por sipas kryetarit Kapri, janë të shumë të vogla për të mundësuar realizimin e projekteve që ai parashikon në qytetin e tij.

Kryetari i Bashkisë thotë se prej vitesh në Pogradec kanë munguar fondet e investimeve nga qeveria qendrore. Sipas tij ndërhyrja në infrastrukturën e qytetit është emergjente, pasi Pogradeci nuk ka një unazë, e përveç shëtitores së liqenit, rrugët e brendshme janë thuajse të pakalueshme.

Kapri ankohet që për vitin 2016, Bashkisë së Pogradecit nuk i është akorduar asnjë fond investimi nga qeveria qendrore, pasi projektet e saj nuk janë shpallur fituese nga programi i shërbimeve publike vendore i qeverisë shqiptare.

“Mendoj se qeveria do ta kuptojë se Pogradeci është pjesë e Shqipërisë dhe nuk do ta mohojnë atë duke mos akorduar asnjë fond investimi. Unë shpresoj se do të fitojmë grante në katër thirrjet  e fundit që ka hapur qeveria për pushtetin vendorë. Ne do të paraqesim projektet tona, të cilat janë kryesisht në infrastrukturë, ku nuk është vënë dorë prej vitesh,” tha Kapri, duke vënë në dukje se borxhet e trashëguara nga institucioni që ai drejton, i bëjnë të pamundur investimet në infrastrukturë me të ardhurat e veta.

Bashkia e Pogradecit ka trashëguar një borxh prej 5.4 miliardë lekësh, i shkaktuar kryesisht  nga mospagimi ndër vite i energjisë elektrike, faturave të ujësjellësit, fondit të sigurimeve dhe kompanive private e deri tek shërbimi postar dhe ai celular.

Për situatën e vështirë ekonomike që ndodhet Bashkia Pogradec, nëpërmjet shkresave zyrtare, Kapri thotë se ka vënë në dijeni Ministrinë e Financave dhe Kryeministrin Edi Rama.

Marrja përsipër e borxhit nga ana e pushteti qendror është një mundësi zgjidhjeje për drejtuesit e Bashkisë, ndërkohë që kanë nisur negociatat  me subjektet riskedulimin e një pjese të detyrimeve.

“Si zgjidhje tjetër mendojmë se  mund të ishte marrja e borxhit nga sistemi bankar duke marrë garanci nga Ministria e Financave me interes zero e me afat të gjatë,” thotë Kapri, duke shtuar se nga buxheti për 2016-ën 50 milionë lekë do të shkojnë për shlyerjen e borxheve të vjetra të bashkisë.

“Ne jemi duke negociuar dhe shpresojmë të gjejmë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë,” përfundoi ai.



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here