Precedenti “Maqedoni”, SPAK dhe Byroja e Hetimit mund të deligjitimojnë shtetin

Nga Boldnews.al

Marrëveshja e beftë maxhorancë-opozitë në Komisionin Parlamentar të Reformës në Drejtësi për atashimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë Prokurorisë, mund të sjellë surpriza “të pakëndshme” për politikën shqiptare.

Byroja, e cila me shumë gjasë do të jetë krahu ekzekutiv i Prokurorisë Speciale, SPAK, kur kjo e fundit të krijohet, pritet të hetojë rastet e korrupsionit në nivelet e larta të administratës, përfshirë edhe korrupsionin zgjedhor. Nga Maqedonia fqinje, mbërrin një “këmbanë” edhe për politikën shqiptare sa i përket blerjes së votave dhe manipulimit të tyre.

Katica Janeva, drejtuese e Prokurorisë Speciale në Shkup, strukturë e përafërt me SPAK-un e pritshëm në Shqipëri, gati deligjitimoi të gjithë shtetin të martën (dt. 22.03.2016), kur deklaroi se Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjedhur prej tyre janë të paligjshëm në detyrë, pasi janë në pushtet si rezultat i zgjedhjeve të manipuluara.

Madje Janeva paralajmëroi zgjerimin e hetimit për vepra kundër zgjedhjeve. Edhe pse po ballafaqohet me pengesa nga gjykatat dhe prokurorët, Janeva tha se nuk do të ndalet derisa çështjet që po heton struktura e saj të shkojnë deri në fund.

“Me hetimet për këta persona që kanë qenë apo që janë në funksione të larta shtetërore, si dhe me provat që i posedojmë që 80% dëshmojnë akuzën, vlerësojmë se vihen në pikëpyetje emërimi i kryetarit, gjykatësve kushtetues, dhe deputetëve. Gjithë këto institucione janë jo legjitime dhe duhet ta respektojnë Prokurorinë Speciale në mënyrë që ta dëshmojë të vërtetën”, tha prokurorja speciale, Katica Janeva, e cituar nga media maqedonase.

Problemet zgjedhore në Maqedoni janë thuajse identike me ato në Shqipëri, ku palët në çdo proces elektoral kanë akuzuar njëra-tjetrën për manipulime votash dhe korrupsioni elektoral. Këto raste, në të cilat votat tjetërsohen në këmbim të parave nga zyrtarët, kandidatët dhe stafet e tyre, në Shqipëri pritet të jenë përgjegjësi hetimore e strukturës speciale SPAK.

Jo më larg se në zgjedhjet e fundit lokale, të zhvilluara në Qershor 2015, palët akuzuan njëra-tjetrën se po blinin votat e qytetarëve të varfër shqiptarë me ushqime. Ndër akuzat e tjera ishte edhe “trafikimi i votuesve” nga njëra zonë e Shqipërisë, në tjetrën, në këmbim të parave. Sipas kësaj skeme dhe akuzave publike, kryesisht të Partisë Demokratike në opozitë, në zonat e Durrësit dhe Kavajës, drejtuesit lokalë në detyrë, të cilët kërkoninin rikonfirmimin, realizonin transferime fiktive të votuesve nga qytete të ndryshme, për t’i shndërruar në votues potencial të tyre.

LEXO EDHE  E vërteta na duhet të gjithëve, herë pas here edhe Berishës

Për këto dy raste, Prokuroria e Durrësit dhe e Kavajës kanë nisur hetimet. Por, edhe pas më shumë se 9 muajsh, ende nuk është arritur të konkludohet se cilët janë personat përgjegjës për këto transferime fiktive. Burime zyrtare në prokuroritë lokale e justifikojnë vonesën me kryerjen e një numri të madh veprimesh hetimore. Peshën kryesore në hetim, sipas prokurorëve, e ka intervistimi i qytetarëve rezidentë në zona të ndryshme të Shqipërisë, por që gjenden të regjistruar fiktivisht në Durrës dhe Kavajë. Por, si në çdo rast, kur pjesë e hetimit janë zyrtarë me pushtet politik, hetimi vonohet në ping-pongun Prokurori-Polici. Në rastet e transferimeve të dyshuara si fiktive, prokurorët ia kanë deleguar veprimet hetimore Policisë. Kjo e fundit, nga ana e saj, e përfshirë edhe në hetimin e veprave të tjera penale, ende nuk e ka përmbyllur procesin e intervistimit të të gjithë personave. Zyrtarë të opozitës, të cilët kanë kallëzuar penalisht veprimet e dyshimta korruptive, kanë bindjen se policia e vonon qëllimisht ecurinë e hetimit.

Në këtë spirale hetimore, Shqipëria asnjëherë nuk ka arritur të ngrejë nivelin e hetimeve antikorrupsion tek zyrtarët e lartë. Ka pasur disa raste sporadike, kryesisht për mitmarrje, por në asnjë rast Shqipëria e 25 viteve të fundit nuk ka dënuar politikanë për korrupsion elektoral. Raportet e OSBE-ODIHR, herë me gjuhë diplomatike dhe herë me fjalor më të drejtëpërdrejtë, e kanë cituar korrupsionin elektoral si dëmtuesen më të madhe të proceseve zgjedhore në vendin tonë. Por gjithësesi, këto çështje nuk janë trajtuar asnjëherë seriozisht dhe nuk kanë përfunduar në organet e drejtësisë.

Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila sipas dakordësisë së sotme do të jenë në varësi të Prokurorisë, mund të jetë një zgjidhje e përshtatshme për hetimin e korrupsionit elektoral.

Në këtë mënyrë, me mbështetjen e deklaruar hapur edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë strukturë, qytetarët shqiptarë mund të marrin përgjigje jo vetëm për pasurimin e shpejtë të politikanëve, por sidomos nëse tjetërsimi i votës së tyre është realitet apo akuzë e pabazë. Rasti i Maqedonisë, ku prokurorja speciale Janeva deligjiton të gjithë shtetin, mund të jetë një shembull pozitiv edhe për Shqipërinë, e cila është përballur në të gjithë historinë e saj demokratike me akuzat e palëve për korrupsion elektoral, i cili ka vijuar me korrupsion ekonomik.



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here