Nga Jonida Dervishi
Ajo e Marjan Rrokut – çfarëdo të ishte, se si intervistë nuk ia dal ta shquaj e nuk kam guxim ta quaj – nuk kishte as rrëfim e pranim krimi brenda e rrjedhimisht, as pendim.
Rrëfimi mungoi. Kishte vetëm ca gjysma frazash, ca mendime të fragmentarizuara që nuk thonin asgjë, ku gjithçka që të mbetej ishte që diç kish ndodhur – thjesht kish ndodhur – po se si kish ndodhur s’dinte ta thoshte se as mend nuk e mbante. Tymnajë. Ky, që kishte qenë aq “burrë” sa të nxirrte armën e të qëllonte mbi gra se e “zhburrëruan” duke e sharë e duke i rënë me çantë, nuk qe aq burrë sa të pranonte e të rrëfente me dinjitet atë që kishte bërë, t’i dilte për zot veprimit të tij me një rrëfim për të qenë. Nuk tha asgjë.
Për të shpjeguar si u soll, po bëj një ilustrim nga gjinia tjetër që të heq çdo dyshim se e kam mendimin të ndikuar nga gjinia. U soll si ca tipe grash që kur tradhëtojnë burrat e më pas zbulohen, sillen si shushka të hutuara, viktima të pafajshme e të pavetëdijshme për sa iu ka ndodhur (që oh se si iu ndodhi!) dhe ia kërrcasin mundësisht edhe një të qare, duke sajuar gjithfarë rrethanash justifikuese që e transferojnë fajin ku të jetë e mundur – tek viktima reale, tek lagja, tek shoqëria, tek rrethanat, tek vetë jeta – përveçse tek vetja. Kur burrat iu qëllojnë pafillo apo të pazotë për t’u përballur me realitetin, përgjithësisht, justifikimi vjen dhe nga këta (‘ah e shkreta ti, ti s’ke faj, ty thjesht të ndodhi!’). Shoqëria shqiptare, mëgjithë problemet e veta, kësaj here tregoi se nuk është kaq pafillo. Gjithashtu, vrasja nuk është një gjë kaq e thjeshtë sa marrëdhëniet midis ca pak njerëzve, që ky burri të mendonte se ia hedh paq kështu.
Me këtë farë sjelljeje, humbi shansin për t’u respektuar edhe si kriminel. Askush nuk është i pagabueshëm. Gabime – nëse do t’i klasifikojmë veprat penale të këtij rasti si të tilla – bëjnë të gjithë, ndonëse jo njëlloj të rënda e jo njëlloj të rrezikshme për tjetrin e shoqërinë. Por, mënyra se si njeriu reagon ndaj veprimit të gabuar dhe fajit është tregues shumë – jashtë mase shumë – i rëndësishëm i karakterit, rrezikshmërisë dhe potencialit për të qenë përsëritës. Kushdo që në vend të marrë përsipër me dinjitet (përfshirë dhe forcën karakteriale që një gjë e tillë kërkon) fajet e veta, por fshihet pas gjysma frazash, kujtese të turbullt, mungese vetëdijeje, pas qurravitjesh, viktimizimi, justifikimesh me veprimet e viktimës a rrethanat, ka brumë recidivisti. E ka bërë një herë, do ta bëjë përherë!
E meqë nuk kishte rrëfim, nuk ka se si të ketë pendim dhe kjo histori mbaron këtu. Megjithatë, ka edhe një moment interesant në atë gjënë (për “intervistën” e kam fjalën) që flet jashtëzakonisht shumë për sa pendim mund të ketë. Kush s’e ka vënë re, ta rishohë prapë, ta përsërisë sa herë të jetë nevoja. Në sekuencën ku, në mënyrë gjysmake, përshkruan krimin, është momenti kur tregon se si nëna e vajzës e ka sharë dhe goditur me çantë. ‘Më goditi me çantë’, thotë dhe bën pauzë. Dëgjojeni me vëmendje se si e thotë, e në të njëjtën kohë, me më shumë vëmendje shihni fytyrën e tij në ato momente. Vëreni me detaje e ngultas, mimikën, buzët, vetullën e djathtë, sytë (mbi të gjitha sytë). Duket sikur thotë ‘ hej a e dëgjon ç’më bëri?’ e sikur pret t’i thuhet ‘mos mor burrë ç’të paska bërë, po mirë ia bëre se e paska bërë hak!’. Është vetëm një moment, por është jo vetëm tregues për një mijë fjalë, por edhe thellësisht botëkuptimor. Jam e bindur që në rrethin e tij duhet të ketë patur e në Shqipëri ka akoma bartës botëkuptimesh para-kanunore që mbase dhe ‘mirë ia bëre!’ i kanë thënë. Konstatimi im në këtë pjesë me siguri s’është autoritativ se ka ekspertë dhe për leximin e mimikës e unë s’jam, por edhe sikur njëqind eskpertë (kemi ne të mirë plot që identifikojnë “montazhet”!) të më thonë që e kam gabim, unë i qëndroj bindjes time. Njerëzit janë të lexueshëm. Absolutisht të gjithë. Mjafton t’i dëgjosh e t’i shohësh me vëmendje, duke i studiuar për të zbuluar e jo nisur me mendime të gatshme që përmbajnë paragjykime. Edhe ata që e mbajnë veten si me të stërviturit e aktorëve e më të rafinuarit e manipulatorëve, të lexueshëm janë në sforcot tyre. Ndaj, vëmendje!
Ndërsa frazat e mësuara përmendsh të tipit “se vetëm Zoti ta jep e ta merr jetën e kush jam unë që ta marr” nuk thonë asgjë përveçse që ka mësuar përmendsh ca fraza me Zot brenda. Asgjë nuk tregojnë: ka njerëz që mund të të recitojnë, fjalë për fjalë, gjithë Biblën a të predikojnë për t’ia patur zili dhe vetë Jezusi e në fund të ditës, nuk kanë asnjë lidhje me moralin që predikojnë, që udhëheqin me të pamoralshmen e jetëve, apo që dhe kur nuk ke ç’iu thua për këtë pjesë me siguri as me integritetin nuk i lidh dot. Në Shqipëri, e mira e të keqes që ç’nuk na kanë parë sytë e degjuar veshët, është që për budallenj nuk na bëjnë dot aq lehtë.
Pjesën tjetër të vuajtjes së tij e besoj dhe e mirëkuptoj, por nuk mendoj se është problem që duhet të shqetësojë shoqërinë. Është vuajtje që buron ngaqë – më në fund – po provon mbi vete pasojat e veprës penale të kryer. Nuk është as i dënuari i parë e as i fundit në botë. Përpara se të mallëngjehemi me një rast, do sugjeroja një 24 orësh në jetët e të dënuarve të tjerë (ata të parëndësishmit që s’iu shkon njeri me kamera, tek ata që jo vetëm s’kanë patur mundësi t’i bien botës mbarë përpara se të fillojnë pas 15 vjetësh vuajtjen e dënimit, por që s’kanë patur mundësi as për një avokat për të qenë, që i kanë fëmijët rrugëve a nuk dinë ku i kanë, një 24 orësh dhe tek gratë dhe të miturit). Une e besoj që për të është e vështirë. Por besoj dhe se për këtë janë shpikur dënimet. Po të mos ishin, si vend burrash të fortë, do kishim çdo 5 minuta nga një vrasje për ‘përse më pe shtrembër’.
P.S. Mos u merrni me Arditin, më kot, ndërkohë. Kushdo është gjeni, thosh Anjshtajni (atij ia kanë veshur të paktën), por po të gjykojmë një peshk nga aftësia për t’u ngjitur në pemë, do t’i shkojë jeta duke kujtuar se është budalla. Ose do të na shkojë ne jeta duke na u dukur si i tillë, do thoja, se këtu të gjithë të zotë në gjithçka e pandehin veten. Në rastin në fjalë, po t’i hipim makinës së memories për t’u kthyer mbrapsht në kohë, Arditi nuk këndonte dhe aq keq.