Ja krimet e xhelatëve të diktaturës

Ishte krejt e paimagjinueshme ne vitin 1984 që dikush në Shqipëri të organizohej në një kryengritje kundër regjimit, e aq më tepër brenda hekurave të një burgu. Ka ndodhur në maj të vitit 1984, kur 24 djem trima të burgosur politik në burgun komunist të Qafë barit, u ngritën në një protestë të pazakontë dhe luftuan me gadrianët xhelatë kundër barbarisë së tyre. Është një ndër revoltat e rëndësishme pas asaj të Burgut të Spaçit. Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar të dhëna zyrtare për revoltën e Qafë Barit si është organizuar dhe çfarë ka ndodhur ato ditë në burgun komunist.

“Më 22.5.1984, ora 7.30, të dënuarit Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla u kthyen në fjetinë pa realizuar normën. Komanda urdhëroi kthimin e tyre në galeri për të realizuar normën e punës. Të dënuarit Sokol Sokoli dhe Sokol Progni porositën të dënuarit të mos shkonin në punë. Policët Islam Doga dhe Fiqri Çakalli thërrasin të dënuarit që do shkonin në punë në zyrat e këshillit të riedukimit. Këta i thanë dy të dënuarve që duhet të plotësonin normën ose duhej të shkonin në birucë, të izoloheshin. I dënuari Tom Ndoja ua merr nga duart policëve Ndue Pishën dhe e largon.

Policën orvaten ta marrin, por me Tomën bashkohen edhe Sokol Sokoli dhe Sokol Progni dhe u kundërvihen policëve me gurë e tulla që kishin ndër duar. Në këto kushte ndërhyn një togë e përbërë prej 6 policësh me në krye komandantin e togës Edmond Caja, por këta thyhen nga një grup të dënuarish ku bënin pjesë: Sokol Sokoli, Sokol Progni, Tom Ndoja, Martin Leka, Dedë Nimani, Bajram Vuthaj, Ndue Kola, Haxhi Baxhinovski, Lush Bushgjoka, KostandinGjordeni. Komandanti i togës së policisë Edmond Caja urdhëroi rreshtimin e të dënuarve në mence. Komandanti i repartit ndodhej me shërbim në Rrëshen. U njoftua kryetari DPB Edmond Çifligu. Nisi apeli emër për emër. Ata që kundërshtonin kërcënoheshin se do futeshin në birucë. Kostandin Gjordeni refuzoi të dalë nga menca.

Po kështu refuzoi edhe Sokol Sokoli, i cili bashkë me grupin e tij çau rrethimin e policëve. Rreth 20-24 të dënuar duke pasur në duar materiale të marra nga një godinë që po ndërtohej qëndruan te sheshi mbi fjetore duke përbërë një skuadër përballë forcave të regjimit. Pas kësaj të burgosurit hyjnë në mencë sërish, pikërisht në kohën kur vijnë komandanti i repartit dhe kryetar i DPB. Thirrën emrat e të dënuarve për të dalë jashtë. I pari ishte Kostandin Gjordeni. Në raportin zyrtar pretendohet se i dënuari ka goditur murin me kokë, e pas këtij veprimi ka filluar përleshja midis të dënuarve e policëve, ndërsa në të vërtetë ai është goditur.

Policët kanë marrë Gjordenin për ta çuar në izolim, por të dënuarit, nisur nga solidariteti ndaj njëri-tjetrit i kanë sulmuar me çdo mjet. Pas daljes nga menca, të dënuarit kanë sulmuar policët me mjetet që kishin duke iu afruar derës kryesore. Në këtë çast, kryetari i Degës së Punë të Brendshme Pukë urdhëroi të qëllohej. Këtu plagoset Gjordeni. Në kamp erdhën zëvendësministri i Punëve të Brendshme (nuk specifikohet qartë në është Agron Tafa apo Zylyftar Ramiz Mahmutaj )dhe drejtori i Drejtorisë Zbatim Vendime Penale Kasem Kaçi. Pas dorëzimit është përdorur dhuna në mënyrë masive”, shkruan Kastriot Dervishi.

Shtypja e revoltës

“Në dosjen e revoltës së Qafë-Barit.
“Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…”

“Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi, Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal…

…i pandehuri Haxhi Baxhinovski shpjegon veprimet që ka kryer: Kur instruktori politik më pa thikën që mbaja në dorë, me tha ta dorëzoja atë, por unë nuk pranova dhe me të në dorë e sulmova duke e qëlluar në bark. Nuk e di nëse e thera apo jo.

…Vetëm kur dëgjuan krismat e plumbave të pushkëve, të pandehurit ndien frikën dhe forcën e madhe të diktaturës së proletariatit dhe filluan të tërhiqen…

Pushkatimi

…të dy të rinj… moshatar me ta jam… nuk flas dot… s’më lënë lotët… i morën nga qelia, natën, të lidhur…
Dhe s’dihet ku i çuan, ku i vranë…

Procesverbali është nënshkruar nga gjashtë veta… përbërja e komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë… me 60 karikatorë kallashnikovi… nën drejtimin e shefit të policisë së rrethit…. Skeda më dridhej në dorë:
Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952, nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888, datë 7.6.1984, nuk i fali jetën. Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 888, datë 7.6.1984 nuk i fali jetën…

Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i ka shkruar, pushkatarët? Ja:

Para ekzekutimit, të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: “Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vetë. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt”
I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtësia!”
Në fund firmat… 30 rreshta, një faqe gjithsej…

Masakra e syve

…Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale:
“Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.

Çfarë?! E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona… Cilët janë? Po ja, nga ata, të gjithë… Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… si? Me bajonetë? Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë? Ku? Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore?

Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!… Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar një herë. Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve… Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë… E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë. Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve.
Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë… Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare!” rrefyer nga Visar Zhiti.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *