Ish-kreu i fushatës presidenciale të zotit Trump, Paul Manaforti, ka rënë dakord të pranojë fajin për dy akuza kriminale si pjesë e një marrëveshjeje me Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller. Ky vendim mund të jetë një goditje për zotin Trump në terma afat-gjatë lidhur me hetimet që po kryhen për ndikimin e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.
Zoti Manafort do të pranojë fajin për një akuzë për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe një akuzë përsëri për komplot me qëllim pengimin e drejtësisë, sipas dokumenteve të paraqitura në Gjykatën e Qarkut të Uashington DC. Gjykata ndërkohë ka rrëzuar 5 akuza të tjera.
Paul Manafort, i cili u dënua nga një juri në Virxhinia muajin e kaluar, lidhur me akuza për mashtrim me taksat dhe të dhënat bankare, pritej të dilte sërisht përpara gjykatës në Uashington për herë të dytë lidhur me akuza të tjera.
Përzgjedhja e anëtarëve të jurisë ishte parashikuar të niste të hënën me akuza që përfshinin komplot me qëllim pastrimin e parave dhe për të mashtruar Shtetet e Bashkuara duke mos u regjistruar si agjent i huaj si dhe për ndikim të paligjshëm tek dëshmitarët.
Vendimi i Paul Manafortit mund të jetë një goditje ndaj Presidentit Trump, i cili muajin e kaluar e vlerësoi ish-drejtuesin e fushatës së tij për mos lidhjen e një marrëveshjeje me prokurorët, sikurse bëri ish-avokati personal i tij Michael Cohen. Në një postim në twitter më 22 gusht, zoti Trump shkruante: “ndryshe nga Michael Cohen, ai refuzoi të ‘thyhet’, duke sajuar histori me qëllim sigurimin e një ‘marrëveshjeje’. Kam shumë respekt për këtë njeri të guximshëm!”, përfundonte postimin e tij Presidenti.