Të kërcënuar nga Vetingu! A do të guxojë Gjykata e Lartë të arrestojë Saimir Tahirin?

Boldnews.al

Gjykata e Lartë, e copëtuar siç ka mbetur, pritet që shumë shpejt të shqyrtojë rekursin e Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit. Ish-ministri i Brendshëm, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe korrupsion, i shpëtoi masës së sigurisë “arrest në shtëpi” nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, ndërkohë që Prokuroria këmbëngul për arrestimin e tij.

Në 18 korrik, Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda dorëzoi rekurs në Gjykatën e Lartë, në të cilën kërkon që ndaj Saimir Tahirit të caktohet masa “arrest në burg”, për shkak se veprat mbi të cilat po hetohet janë të rënda dhe ai ka mundësi për prishjen e provave.

Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, rekurset për masë sigurimi shqyrtohen në Gjykatën e Lartë brenda 30 ditëve. Por, ajo që ka ndodhur me anëtarët e Gjykatës së Lartë prej momentit të dorëzimit të rekursit deri më sot është “shkrirja” e saj, pothuajse plotësisht. Procesi i Vetingut shkarkoi në dy javët e fundit të Korrikut 5 nga 9 anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Aktualisht, gjykata supreme funksionon me staf minimal gjyqtarësh, vetëm 4, nga të cilët, dy prej tyre nuk i kanë mbyllur përfundimisht çështjet e Vetingut. Në këtë situatë, kur gjithnjë e më shumë po bëhet e dukshme se institucionet e Vetingut po veprojnë në bazë të vullnetit qeveritar, gjyqtarët e Lartë do të duhet të maten shumë mirë para se të vendosin për fatin e Saimir Tahirit.

Në situatë normale, Gjykata e Lartë i merr vendimet e saj në Dhomë Këshillimi, ku rastet shqyrtohen nga 3 anëtarë ose në seancë publike, ku trupa gjykuese përbëhet nga 5 anëtarë. Në situatën aktuale, ku në funksion janë vetëm 4 anëtarë, me shumë mundësi, rekursi kundër Saimir Tahirit do të shqyrtohet në Dhomë Këshillimi, pasi aq e lejon edhe “aritmetika”.

Po cila është situata e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, 3 prej të cilëve do të vendosin për Tahirin?

Në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë është shpallur relatori i çështjes, Edmond Islamaj. Ky i fundit e kaloi me sukses fazën e parë të Vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta konfirmojë në detyrë, pavarësisht problematikave të gjetura prej vetë KPK-së në pasurinë e tij.

Gjyqtari Islamaj nuk i ka mbyllur llogaritë me procesin e Vetingut, pasi vendimi për konfirmimin e tij u ankimua nga Komisioneri Publik pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Pra, Edmond Islamaj e ka të qartë se karriera e tij është në dorë të institucioneve të Vetingut, anëtarët e të cilëve në shumicë janë zgjedhur dhe njihen si lidhje të afërta me Partinë Socialiste, pjesë e të cilës ishte dhe është Saimir Tahiri.

Dy nga tre anëtarët e tjerë në detyrë të Gjykatës së Lartë do t’i bashkohen Islamajt në shqyrtimin e rekursit për Saimir Tahirin. Islamaj mund të shoqërohet nga Xhezair Zaganjori, njëkohësisht kryetar i Gjykatës, nga Ardian Dvorani dhe/ose Medi Bici.

Pavarësisht se cilët do të zgjedhë shorti, Tahiri me shumë mundësi do të dalë i qetë nga shqyrtimi në Gjykatën e Lartë. Xhezair Zaganjori u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pavarësisht se ai pranoi ekzistencën e kontratave fiktive dhe problemeve me pasuritë e deklaruara. Konfirmimi në detyrë i Zaganjorit u pa me dyshim në ambjentet publike dhe mediatike. Shumë besojnë se konfirmimi ka ardhur si rrjedhojë e “ndërhyrjes” së Vilma Nushit, e afërme e tij dhe një prej oligarkeve afër kryeministrit Edi Rama.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka sugjeruar Komisionerit Publik të ankimojë vendimin e konfirmimit të Zaganjorit. Pritet të shihet reagimi i Komisionerit. Nëse do të shortohet si pjesë e trupës së Saimir Tahirit, Zaganjori, me shumë mundësi, e ka të qartë se si duhet të sillet që të mos e mbyllë me turpin e shkarkimit karrierën e tij.

Gjyqtari Ardian Dvorani duket se ka qenë anëtari që e ka marrë më me qetësi procesin e Vetingut. Lidhjet e tij të ngushta me Partinë Socialiste prej vitesh ia kanë dhënë këtë siguri, e cila u shoqërua me konfirmimin e tij në detyrë nga KPK, pavarësisht se kishte “harruar” të deklaronte 100 milionë lekë (të vjetra).

Medi Bici ndoshta është i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë që nuk i ka borxh askujt për konfirmimin e tij në detyrë. Ai rezultoi pa asnjë dyshim në tri kriteret përbërëse të vetingut-pasurinë, figurën morale dhe aftësitë profesionale.

Teorikisht, nëse shortohet për shqyrtimin e rekursit kundër Saimir Tahirit, ai është i vetmi që mund të vendosë sipas bindjes së tij, ku nuk përjashtohet mundësia që të kërkojë edhe arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. Gjithësesi, edhe nëse Medi Bici mund të anojë drejt penalizimit të Tahirit, ai, me shumë mundësi do të jetë në minorancë. Anëtarët e tjerë, ose kanë probleme të pambyllura me Vetingun (Zaganjori e Islamaj) ose kanë lidhjet e duhura me partinë e Saimir Tahirit (Ardian Dvorani).

Në këto kushte, “peshku i madh” Saimir Tahiri do të vijojë të notojë i qetë me të gjithë stilet e mundshme, si videot që poston periodikisht në rrjete sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *