Kur kanë kaluar një ditë nga ngjarja e rëndë në Kamzë, ku mbeti i vrarë 52- vjeçari Agim Buci dhe u plagos bashkëshortja e tij Merita Buci 44 vjeç nga autorë ende të paidentifikuar, të cilët shkuan për ti vjedhur, mësohen të tjera detaje.
Nga sa mësohet, policia ka gjetur në vendngjarje vetëm një gëzhojë pistolete. Policia ka mundur të rindërtojë skemën e vrasjes.
Në marketin “Gerti” janë futur 2 persona me bluza sportive me kapuç dhe kapele. Njeri prej tyre ka pasur pistolete. Nën kërcënimin e armës ata kanë kërkuar paratë, por 52-vjeçari ka refuzuar dhe ka tentuar ta bllokoje grabitësin e armatosur, duke e kapur në bel.
Në atë moment ai është qëlluar në gjoks me armë. Bashkëshortja Merita ka tentuar ta mbrojë të shoqin, duke sulmuar agresorët me thikë të cilën e kishte në dyqan. Thika u gjet ne vendin e ngjarjes dhe u sekuestrua. Gruaja është plagosur në këmbën e djathtë me një plumb. Ndërkaq, bëhet sërish këqyrja e vendit të ngjarjes me dritë natyrale për të gjetur gëzhojën tjetër. Skenën e ka parë edhe fëmija 6-vjeçar i çiftit, i cili ndodhej në market. Marketi ishte në oborrin e shtëpisë së çiftit, ku jetonte me 4 fëmijët.
Marketi ka pasur kamera sigurie, të cilat janë sekuestruar nga policia.