Mogherini e Hahn sot në Tiranë për negocitatat, takojnë Metën, Ramën dhe opozitën

April 17, 20180
1280x720-ud9_1523943347-7551181.jpg?fit=633%2C347

Komisioni Europian rekomandon sot hapjen e negociatave për anëtarësim pa asnjë kusht të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Një ditë përpara janë zbardhur pjesë të raportit, që shefja e Politikës së Jashtme, Federica Mogherini dhe komisioneri Johannes Hahn do t’i dorëzojnë sot Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama në Tiranë.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn pritet që të mbërrijnë pasdite në Tiranë.

Rreth orës 16:30 minuta ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, do të bëjë publike raportin për hapjen e negociatave, raport i cili do t’i dërgohet edhe Presidencës dhe Kuvendit.

Gjatë së mërkurës, në orën 11:00, Mogherini do të ketë një konferencë shtypi me kryeministrin Rama.

Po ashtu Mogherini do të ketë takime edhe me Presidentin e Republikës, Ilir Meta si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ku do të jetë e pranishme edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Në dokumentin prej 37 faqesh, Komisioni rekomandon që negociatat të nisin me kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të drejtat e njeriut, lirinë dhe sigurinë. Përsa i përket reformës në drejtësi, Komisioni Europian vlerëson pozitivisht rezultatet e para të vetingut.

Megjithatë, raporti vlerëson se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz. Brukseli kërkon më shume përpjekje për konfiskimin e aseteve të bandave kriminale, duke vënë në dukje se është bërë pak progres në çmontimin e grupeve të organizuara kriminale.

Pikat kryesore të raportit
Shqipëria ka vijuar të bëjë një progres të qëndrueshëm në zbatimin e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Reforma e administratës publike u konsolidua me një përforcim të dukshëm të profesionalizmit dhe depolitizimit. U ndërmorën veprime të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht përmes avancimit në zbatimin e një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi. Kjo përfshin rezultatet e para të prekshme në rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe proku-rorëve (vetingun), me dorë-heqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të nivelit të lartë dhe në dëgjesat e para që sollën shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese si dhe konfirmimin në detyrë të një tjetër gjyqtareje të Gjykatës Kushtetuese.

Droga
Përpjekje të mëtejshme më të vendosura u ndërmorën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshi ato në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimit të saj, që kontribuuan në ndërmarrjen e disa hetimeve proaktive, si dhe të arrestimeve dhe dënimeve. U morën masa të mëtejshme për të garantuar mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut, përfshi personat që u përkasin pakicave si dhe komunitetit rom, si dhe politikat antidiskriminim, ashtu sikurse edhe zbatimin e të drejtave të pronës.

Negociatat
Në kuadër të progresit të arritur, Komisioni rekomandon që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipë-rinë, duke ruajtur dhe thelluar momentin aktual të reformave në fushën kyçe të zbatimit të ligjit, në mënyrë të veçantë, në të gjitha pesë prioritetet kyçe dhe të rezultateve të vazhdueshme dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe pro-kurorëve (vetingu), pasi do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë. Për të mbështetur këtë, Komisioni do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave lidhur me drejtësinë, të drejtat themelore dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit.

Situata politike dhe reformat
Sa u përket kritereve politike, polarizimi i fuqishëm ka vijuar në sektorin e politikës. Aktivitetet parlamentare janë cenuar nga një bojkot i gjatë nga opozita në fillim të vitit 2017, çka shtyu në kohë gjithashtu edhe ngritjen e institucioneve të vetingut të drejtësisë.
Në maj, një marrëveshje mes partisë kryesore në pushtet dhe opozitës lejoi rifillimin e aktiviteteve parlamentare, duke lejuar disa ndryshime në kuadrin legjislativ zgjedhor. Kjo solli organizimin pa probleme të zgjedhjeve të përgjithshme në qershor, pavarësisht nga fakti se një numër rekomandimesh të OSBE/ODIHR-it ende mbeten pezull.
Administrata publike
Shqipëria është e përgatitur disi në reformën e administratës së saj publike. Përpjekjet kanë vazhduar, duke sjellë progres në drejtim të efektshmërisë dhe transparencës së ofrimit të shërbimeve publike, trajnimin e nëpunësve civilë, procedura më transparente të rekrutimit dhe forcimin e gjithanshëm të procedurave të shërbimit civil mbi bazën e meritave. Konsolidimi i këtyre arritjeve duhet të çohet përpara më tej, në mënyrë që të sigurohet një administratë më efikase, më e depolitizuar dhe më profesionale.

Drejtësia
Sistemi juridik zotëron një nivel të caktuar përgatitjeje. Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse të drejtësisë ka vazhduar, duke rezultuar në një përparim të mirë në përgjithësi. Rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut) ka filluar. Procesi i rivlerësimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu) ka filluar dhe po jep rezultatet e para të prekshme. Shqipëria zotëron një nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Progres i mirë është bërë sidomos me miratimin e amendamenteve të Kodit të Procedurës Penale. Një zinxhir i organeve të specializuara antikorrupsion, duke përfshirë një zyrë të posaçme të Prokurorisë, është krijuar.
Numri i dënimeve përfundimtare që përfshijnë zyrtarë të vegjël apo të mesëm është rritur krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese. Dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë kanë ndodhur kryesisht në gjyqësor (gjyqtarë dhe prokurorë); megjithatë, shkalla e dënimeve përfundimtare për zyrtarët e lartë mbetet në përgjithësi shumë e ulët. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë sektorë dhe vazhdon të jetë një problem serioz.
Lufta kundër krimit të organizuar
Shqipëria zotëron një nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar. Në përgjithësi, pati progres në periudhën raportuese, sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Shqipëria duhet të arrijë rezultate operacionale në këtë fushë, duke intensifikuar konfiskimin e pasurive që u përkasin bandave kriminale dhe duke vazhduar shkatërrimin e të gjithë sasive stok të kanabisit. Sa u përket të dhënave, ka pasur pak përparim në shkatërrimin e grupeve kriminale të organizuara. Numri i dënimeve përfundi-mtare në rastet e krimit të organizuar ka mbetur shu-më i ulët dhe është rritur vetëm pak. Nevojiten më shumë përpjekje për të trajtuar pastrimin e parave, pasuritë kriminale dhe pasurinë e pajustifikuar.

Fqinjët
Shqipëria ka vazhduar të marrë pjesë aktive në bashkëpunimin rajonal dhe të mbajë marrëdhënie të mira fqinjësore. Hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë për të zgjidhur çështjet dypalëshe me Greqinë.

Situata ekonomike
Sa u përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka bërë disa përparime dhe është e përgatitur në mënyrë të moderuar në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së dhe deficiti i llogarisë korrente janë zvogëluar. Rritja ekonomike përparoi më tej dhe papunësia u zvogëlua, por është ende e lartë.

Sfidat drejt BE
Shqipëria do të duhet të vazhdojë përpjekjet e saj sa u përket përgatitjeve të përgjithshme për miratimin dhe zbatimin e përshtatshmërisë me BE-në. Duhet të vazhdojë puna në zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe energjisë, gjithashtu me qëllim përmirësimin e lidhjeve në të gjithë rajonin. Kapacitetet administrative dhe standardet profesionale të organeve që do të ngarkoheshin me zbatimin e përshtatshmërisë duhet të forcohen dhe të ruhet pavarësia e organeve rregullatore. Rritja e transparencës dhe llogaridhënies, duke siguruar veçanërisht funksionimin e efektshëm, real dhe transparent të sistemit të prokurimit publik dhe menaxhimit të financave publike, mbetet thelbësore. Shqipëria ka vazhduar të përputhet plotësisht me të gjitha qëndrimet dhe deklaratat e përbashkëta të politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Kërkesat për azil
Numri i kërkesave të pabazuara për azil, të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të BE dhe në shtetet Schengen ka mbetur i lartë. Shqipëria është angazhuar dhe ka miratuar një numër masash, duke përfshirë forcimin e bashkëpunimit dypalësh me shtetet kryesore anëtare të BE-së. Këto masa dhanë rezultate pozitive. Veprime të mëtejshme të vendosura duhet të vazhdojnë në këtë drejtim, duke i përfshirë në kuadrin e mekanizmit të monitorimit të liberalizimit të vizave, për të përballuar në mënyrë efektive këtë fenomen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *