Këto janë momentet kur forcat speciale RENEA kanë vënë në pranga Delin Hajdaraj, të riun nga Vlora që korrikun e vitit 2013 bëri një masakër në një plazh tek Uji i Ftohtë, duke lënë 3 të vdekur.
Operacioni është bërë mbrëmjen e djeshme dhe siç shikohet në pamjet e filmuara, forcat speciale kanë përdorur shkallë që të futen në banesën me qira të Hajdaraj duke e kapur në befasi.
Operacioni për kapjen e tij u bë gjithashtu në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për lokalizimin e vendodhjes së këtij shtetasi, rreth orës 20:30 të mbrëmjes, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij në katin e katërt (me qira) të një pallati në lagjen “Ujë i Ftohtë” Vlorë.
Shtetasi D.H.,, ka qenë shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në 28 Korrik të vitit 2013, ku në bashkëpunim me shtetasin L.O., 23 vjeç (i arrestuar në flagrancë dhe i dënuar me 35 vite burg), në lagjen “Ujë i Ftohtë” në Plazhin e Kalasë, kanë qëlluar me armë zjarri automatike model 56, në prezencë të pushuesve të tjerë, ku mbetën të vrarë 3 shtetas.
Policia e Vlorës, duke patur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të tij, ka kërkuar ndihmë nga Forcat Speciale Renea Tiranë, të cilët në bashkëpunim kanë realizuar kapjen e këtij shtetasi të dënuar me burgim të përjetshëm, i cili kishte rreth 4 vite në arrati.
Policia dispononte informacion se ky shtetas strehohej edhe në 2 banesa të tjera me qira brenda në qytet.
Të tre banesat, i mbante me qira që prej muajit Gusht të vitit 2016 dhe i përdorte për ti shpëtuar ndjekjes së Policisë së Vlorës.
Pas ndërhyrjes dhe neutralizimit të personit nga Forcat Speciale Renea, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në zonën e “Plazhit të Vjetër” Vlorë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– një armë zjarri të llojit Pistoletë TT,
– një silenciator,
– një krehër të mbushur me fishekë,
– 37 copë fishekë në total, të kalibrit 7.62 mm,
– 2 aparatë celularë.