Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka vendosur që të lërë në burg Emiljano Shullazin dhe dy shokët e tij, Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin. Kërkesa e tyre për lirim dhe procedim në gjendje të lirë është refuzuar nga gjykata.
Mësohet se avokatët e të pandehurëve kanë pretenduar ndalim të paligjshëm.
Gjithashtu, avokatët kanë pretenduar se prokurorët nuk kanë asnjë provë për akuzat që kanë ngritur, për “gjobëvënie”, “kanosje”, etj.
Shullazi nuk ka qenë i pranishëm në gjyq por ka depozituar një kërkesë ku thotë se nuk dëshiron të vijë të ndjekë seancën për masën e sigurisë në gjykatë.
Shullazi nuk ka pranuar masën e arrestit me burg që më herët dha gjykata e shkallës së parë.
Emiljano Shullazi, i arrestuar për gjobëvenie dhe marrje të pasurisë përmes kërcënimeve u transferua pak ditë më parë në Tiranë, duke lënë qelitë e burgut të sigurisë së zakonshme, në Elbasan.
Ai, së bashku me Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin gjendeshin në burgun 302, deri sa u transferuan në tre burgje të ndryshme javën që shkoi. Shullazi u dërgua në Elbasan, ndërsa Blerimi te 313ta dhe Dani në FushëKrujë.