Pas riçeljes së hetimit për prokurorin e Tiranës, Gjergji Tako, Komisoni njoftoi se ka kryer hetim të gjerë për profesionalizmin dhe se ka konstatuar mangësi në vendimarrjet për mosfillim e pushim të hetimeve. Tako i kundërshtoi gjetjet me precedentët e kolegëve të tjerë të veting.
Seanca e dytë dëgjimore e zhvilluar të mërkurën më 15 qershor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për rivlerësimin kalimtar të prokurorit të Tiranës, Gjergji Tako u dominua nga gjetjet në kriterin profesional lidhur me vendimarrje pa kryer hetime dhe në mungesë të arsyetimit ligjor. Vetë Tako argumentoi se praktika e tij ishte “pa perfeksione laboratorike”, por ai shtoi se ajo ishte mesatare dhe ishte lënë në fuqi nga gjykatat.
Më herët në seancën e zhvilluar më 27 prill, prokurori Tako dha shpjegime për përdorimin e disa automjeteve pa dokumentacion të rregullt, si dhe për hetime të pushuara pa kryer më parë veprime hetimore. Më 28 prill, KPK njoftoi në faqen online se ishte vendosur riçelja kryesisht e hetimit administrativ.
Procesi i vetingut për Takon po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me anëtare Pamela Qirkon dhe relatore Etleda Çiftjan – e cila po përballet gjithashtu me një hetim nga SPAK për deklarim të rremë dhe falsifikim. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.
Relatorja Çiftja sqaroi se riçelja e hetimit ishte kryer pasi Komisioni kishte konstatuar se nuk ishin dorëzuar disa dokumentacione, si dhe i ishte kërkuar subjektit që të dorëzonte të dhëna për të ardhurat e dy personave në Itali. Tako tha në seancë se nga verifikimi që kishte kryer nëpërmjet postës, ditën e sotme kanë mbërritur dokumentet me vulë apostile dhe se do t’i dorëzonte.
Nga hetimi për një automjet të përdorur nga Tako nuk është gjetur që ai të ishte në konflikt interesi. Po ashtu, nuk janë gjetur probleme për një truall dhe objekt në Përmet, në pronësi të të atit, që i është nështruar verifikimeve pas riçeljes së hetimeve.
Gjetjet për profesionalizmin
Çiftja deklaroi se pas riçeljes, Komisioni ka kryer një hetim të zgjeruar për profesionalizmin duke i shtrirë verifikimet në periudhën 2007-2017. Trupa e KPK-së ka përzgjedhur me short 15 çështje të verifikuara dhe hetuara nga Tako, konkretisht 5 çështje për të cilat subjekti ka vendosur mosfillimin e hetimeve, 5 vendime pushimi dhe 5 kërkesa për gjykim.
Nga verifikimi i një vendimi për mosfillim për një çështje për ndërtim pa leje në vitin 2014, prej Komisionit është konstatuar se Tako ka mbajtur qëndrim tjetër për një kallëzim me të njëjtin objekt në të njëjtin vit, duke e dërguar për gjykim.
Sipas KPK, nga vendimi i mosfillimit rezulton se nuk është analizuar lidhur me veprën penale, si nuk është hetuar nëse ishte ndërtuar në pronë publike.
Mangësi janë konstatuar dhe në kërkesën për gjykim për çështjen tjetër për të njëjtën vepër penale.
Prokurori Tako shpjegoi se bëhej fjalë për një ndërtim mbi një ndërtim shtesë dhe se në atë periudhë konsiderohej si kundravajtje administrative. “Kam sjellë si provë një vendim të njëjtë për situatë të njëjtë të një kolegu që e ka kaluar vetingun dhe kërkoj të trajtohem njëlloj”, argumentoi Tako.
Lidhur me çështjen tjetër për ‘ndërtim pa leje’ të dërguar për gjykim, Tako deklaroi se në atë periudhë kishte hyrë në fuqi legjislacioni që i jepte fund tolerancës së institucioneve për ndërtimet pa leje. Sipas tij, me legjislacionin e ri, mund të trajtoheshin penalisht edhe ndërtimi i kateve mbi kate të tjera. Ai shtoi se i pandehuri e ka pranuar akuzën dhe se gjykata ka qenë dakort me kërkesën e tij për gjykim. Tako këmbënguli se qëndrimi i tij i ndryshëm kishte ndodhur për shkak të ndryshimeve ligjore.
Në seancë u evidentuan mangësi në pesë çështje të hetuara prej subjektit për “mbajtje dhe përdorim të lëndëve narkotike” që janë pushuar nga subjekti. Sipas relatores Çiftja, Tako nuk ka kryer hetimet për të konkluduar që dozat kanë qenë të vogla, si dhe për të mbledhur provat e nevojshme.
Çiftja tha se konstatohen mangësi të subjektit në njohuritë ligjore. Sipas Komisionit, vendimet e pushimit nuk janë të mbështetura në aktet e ekspertimit toksikologjik të lëndëve narkotike të sekuestruara dhe se janë rrjedhojë e mosanalizimit të veprës penale.
Tako deklaroi se ka qindra vendime mosfillimi të prokurorëve të tjerë në rastet e kapjes së personave me 3 gramë lëndë narkotike të llojit cannabis sativa ose në sasi më të vogla. “Kam sjellë vendime të kolegëve që e kanë kaluar vetingun dhe ata kanë vendosur mosfillim, kurse unë u kam pushuar pasi kam kryer hetime”, u mbrojt Tako.
Ai vijoi shpjegimet lidhur me këtë çështje, duke pretenduar se tashmë mjekësia ligjore, bazuar edhe në praktikën evropiane, dozat e hashashit nga 5 gramë ose më të vogla i vlerëson për përdorim vetjak. “Vendimarrja ime për moskryerjen e ekspertimeve ka qenë largpamëse”, pohoi Tako.
Sipas subjektit, ka raste që rezultatet e ekspertimeve mbërrijnë në prokurori pas 10 muajsh ose më shumë dhe se do të duhej të kryente shtyrje fiktive të hetimeve për këtë arsye. “Do kishte shtyrje fiktive dhe për pasojë do të kishte kufizim të lirive të qytetarëe për një akt ekspertimi. Kam ruajtur interesat kushtetuese të qytetarit. Kam qenë konstruktiv. Pavarësisht mangësive që mund të kem, vlerësoj se kam ruajtur interesin publik dhe të qytetarëve”, pohoi Tako.
Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka pushuar një çështje për ndotje të ajrit, pa kryer analizë ligjore lidhur me ndotjen e mjedisit nga veprimtaria e një furre gëlqereje. KPK ka gjetur pa lidhje arsyetimin e Takos se, për shkak se nuk ka rezultuar që për djegie të jenë përdorur lëndë plastike apo goma, nuk ka vepër penale. Po ashtu, është konstatuar se mundon arsyetimi ligjor në vendimin e pushimit.
Tako deklaroi se ishte ai që kishte bërë praktikë në Prokurorinë e Tiranës lidhur me këto çështje. “Nga gjashtë çështje që janë dërguar për gjykim prej Prokurorisë së Tiranës, pesë i kam bërë unë, se të tjerët nuk i kanë filluar kallëzime të tilla. Nuk ka tjetër që ka çuar në gjyq çështje për ndotjen nga furrat e gëlqeres”, theksoi Tako.
Ai pretendoi se nuk kishte një limit të nivelit të ndotjes nga të përcaktohej nëse shkelja ishte administrative ose penale. Tako e cilësoi si formal mendimin e policisë gjyqësore për dërgimin për gjykim të çështjes së pushuar prej tij. “Por nuk ka kryer ankim vendimin e pushimit”, pohoi Tako dhe sqaroi se në atë periudhë policia gjyqësore kishte mundësi të kryente ankim tek drejtuesi dhe prokurori i përgjithshëm lidhur me vendimarrjen e prokurorit.
Mangësi të subjektit në njohuritë ligjore janë konstatuar edhe në pushimin e një çështje të regjistruar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm tek funksionarët publikë” në vitin 2016. Nga sa u relatua në seancë dhe prej shpjegimeve të Takos u mësua se ndikimi ishte tentuar të kryhej në Ministrinë e Mjedisit. Çiftja pohoi se pushimi i kësaj çështje ishte kryer pa analizuar elementët e veprës penale për të cilën ishte regjistruar procedimi.
Tako solli në vëmendje se hetimi i kësaj çështje ishte drejtuar nga njësia Taks-Forcë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe se ishte konkluduar me vendim pushimi. “Vepra penale ndodh edhe në rastet kur nuk ka pasojë nga kryerja e tenderit, por në këtë rast nuk ka ndodhur procedura e tenderimit dhe nuk ka objekt”, argumentoi Tako.
Sipas tij, nuk qëndron mendimi i Komisionit, se njëri nga të hetuarit e kishte kryer ndikimin dhe për rjedhojë duhej të ishte dënuar.
Vëzhguesi ndërkombëtar, Tonci Petkovic solli në vëmendje faktin se ai person që dyshohej për ndikim kishte dhënë para. Por, prokurori Tako deklaroi se palët ishin pyetur për këtë rrethanë dhe kishin deklaruar se i kishin borxh njëri-tjetrit. “Edhe unë kisha dyshime, por mungonte objekti dhe do të isha në kundërshtim me ligjin po të vijoja hetimet,” pohoi Tako.
Ai e cilësoi si ‘grotesk’ qëndrimin e personave që dyshoheshin për ndikim. “Si tifozë rrinin jashtë ministrisë, por nuk u prodhua gjë,” shpjegoi Tako.
Mangësi në arsyetimin ligjor është konstatuar dhe në vendimin e mosfillimit të hetimit për një kallëzim dhe për një çështje tjetër për ‘mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë’.
Sipas Takos, punonjësit e policisë kishin pretenduar se i shoqëruari prej tyre i kishte fyer. “Këta punonjës policie kanë thyer ligjin, pasi duhej të shmangnin konfliktin e interesit. Nuk duhej ta shoqëronin ata, por të thërrisnin një patrullë tjetër”, argumentoi Tako.
Sipas tij, policia kishte gabuar duke e shoqëruar personin në fjalë me qëllim që të merrej identiteti i tij, pasi nuk kishte me vete kartën e identitetit. Tako tha se qytetari kishte deklaruar se e kishte pasur shtëpinë afër dhe mund të shkonin fillimisht aty për të konstatuar identitetin e tij. “Policia duhet që ta ushtrojë detyrën në formën që qytetari të ndihet i mbështetur”, pohoi Tako.
Tako dha shpjegime edhe për konstatimet e KPK për mangësi e arsyetimit ligjor në disa vendime pushimi, konkretisht lidhur me një kallëzim për ‘shpërdorim detyre’; për; ‘dëmtime të tjera me dashje’, për dhe për ‘shkelje të barazisë në tendera’. Ai pohoi se e kishte përcaktuar bazën ligjore.
Për disa çështje të dërguara për gjykim për veprat penale ‘mashtrim’, ‘mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake’, ‘vjedhje’ dhe ‘dhunë në familje’, Komisioni ka konstatuar mangësi trë analizës ligjore. Tako theksoi se kërkesat e tij për gjykim që janë verifikuar nga KPK janë gjetur të drejta nga gjykatat dhe kanë marrë formë të prerë.
“Nuk janë konsumuar mangësitë sa të cënojnë besimin. Kërkesa ime është mesatare ‘pa perfeksione laboratorike’”, deklaroi Tako lidhur me konstatimin e kryer nga Komisioni për një kërkesë për gjykim ndaj një të pandehuri për ‘dhunë në familje’.
Në përfundim, prokurori i Tiranës Gjergji Tako u shpreh se kërkonte një qëndrim normal, pasi kishte arritur nivel normal. Ai kërkoi të konfirmohej në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 17 qershor, në orën 09:50. /BIRN/