Nga Artan Fuga
Unë nuk dua ta besoj që deklarata në televizion e zonjës nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, e cila thotë se aprovimi i një deklarate që dënon genocidin e Milosheviçit ndaj shqiptarëve në Kosovë bie ndesh me politikat e sotme për Open Ballkan, të jenë qendrime të një shqiptari, të një force politike shqiptare, të qeverisë shqiptare, të grupit parlamentar të shumicës, të Kuvendit të Shqipërisë!
Kam dëshirë të jetë një shkarje mendore e çastit.
Të jetë një moskuptim i asaj që flet!
Të jetë një gafë logjike nga dashuria me vetveten dhe që të bën të humbasësh vlerësimin kritik të asaj që thua! Edhe mua më qëllon!
Zonja ka folur me nxitim, me siguri e pautorizuar, ka hyrë në histori, në marrëdhëniet me jashtë, ku me siguri nuk ka pikën e kompetencës politike për ta bërë!
Por, nëse zonja nuk del t’u kërkojë falje shqiptarëve, aq të fyer sa jemi, nëse Kuvendi nuk bën deklaratë distancimi, nëse qeveria nuk e dënon këtë deklaratë, atëhere jemi në pragun e asaj që nuk mendohej se do të arrinte një ditë!
Unë personalisht distancohem! Fort, prerë, pa asnjë ekuivok!
Eshtë njësoj si Franca të mos dënojë më Hitlerin dhe nazizmin për hir të marrëdhënieve të sotme me Gjermaninë!!!
Nënkupton se për zonjën marrëdhëniet me Serbinë nuk qenka me një open Ballkan postmillosheviçian, por me vetë rregjimin e Millosheviçit që mërzitet nëse dënojmë atë për të cilën edhe NATO ndërhyri!
Eshtë që për interesat e sotme pragmatiste të një politike të jashtme në ajër ende, të mohohet soloidariteti ynë kombëtar!
Kosova paska njëmijë herë të drejtë që është skeptike ndaj politikës të Open Ballkan sepse sheh atje nënkuptime të tjera!
Kjo deklaratë e zonjës nënkryetare të Kuvendit e shpartallon edhe vetë bashkëpunimi e popujve në një gadishull të hapur politikisht dhe ekonomikisht sepse i kundërve atij qendrimin e disa milionë shqiptarëve!
Pse shqiptarët dhe vuajtjet e tyre do të sakrifikohen për Open Ballkan? Përse Open Ballkan qenka i papajtueshëm me historinë e dhimbshme shqiptare?
E sotmja fshika të kaluarën? Mos duhet të themi se meqë na duhet Open Ballkan nuk ka pasur fare viktima dhe represion në Kosovë? Se këtu të çon logjika!
Opinioni publik kërkon t’i kërkohet falje! Ndryshe loja ka mbaruar!