Nëse tatimpaguesi ka kryer transaksione, të cilat nuk i ka deklaruar dhe për pasojë nuk ka paguar tatimin përkatës që detyrohet, atij i jepet mundësia të deklarojë çdo të dhënë për transaksionin e padeklaruar, nëpërmjet një “formulari-pyetësor”, që i vihet në dispozicion së bashku me njoftimin për kontroll.
Në një udhëzim të posaçëm për procedurat tatimore, Ministria e Financave sqaron se, pas plotësimit të formularit-pyetësor dhe dorëzimit të tij në Drejtorinë Rajonale Tatimore, tatimpaguesi vetëdeklaron mbi bazën e rivlerësimit të deklaratave tatimore të periudhave përkatëse, transaksionet e padeklaruara dhe të pasqyruara në formularin-pyetësor duke paguar menjëherë tatimin ose kontributin përkatës së bashku me kamatëvonesën, të llogaritur në përputhje me nenin 76, të ligjit.
Deklarimi, sipas kësaj pike, është i vlefshëm vetëm nëse bëhet brenda 30 ditëve kalendarike, përpara fillimit të kontrollit të plotë tatimor.
Për detyrimin tatimor të deklaruar përpara fillimit të kontrollit tatimor nuk aplikohet gjobë për pagesë të vonuar, por aplikohet dënimi administrativ me gjobë në masën 50% të tatimit ose kontributit përkatës.
Ky dënim llogaritet dhe vlerësohet nga inspektori i kontrollit dhe i njoftohet tatimpaguesit nëpërmjet njoftim-vlerësimit tatimor të lëshuar në përfundim të kontrollit tatimor.
Nëse dënimi i aplikuar, sipas kësaj dispozite, është më i madh se dënimi që aplikohet për shkeljen sipas dispozitës përkatëse të kreut XIV “Sanksionet” të ligjit, atëherë aplikohet dënimi më i ulët.
Nëse tatimpaguesi nuk deklaron përpara fillimit të kontrollit, merret i mirëqenë fakti që nuk ka detyrim tatimor për të deklaruar. Në këtë rast për çdo detyrim tatimor apo shkelje të konstatuar gjatë kontrollit vijon procedura normale e kontrollit, në përfundim të së cilës nxirren rezultatet e kontrollit duke aplikuar gjithashtu çdo dënim administrativ të parashikuar sipas ligjit “Për procedurat tatimore”.
Pas përgatitjes së raportit të kontrollit nga ana e inspektorëve të kontrollit dhe para dërgimit të tij te tatimpaguesi, raporti i kontrollit miratohet nga strukturat përkatëse të kontrollit përfshirë përgjegjësin e sektorit, drejtorin e kontrollit tatimor, si dhe drejtori i drejtorisë rajonale. Një kopje e raportit të kontrollit i dërgohet tatimpaguesit me shërbimin postar rekomande. Monitor