*Nga Viktor Orban
Zonja dhe zotërinj, të dashur miq amerikanë dhe konservatorë nga e gjithë bota, ju uroj mirëseardhjen të gjithëve. Dhe një mirëseardhje e veçantë për mikun tim Václav Klaus. Nuk është surprizë që ai është intelektuali më i guximshëm në Evropë, ashtu siç është i pasur në vite; por ajo që është befasi për të gjithë ne është se ai është ende më i riu dhe më i freskëti ndër ne. I dashur Klaus, faleminderit shumë që erdhët dhe jeni me ne.
E di që ju të gjithë meritoni një fjalim më të mirë se ky, por të gjithë e dimë se njeriu nuk mund të notojë ose të vrapojë një kohë rekord botëror në mëngjes. Ju lutemi mbani këtë në mendje ndërsa dëgjoni mendimet e mia. Gjithsesi, është shumë mirë që jeni sot këtu. Koha është një aksident i lumtur: një muaj më parë ne shënuam fitoren tonë të katërt radhazi në zgjedhje dhe katër ditë më parë formova qeverinë time të pestë konservatore, të krishterë; dhe tani jam këtu me ju. Është gjithmonë mirë të jesh në gjendje të flasësh mes miqsh dhe është veçanërisht mirë të kesh diçka me të cilën të mbështetësh fjalët; dhe ne hungarezët me të drejtë mendojmë se kemi diçka me të cilën të mbështesim fjalët tona.
Miqtë e mi, ne kemi bërë një rrugë të gjatë. Në vitet 1980 lexojmë se çfarë po ndodhte në Shtetet e Bashkuara nga materialet e shpërndara në mënyrë klandestine në ish-Bllokun Lindor; dhe tani ja ku jemi, me Hungarinë që pret mbledhjen më të rëndësishme politike të Partisë Republikane, Partinë e Vjetër të Madhe. Më kujtohet qartë se si ju kishim zili atëherë: kishim zili kulturën tuaj të debatit demokratik; lirinë në të cilën kishit rregulluar çështjet publike në Amerikë; ne e kishim zili Presidentin tuaj Reagan për karizmën e tij, dëshirën e tij, zgjuarsinë dhe politikat e tij – dhe, natyrisht, ne bënim tifozllëk për të. Gjithçka që ne kishim ishin funksionarët komunistë me kostum gri dhe propagandën e tyre politike, një atmosferë mbytëse dhe dëshpërim.
Të dashur miq amerikanë, nëse e keni parë serialin ‘Çernobil’, mund të keni një ide se për çfarë po flas. Kishim dyzet vite të gjata me këto. Dhe sot ne jemi mikpritës i kësaj ngjarjeje madhështore, për të cilën dua të falënderoj organizatorët, por mbi të gjitha ju që po na nderoni me praninë tuaj. Në emër të çdo hungarezi, falënderoj miqtë tanë amerikanë dhe ata nga vendet e tjera që na nderuan dhe erdhën këtu në Budapest.
Si mund të kontribuoj në mbledhjen e sotme? Ndoshta nëse do t’ju tregoj se si fituam: si e mposhtëm fillimisht regjimin komunist; pastaj si i mundëm liberalët; dhe më pas, së fundmi, se si po e mposhtim të majtën liberale ndërkombëtare kur ata bashkuan forcat e tyre kundër Hungarisë në zgjedhje. Unë do t’ju tregoj tani se si i mundëm për herë të parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë – dhe si do t’i mposhtim përsëri. Ndërsa mbështetësit e Fradi ‘klubit të futbollit Ferencváros’ thërrasin: ‘Më shumë, më shumë, më shumë, ka akoma më shumë gola për të shënuar!’ Unë do t’ju tregoj se si studentët e zjarrtë ia dolën të shpërbënin një diktaturë, pastaj të thyenin hegjemoninë mbi opinionet që gëzonin komunistët dhe liberalët e kthyer dhe si arritëm t’i jepnim fund dominimit të progresistëve në jetën publike. Unë do t’ju tregoj se si Hungaria u bë një bastion i vlerave konservatore dhe të krishtera në Evropë. Në vend të një fjalimi tim të gjatë,do ta bëj shkurt dhe thjesht. Mësuam nga gjenerali Patton se beteja nxjerr në pah më të mirën tonëdhe heq gjithçka që është negative. Kjo është e vërtetë edhe në fushën e betejës politike. Këtu, miqtë e mi, vetëm më të mirët mbeten në këmbë—ose, me pak fjalë, kushti përfundimtar për fitoren është që ne të bëhemi më të mirët. Mund të fitosh vetëm nëse je më i miri.
Zonja dhe zotërinj, po filloj duke thënë se ju politikanë që e doni vendin tuaj përballeni me një problem që ne hungarezët e kemi trajtuar tashmë me sukses. Ky problem – në mos gabohem, si në Amerikë ashtu edhe në Evropën Perëndimore – është dominimi i jetës publike nga liberalët përparimtarë. Problemi qëndron tek fakti se ata mbajnë postet më të rëndësishme në institucionet më të rëndësishme, që zënë pozitat dominuese në media dhe që prodhojnë të gjitha veprat politikisht indoktrinuese të kulturës së lartë dhe masive. Ata – e majta progresive – na thonë se çfarë është e vërteta dhe çfarë jo, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Dhe si konservatorë, fati ynë është se ndjehemi në jetën publike të kombeve tona, siç u ndje Sting në Nju Jork: si një ‘i huaj ligjor’.
Të dashur miq amerikanë, kjo ishte situata edhe në Hungari. Tridhjetë vjet më parë, e majta ishte gjithashtu në pushtet këtu – madje kishte një diktaturë komuniste. E gjithë makineria e shtetit punonte për të rrënjosur pushtetin e komunistëve. Sado e çuditshme të tingëllojë, ne – dhe unë – jemi rritur në një ‘botë të rizgjuar’. Vetëm në atë kohë, teoria kritike e racës quhej ‘socializëm shkencor’ dhe mësohej në universitet në të njëjtën mënyrë siç mësohet sot në vendin tuaj. Një diktaturë e përditshme socialiste: kjo është ajo në të cilën jemi rritur. Korrektësia politike, Propaganda Orëelliane, kontrolli shtetëror i debatit publik, shpronësimi i pronës private dhe stigmatizimi i së djathtës.
Të dashur miq amerikanë dhe vizitorë të tjerë, në komunizëm kishim një shaka;për aq sa ishte e mundur të bëhej shaka në komunizëm. Dhe shakaja ishte se në Bashkimin Sovjetik u mbajt një konkurs për shaka politike, me kushtet e mëposhtme: garuesi që dilte i treti do të fitonte një udhëtim gjithëpërfshirës në Siberi për dy javë; nënkampioni për një vit; dhe fituesi për tërë jetën.
Miq amerikanë, nëse mendoni se kjo shaka po bëhet gjithnjë e më kuptimplote për ju, ka ardhur koha të filloni të veproni. Në të gjitha ngjarjet ne u ngritëm dhe në fund të viteve 1980 vendosëm që ishtë bërë mjaft. Ne donim të rifitonim vendin dhe lirinë tonë; ne donim të rifitonim lirinë e vendit tonë. Komunistët nuk e lanë këtë pa përgjigje: sulme policore, ndalime, përgjime, infiltrim të agjentëve të shtetit, kërcënime dhe shantazhe. Por ne qëndruam dhe fituam. Sovjetikët jashtë, komunistët poshtë. Menduam se më në fund kishim atë që donim, por gabuam: në diktaturë liberalët dhe konservatorët hynë në një pakt antikomunist, por në rastin e parë që ju dha mundësia liberalët dolën në anën e komunistëve. Doli se në fakt ata ishin aleatë të natyrshëm. Nëse nuk gabohem, kjo lloj besëlidhjeje mëkatare është parë edhe në Shtetet e Bashkuara. Summasummarum, jeta publike pas zgjedhjeve të para ‘në Hungarinë e pas komunizmit’ u dominua nga postkomunistë, liberalë dhe progresistë, dhe e djathta hungareze u sheshua.
Kur miku im Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016, një nga premtimet e tij kryesore ishte nevoja për të ‘tharë kënetën’. Presidenti Trump ka merita të pamohueshme, por megjithatë ai nuk u rizgjodh në vitin 2020. Ai përfundoi si qeveria jonë e parë konservatore e krishterë në vitin 2002: ne qeverisëm në mënyrë të jashtëzakonshme – pas kaq shumë vitesh ndoshta mund ta them pa modesti – por ne u tërhoqëm zvarrë nga këneta e së majtës hungareze. Dhe më pas, midis 2002 dhe 2010, ne pamë se çfarë ndodh përgjithësisht në rrethana të tilla: socialistët shpenzuan paratë e popullit. Hungaria u zhyt në borxhe, ekonomia ra në recesion, inflacioni doli jashtë kontrollit, papunësia u rrit dhe njerëzit nuk ishin në gjendje të paguanin faturat. Shpërtheu dhuna në rrugë dhe grupet paraushtarake ishin në marshim. Ishte shumë kohë më parë, por të mos harrojmë: rradha e vrasjeve me motive etnike zemëruan ndjenjën publike. E majta kishte shkurtuar aq shumë shpenzimet për policinë, saqë nuk ishte në gjendje as të pretendonte se ruante rendin; me ligjin që mbronte autorët dhe jo viktimat.
Të dashur miq amerikanë, mendoj se keni parë të tilla si kjo. Shkrimet thonë: ‘çdo pemë njihet nga fryti i vet’. Epo, fryti i qeverisjes progresive flet vetë: rrënim ekonomik dhe dhunë në rrugë. Kur një qeveri e majtë vjen në pushtet, historia pothuajse gjithmonë përfundon në të njëjtën mënyrë. Por, të dashur miq, në vitin 2002 ne organizuam një lëvizje popullore dhe rezistencë intelektuale me forcat qe na ngelën pas disfatës sonë zgjedhore. Ne nuk kaluam në mbrojtje dhe nuk u dorëzuam në statusin tonë të pakicës; ne luajtëm për të fituar dhe shpallëm Reconquista.
Të dashur miq, plani pati sukses. Në vitin 2010 u kthyem. Kishim punuar tetë vjet: hap pas hapi, tullë më tullë, kishim luftuar dhe kishim ndërtuar. Formula është e plotë. Hungaria është laboratori në të cilin ne testuam kundërhelmin e dominimit nga progresistët. Ne kemi varur veshjet tona laboratorike, këtë pranverë Hungaria ka marrë dozën e saj të katërt, dhe unë mund të raportoj sa vijon: pacienti është shëruar plotësisht. Ilaçi nuk është secret; është pa pagesë dhe përfshin dymbëdhjetë pika—të cilat do t’i ndaj me ju tani. Për dijeninë e miqve tanë të huaj, dymbëdhjetë është numri me fat i luftëtarëve hungarezë të lirisë.
Pika e parë në formulën hungareze është të luajmë sipas rregullave tona. Mënyra e vetme për të fituar është të refuzoni të pranoni zgjidhjet dhe rrugët e ofruara nga të tjerët. Siç thoshte Churchill, ‘të kesh armiq është një shenjë e sigurt se po bën diçka të drejtë’. Kjo është arsyeja pse ne nuk duhet të dekurajohemi nga shpifjet, duke u cilësuar si të mjerë, apo duke u trajtuar jashtë vendit si ngatërrestarë. Në fakt, do të ishte e dyshimtë nëse asgjë nga këto nuk do të ndodhte. Ju lutemi mbani mend se ata që luajnë sipas rregullave të kundërshtarëve të tyre, humbasin me siguri.
Pika e dytë: konservatorizmi kombëtar në politikën e brendshme. Kauza e kombit nuk është çështje ideologjie, madje as tradite. Arsyeja që kishat dhe familjet duhet të mbështeten është se ato janë blloqet ndërtuese të kombit. Kjo do të thotë gjithashtu se duhet të qëndrojmë në anën e votuesve. Ne vendosëm të ndalojmë migrimin dhe të ndërtojmë murin në kufirin tonë jugor, sepse hungarezët thanë se nuk donin emigrantë të paligjshëm. Ata thanë: ‘Viktor, ndërto atë mur!’ Tre muaj më vonë, barriera kufitare u ngrit. Sekreti është të mos i mendosh shumë gjërat: gardhi hungarez është një strukturë e thjeshtë zinxhirësh me detektorë lëvizjeje, kulla vrojtimi dhe kamera; por kjo është e mjaftueshme, me kusht që njerëzit të duan të mbrojnë vendin e tyre. Thembra e Akilit e progresistëve është pikërisht se ata duan të imponojnë ëndrrat e tyre në shoqëri. Por për ne ky rrezik është edhe një mundësi, sepse kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, në realitet njerëzit nuk i pëlqejnë ëndrrat e etheve të majta. Ne duhet të identifikojmë çështjet për të cilat e majta është krejtësisht jashtë realitetit dhe t’i nxjerrim në pah ato – por në një mënyrë që mund të kuptohen nga njerëzit që nuk janë kokë fortë.
Pika e tretë: interesi kombëtar në politikën e jashtme. Progresistët mendojnë gjithmonë se politika e jashtme është një betejë ideologjish: një betejë midis së mirës dhe së keqes, në të cilën rrjedha e historisë do të vendoset një herë e përgjithmonë. Por siç e shoh unë, të dashur miq, ka pasur të paktën katër ‘beteja të fundit të mëdha’ të tilla gjatë njëqind viteve të fundit. Diçka nuk shkon me këtë koncept. Përgjigja jonë duhet të jetë një antitezë e qartë dhe e thjeshtë ndaj progresistëve: Kombi i pari! Hungaria e para! Amerika e para! Ne kemi nevojë për politikë të jashtme të bazuar në interesat tona. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë, sepse bota e politikës së jashtme është shpesh e ndërlikuar. Merrni luftën në vendin tonë fqinj. Rusia është agresori dhe Ukraina viktima. Ne dënojmë agresorin dhe ndihmojmë viktimën e agresionit. Por në të njëjtën kohë ne e dimë se Ukraina nuk po mbron Hungarinë. Kjo është një ide e pakuptimtë! Hungaria mund të mbrohet nga NATO dhe Forcat e Mbrojtjes Hungareze. Në raport me përqindjen e popullsisë, ne kemi pranuar numrin më të madh të refugjatëve dhe populli hungarez është i lumtur të ndihmojë. Ata janë të kënaqur të ndihmojnë, por nuk duan të paguajnë çmimin e luftës, sepse nuk është lufta e tyre dhe nuk do të përfitojnë prej saj. Ata e dinë mirë se lufta shoqërohet me sanksione, inflacion të shfrenuar dhe stagnim ekonomik; ata e dinë se lufta gjithmonë i varfëron njerëzit. Ne nuk duhet t’i dorëzohemi zërave të sirenave, sado joshëse që mund të tingëllojnë. Qëllimi ynë është të rivendosim paqen, jo të vazhdojmë luftën, sepse kjo është ajo që është në interesin tonë kombëtar. Hungaria e para!
Pika e katërt: të dashur miq, ne duhet të kemi mediat tona. Ne mund të paraqesim idetë e çmendura të së majtës progresive vetëm nëse kemi media që na ndihmojnë ta bëjmë këtë. Opinionet e majta duket se janë në shumicë vetëm kur media ndihmon për t’i përforcuar ato. Rrënja e problemit është se media moderne perëndimore përshtatet me pikëpamjet e së Majtës. Gazetarët u mësuan në universitet nga njerëz me pikëpamje të majta progresive. Dhe sapo një figurë konservatore del në media, ata kritikohen, sulmohen, shpifen dhe shahen. Jam njohur me etosin e vjetër të demokracisë perëndimore, sipas të cilit politika partiake dhe shtypi duhet të ndahen. Kështu duhet të jetë. Por, të dashur miq, demokratët në SHBA, për shembull, nuk u binden rregullave të tilla. Thjesht përpiquni të numëroni sa media janë në shërbim të Partisë Demokratike: CNN, The Neë York Times, lista vazhdon – mund të vazhdoj deri në darkë. Natyrisht, Partia e Vjetër e Madhe, gjithashtu, ka media aleate, por ato nuk mund të krahasohen me dominimin e mediave nga liberalët. Miku im Tucker Carlson qëndron i vetëm dhe i palëvizshëm. Shfaqja e tij ka shifrat më të larta të audiencës. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që duhet të ketë shfaqje si ditë e natë- ose, siç thoni ju, 24/7.
Pika e pestë: ekspozoni qëllimet e kundërshtarit. Si kusht për fitore, mbështetja mediatike është e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Ne gjithashtu duhet të thyejmë tabutë. Ndoshta nuk kam nevojë t’ua prezantoj këtë miqve të mi amerikanë, sepse cili thyes tabush është më i madh se Presidenti Donald Trump? Por gjithmonë mund të ngremë stekën: ne nuk duhet të thyejmë vetëm tabutë e sotme, por edhe tabutë e së nesërmes. Këtu në Hungari ne ekspozojmë atë që e majta po përgatit para se të ndërmarrë veprime. Në fillim do ta mohojnë, por suksesi është më i ëmbël kur del se kemi pasur të drejtë gjatë gjithë kohës. Për shembull, ekziston çështja e propagandës LGBTQ që synon fëmijët. Kjo është ende një gjë e re këtu, por ne e kemi shkatërruar tashmë. Ne e hapëm si çështje dhe mbajtëm një referendum për të. Shumica dërrmuese e hungarezëve e refuzuan këtë formë të sensibilizimit të fëmijëve. Duke zbuluar në një fazë të hershme se çfarë po përgatiste e majta, ne i detyruam ata të kalonin në mbrojtje dhe kur ata sulmuan iniciativën tonë, ne i detyruam që përfundimisht të pranojnë vërtetësinë e planit të tyre. Më lejoni të citoj përsëri gjeneralin Patton: ‘Një plan i mirë, i zbatuar me forcë tani, është më i mirë se një plan i përsosur javën e ardhshme.’
Pika e gjashtë: ekonomia, ekonomia, ekonomia. Të gjithë e dimë se e majta dëshiron ta operojë ekonominë sipas nocioneve abstrakte. Ky është një kurth për të Djathtën. Mos u bini kurrë prehë e kësaj! Kur erdhëm në pushtet, vendosëm që duhet të ndiqnim vetëm politika ekonomike nga të cilat përfitojnë shumica e votuesve. Këtu në Hungari kemi një moto për këtë: ‘Edhe ata që nuk votuan për ne përfundojnë më mirë’. Në këtë, ne jemi e kundërta polare e progresistëve: edhe ata që i kanë votuar përfundojnë më keq. Në fund të fundit njerëzit duan punë: njerëzit duan punë, jo teori ekonomike. Njerëzit duan të bëjnë një hap përpara në jetë dhe duan një jetë më të mirë për fëmijët e tyre sesa jeta që kanë pasur. Nëse një qeveri e së djathtës nuk është në gjendje t’i japë të gjitha këto, ajo është e dënuar me dështim.
Pika jonë e shtatë: mos u shtyni në ekstrem. E them këtë sepse teoritë ekstreme të konspiracionit ngrenë kokë herë pas here nga e djathta – ashtu si utopitë ekstreme rregullisht e mbajnë kokën nga e majta. Nëse hedhim një vështrim më të thellë, do të shohim se në fakt njerëzit nuk duan asnjërën. Por, të dashur miq, cili është ndryshimi midis mohimit të shkencës nga e djathta ekstreme dhe mohimit të biologjisë nga lëvizjet LGBTQ? Përgjigja është e thjeshtë: nuk ka asnjë ndryshim. Ne duhet t’i japim Cezarit atë cfarë i takon Cezarit; Perëndisë cfarë i takon Perëndisë, dhe shkencës cfarë i takon shkencës. Ne mund të fitojmë popullaritet të jashtëzakonshëm në forumet e internetit duke promovuar teori konspirative – dhe me të vërtetë ndonjëherë ka të vërteta në to; por në realitet do të tjetërsojmë një pjesë të madhe të elektoratit, do ta gjejmë veten të shtyrë në margjina dhe përfundimisht do të humbasim.
Pika e tetë: lexoni çdo ditë. Një libër në ditë e mban larg humbjen. E di që kjo tingëllon e çuditshme. Unë vetë nuk jam akademik, por fakti është se asnjë shpikje nuk e ka tejkaluar ende librin si mjet për të kuptuar dhe përcjellë ide. Bota po bëhet gjithnjë e më komplekse dhe ne duhet t’i kushtojmë kohë për ta kuptuar atë. Unë, për shembull, lë mënjanë një ditë të tërë çdo javë për të lexuar. Leximi gjithashtu na ndihmon të kuptojmë se çfarë mendojnë kundërshtarët tanë dhe ku mendimi i tyre është me të meta. Nëse e kuptojmë këtë, pjesa tjetër është thjesht cështje teknikë. Të gjitha këto duhet t’i përkthejmë në gjuhën e veprimit të përditshëm dhe të komunikimit politik. Është e vërtetë që spin- doktori është një specie e dobishme; por të kuptuarit e problemit është diçka që duhet bërë nga ne si politikëbërës.
Pika e nëntë: ki besim. Mungesa e besimit është e rrezikshme. Nëse nuk besoni se do të ketë një llogaridhënie përfundimtare dhe se do të mbani llogari për veprimet tuaja përpara Perëndisë, do të mendoni se mund të bëni gjithçka që është në fuqinë tuaj. Pra, le të inkurajojmë politikanët e rinj konservatorë që të angazhohen me besim. Unë, fillimisht nuk e pata parë këtë si prioritet, por mësova se nëse i kushtojmë kohë besimit tonë, suksesi do të vijë më lehtë. Kam tridhjetë e dy vjet deputet dhe po e filloj vitin e shtatëmbëdhjetë si Kryeministër. I dëgjoj fjalët e profetit Isaia, i cili tha: ‘Nëse nuk qëndroni të patundur në besimin tuaj, mos qëndroni fare’. Në politikë, të dashur miq, ky është ligji.
Pika e dhjetë: bëni miq. Kundërshtarët tanë, liberalët progresivë dhe neo-marksistët, kanë unitet të pakufizuar: ata mbajnë njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, ne konservatorët jemi në gjendje të grindemi me njëri-tjetrin për çështjen më të vogël. Dhe pastaj ne pyesim veten se si kundërshtarët tanë na mundin. Ne vërtet posedojmë sofistikim intelektual dhe kujdesemi për nuancën intelektuale. Por nëse duam të kemi sukses në politikë, nuk duhet të shikojmë kurrë se në çfarë nuk pajtohemi, por përkundrazi duhet të kërkojmë gjuhën tonë të përbashkët. Unë do të jap një shembull. Vatikani është një nga aleatët tanë më të rëndësishëm evropianë. Është një aleat si kujdestar i të krishterëve; mbështet familjet, dhe ashtu si edhe ne besojnë se babai është burrë dhe nëna grua. Ne qëndrojmë së bashku për paqen dhe për refugjatët nga Ukraina. Por, në ndryshojmë përsa i përket emigracionit të paligjshëm. Ne nuk duhet të përqendrohemi tek çështjet mbi të cilat kemi mosdakordësi, por duhet të shikojmë për rrugët sesi mund të punojmë sëbashku. Më besoni, nëse nuk e bëjmë këtë, kundërshtarët tanë do tëna gjëmojnë njëri pas tjetrit.
Pika e njëmbëdhjetë: ndërtoni komunitetet. Miqtë e mi, ndër vite kam mësuar gjithashtu se nuk ka sukses politik konservator pa komunitete funksionale. Sa më pak komunitete të ketë dhe sa më të braktisur të jenë njerëzit, aq më shumë votues shkojnë te liberalët; dhe sa më shumë komunitete të ketë, aq më shumë vota marrim. Është aq e thjeshtë sa kaq. Nuk kam nevojë t’jua shpjegoj këtë: Shtetet e Bashkuara kanë klubet, shoqëritë dhe komunitetet që funksionojnë më mirë në botë. Ajo që duhet të kuptojmë është se një subjekt politik duhet të përfshijë komunitete të tilla.
Dhe së fundi, pika e dymbëdhjetë: ndërtimi i institucioneve. Për një politikë të suksesshme duhen institucione dhe institute. Qofshin ato think-tank, qendra arsimore, seminare talentesh, institute të marrëdhënieve me jashtë, organizata rinore apo çfarëdo tjetër, ato duhet të kenë një aspekt politik. Të mos harrojmë: politikanët vijnë e shkojnë, por institucionet qëndrojnë me ne për breza. Ato, institucionet, kanë kapacitet për të rinovuar politikën intelektualisht. Ide të reja, mendime të reja dhe njerëz të rinj nevojiten vazhdimisht. Nëse ata mbarojnë, neve do të na mbarojnë municionet dhe kundërshtari ynë nuk do të tregojë mëshirë për të na ulur poshtë.
Të dashur miq, e gjithë bota po përjeton ndryshime të mëdha. Është e çuditshme por e vërtetë që ideologjitë shkatërruese të fashizmit dhe komunizmit e kanë origjinën në Perëndim. Nuk e kemi menduar kurrë se komunistët mund të kthehen jo vetëm nga Lindja, por as nga Perëndimi. Tani shohim se progresistët po kërcënojnë të gjithë qytetërimin perëndimor dhe rreziku i vërtetë nuk është nga jashtë, por nga brenda. Ju të dashur miq amerikanë jeni përballur me këtë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ne në Bashkimin Evropian. Kemi të bëjmë me të njëjtët njerëz: burokratë pa fytyrë, të trajnuar ideologjikisht të ulur në Uashington DC dhe Bruksel. Liberalët progresivë, neo-marksistë të dehur nga ëndrra e rizgjimit, ata të paguar nga George Soros, avokatët e shoqërisë së hapur. Ata duan të prishin mënyrën perëndimore të jetesës që ju dhe ne e duam kaq shumë: atë për të cilën luftuan prindërit tuaj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë, dhe atë për të cilën luftuam ne kur i dëbuam komunistët sovjetikë nga Hungaria.
Miqtë e mi, ne duhet ta marrim flamurin e betejës dhe në këtë luftë mund të kemi sukses vetëm nëse jemi bashkë dhe të organizuar. Ne duhet të marrim përsëri institucionet në Uashington dhe Bruksel. Ne duhet të gjejmë miq dhe aleatë në njëri-tjetrin. Ne duhet të koordinojmë lëvizjen e forcave tona, sepse kemi një sfidë të madhe. Viti vendimtar do të jetë 2024: ju do të keni zgjedhje presidenciale dhe të Kongresit dhe ne do të kemi zgjedhje për Parlamentin Evropian. Këto dy vendndodhje do të përcaktojnë dy frontet në betejën që po luftohet për qytetërimin perëndimor. Sot ne nuk mbajmë asnjërin prej tyre. Megjithatë ne kemi nevojë për të dyja. Kemi dy vjet për t’u përgatitur. Mësimi hungarez është se ne nuk kemi asnjë plumb argjendi. Ne kemi vetëm punë. Duhet ta bëjmë. Le të dalim dhe ta bëjmë atë! Faleminderit dhe suksese!
*Ky fjalim u mbajt më 19 maj 2022 në CPAC Hungari.