Është mbledhur ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit Konferenca e Kryetarëve për të caktuar datën e raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri, pas dështimit ditën e djeshme të raundit të parë.
Në fjalën e mbajtur deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj u shpreh se vendi ka nevojë për një president euro-atalntik.
“Ne jemi brenda rregullores, kemi detyrimin t’i bëjmë këto mbledhje por po marrin formën e një gjëje ciklike që nuk prodhon politikë, por vetëm data. Ky proces që nuk është proces në fakt, besoj shumë që po e bën me turp politikën shqiptare, por me gjasë dhe turpi po i braktis trojet arbërore dhe po ikën nga Shqipëria. Maxhoranca ka numra për ta zgjedhur presidentin, por nuk mandate politike për ta zgjedhur atë. Deri tani ngjajmë me ata që duan ta popullojnë marsin. As ju nuk dini asgjë, as ne nuk dimë asgjë sepse jemi opozita dhe një opozitë me probleme që s’po merremi vesh, por kjo nuk justifikon hilet e fshehta. Ndoshta në optikën e njeriut që vendos për çdo gjë dhe për çdokënd, askush nuk është i denjë për postin e Presidentit të Republikës, atëherë ne mund të propozojmë që ta bëjë si punë part time paradite të jetë kryeministër dhe pasdite president Republike, t’i bashkojë dy poste në një. Kjo është një ironi e hidhur e një realiteti ku jetojmë. Besoj shumë që Shqipëria ka nevojë për një President më shumë se sa një njeri i opozitës apo i PS-së. Një president euro-atlantik. Në këtë krizë ku gjendet demokracia shqiptare, euroatlantikët në Shqipëri janë e vetmja garanci që mund t’ia shpëtojnë formën dhe kornizën demokracisë shqiptare. Revokoj këtu të gjithë faktorët politikë shqiptarë që mund të ndikojnë, do të ishte e udhës që secili të bëjë presion që Presidenti i ri të jetë as i Ramës, as i Berishës, as i Metës, por të jetë një person me integritet, me statusin e një personi të njohur dhe të pranuar nga bota perëndimore në Shqipëri si investim i rojtarit të demokracisë shqiptare”, tha Gjekmarkaj.
Referuar ligjit themeltar të Shqipërisë, në tri raundet e para kërkohet shumicë e cilësuar votash, pra me minimumi 84 vota në Parlament për të zgjedhur kreun e shtetit. Ndërkohë, në raundin e 4-t dhe të pestë kreu i shtetit zgjidhet me 71 vota.