Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) dhe Drejtori i Përgjithshëm i saj, Julian Beqiri, janë përdorur sot nga disa media për të përçuar idenë se ndërtimi i këndit të lojrave në Parkun e Liqenit nuk ka nevojë për ndonjë miratim nga institucionet mjedisore, përfshi Ministrinë e Mjedisit dhe AKM-në.
E vërteta e sanksionuar në ligj është ndryshe: leja e ndërtimit nuk ka lidhje dhe nuk kërkon leje mjedisore—sikurse e kanë intepretuar mediat—por vlerësimin e ndikimit në mjedis të ndërtimit.
AKM u dërgoi, sot, një letër një grupi qytetarësh ku i informonte se në këtë institucion nuk është bërë asnjë kërkesë për leje mjedisore nga Bashkia Tiranë. Gjatë ditës, Drejtori Beqiri u ka konfirmuar të njejtën gjë disa mediave, pëmes telefonit. Por, deklaratat e tij telefonike janë shtrembëruar nga mediat, duke i paraqitur si konfirmim se për ndërtimin e këndit të lojrave nuk nevojë për asnjë leje nga Agjencia e tij apo edhe Ministria e Mjedisit.
Ky spekulim është dukur i besueshëm, pasi nuk ka informacion të mjaftueshëm në publik për një fakt tekniko-ligjor: lejet mjedisore jepen për zhvillim aktiviteti ekonomik, pra për ushtrimin e një aktiviteti i cili ndikon mjedisin gjatë zhvillimit të tij, për shembull, lëshon tym apo substanca në ajër; derdh apo krijon mbetje në tokë apo ujra; bën zhurma; etj.
Tjetër gjë është “leja” që jepet nga Ministria për projektet e ndërtimit, pra për ndërtimin si aktivitet në vetvete, pavarësisht destinacionit të objektit që ndërtohet. Në rastin e ndërtimeve, ligji—kryesisht Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (Nr. 10440, 07.07.2011)—kërkon që, si pjesë të dokumentacionit të nevojshëm për lëshimin e lejes së ndërtimit, zhvilluesi duhet të kryejë studimin e vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) të ndërtimit, përfshi edhe konsultimin me publikun.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit konfirmoi, sot, për Exit se Bashkia Tiranë nuk ka paraqitur në Agjenci asnjë studim VNM-je. Prandaj, Agjencia nuk ka shqyrtuar ndikimin në mjedis të ndërtimit të këndit të lojrave dhe nuk ka ndërmarrë ndonjë konsultim me publikun në lidhje me të (konsultimet me publikun si pjesë e VNM-së drejtohen nga Agjencia).
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi, në datën 29 shkurt 2016, në emisionin Opinion, se VNM-ja e ndërtimit të këndit është kryer që në dhjetor 2015. Nuk dihet pse kjo VNM nuk i është paraqitur AKM-së siç e kërkon ligji, e cila nga ana e saj është e detyruar ta publikojë atë në faqen e saj në internet.
Shpjegimi i vetëm për këtë shmangie të Bashkisë mund të jetë ndikimi i lartë në mjedis që ka ndërtimi.
Kjo ide përforcohet nëse kihen parasysh punimet që do të kryehen në Park. Infografiku i mëposhtëm jep vetëm një ide sipërfaqësore mbi volumet e betonit dhe materialeve të ngurta që do të hidhen në park. Ndërkohë që qytetarët që protestojnë kundër ndërtimit kanë evidentuar, tashmë, me dhjetra pemë të dëmtuara që me fillimin e punimeve.
Sipas burimeve të Exit.al, Kryebashkiaku Veliaj ka hequr dorë nga vlerësimi i ndikimit në mjedis; dhe ka kërkuar dhe siguruar një vertetim apo shkresë të firmosur nga Ministri i Mjedisit Lefter Koka me anë të së cilës Ministri ka “vendosur” që ndërtimi i këndit nuk ka ndikim në mjedis, prandaj nuk ka nevojë që Bashkia të bëjë vlerësim të tillë.
Nëse kjo gjë është e vërtetë, skandali i paligjshmërisë së këndit të lojrave kthehet në skandal të përbashkët Rama-Veliaj-Meta, pasi një “vërtetim” i tillë do ishte shkelje flagrante e ligjit dhe dhunim i të drejtës së publikut për pjesëmarrje në vendim-marrjen mjedisore./Exit.al