Rritja e shpejtë e industrisë së përpunimit të peshkut po pengohet nga kuotat e kufizuara, që mundësojnë eksportin pa taksa. Rrezikohen rreth 4 mijë vende pune, ndërkohë që sipërmarrësit po shikojnë seriozisht të zhvendosin aktivitetin e tyre në vendet e rajonit. Pse nuk rishikohen kuotat dhe sa të aftë jemi të negociojmë kushtet e tregtisë së lirë. A janë marrëveshjet e nënshkruara kosto për prodhuesit vendas dhe a po blejnë shqiptarët më shtrenjtë importet.
Nga Ledina Loga
Industria e përpunimit të peshkut po gjendet përballë vështirësive, pasi plotësimi i kuotave vjetore të eksportimit të peshkut të konservuar, nuk po u mundëson të punojnë me kapacitet të plotë dhe as të zgjerohen më tej.
Mark Babani, administrator i fabrikës, “Mare Adriatica” numëron rreth 400 punëtorë dhe në planet e tij të afërta ishte ndërtimi i një fabrike të dytë në vend me të njëjtën numër punëtorësh. Prej kushteve të krijuara në vend me kuotat, zoti Babani e ka të vështirë që të operojë në vend me fabrikën që ka. Tashmë ai po shqyrton ofertat që po i jepen nga rajoni.
Në të njëjtën situatë gjenden edhe sipërmarrësit e tjerë të sektorit. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, kuotat e vendosura nga BE-ja prej 1600 ton në vit përmbushen shumë shpejt. Në 2016-ën, kuotat e importit për produktin e gatshëm u përfunduan që në gusht, pjesën tjetër të vitit prodhuesit e shfrytëzuan duke eksportuar produkt gjysmë të gatshëm. Mirëpo BE-ja, tashmë do të vendosë një ligj të ri, ku çdo kategorie produkti do t’i vendoset kuotë. Nën këto kushte, në rast se nuk arrihet një marrëveshje e re me BE-në, industrialistët shikojë dy rrugë; shpërnguljen ose mbylljen.
Sipas zotit Babani, është mungesa e argumentit nga ana e shtetit shqiptar, e cila ka bërë që kuotat të mos rinegociohen, pasi tregun nuk ta fal askush, por merret. “Për mua kjo tregon paaftësi, për të mos thënë mungesë e dëshirës”, tha zoti Babani.
“Ne si industri kemi ngritur zërin dhe kemi kërkuar takime herë pas here, si me Ministrinë e Bujqësisë, ashtu dhe me të Ekonomisë, por akoma nuk kemi një përgjigje konkrete”. Në rast se ky problem nuk merr një zgjidhje, zoti Babani ka parashikuar ndërtimin e një fabrike në një nga vendet fqinje, për të shfrytëzuar kuotat në muajt e mbetur.
Aktualisht, industria e peshkimit është e vetmja industri që importon mall agro-ushqimor shqiptar thuajse në të gjithë Europën, duke qenë një prej produkteve më të preferuar nga konsumatorët europianë, edhe pse tregtohen 30% më shtrenjtë se açuget e përpunuara në Marok apo Tunizi. Tregu i vetëm për kompanitë shqiptare mbeten vetëm vendet europiane. Mark Babani i “Mare Adriatica” tha se ka çuar produktet e tij në Greqi dhe në Turqi, por produkti është i kërkuar në Europë, veçanërisht në Itali dhe Spanjë.
4 mijë të punësuar
Në total e gjithë industria e përpunimit të peshkut numëron më shumë se 4 mijë të punësuar. Eksportet e këtij grupi janë zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, teksa investimet u shtuan dhe numri i kompanive ka arritur në rreth 12.
Çështja e kuotave dhe kërkesa e Industrialistëve
Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 ton peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, në vitin 2015, kuotat e eksportit u përmbushën që në tetor, ndërsa në 2016-n që në gusht.
Pas plotësimit të kuotave produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Momentalisht ato kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane çdo kategori produkti do të taksohet.
Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend. Sipas zotit Babani, mungon forca e argumentit nga pala shqiptare për të zgjeruar kuotat, në një kohë kur vendet e Magrebit (Afrika veriore) mund të eksportojnë drejt Europës pa taksa.
Aktualisht industria operon me dy kategori produkti; produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge.
Ky ngërç është krijuar, pasi ne treg janë zgjeruar dhe kompanitë që funksionojnë si fason, pra përpunojnë lëndën e parë për llogari të industrialistëve europianë, kryesisht italianë, dhe taksohen vetëm mbi vlerën e punës.
Në bazë të këtij regjimi importohet peshk i papërpunuar, kryesisht nga Kroacia dhe Italia, përpunohet dhe ambalazhohet në Shqipëri, dhe eksportohet në BE.
Kompanitë lihen në mëshirë të fatit
“Ne si industri kemi ngritur zërin dhe kemi kërkuar takime herë pas here, si me Ministrinë e Bujqësisë, ashtu dhe me të Ekonomisë, por akoma nuk kemi një përgjigje konkrete”
Dy zgjidhje të propozuara
Zgjidhja që japin industrialistët në këtë rast është ndarja e tyre në kategori, në produkt shqiptar dhe produkt i huaj, i cili në Shqipëri ka të shtuar vetëm vlerën e punës.
Industria ka ndryshuar, firmat, të cilat shërbejnë dhe si fason, kanë shtuar fuqinë e tyre përpunuese dhe kanë kryer investime. “Kuotat janë të vjetra dhe qeveria nuk ka marrë masat e duhura, nuk janë koherente me kërkesat tona. Ne, si industri, kërkojmë që produkti të ndahet në dy kategori; në peshkun qe ne e ambalazhojmë dhe peshkun që është prodhim vendas”, thotë Artur Mata, industrialist i “Konservim Adriatik”, i cili punëson rreth 150 punëtorë. Ai tha se nëse gjërat vazhdojnë siç janë, do të punojë vetëm në gjashtë muajt e parë të viti, në gjashtë muajt e dytë, punëtorët e tij do të mbesin pa punë.
“Kompanitë shqiptare ofrojnë aftësitë e tyre përpunuese, janë të specializuara në përpunimin dhe konservimin e peshkut”, thotë z. Kujtim Shkreli i sipërmarrjes, Euro Drini, i cili funksionon si fason në Shqipëri dhe numëron 702 punëtorë.
Zgjidhja e dytë e propozuar nga zoti Babani është ndalimi i dhënies së licencave të reja në këtë industri.
Pse nuk është negociuar?!
Sipas Pranvera Kastratit, drejtoreshë e Tregtisë me Jashtë në Ministrinë e Ekonomisë, negocimi i kuotave të açuges ka qenë prioritet për palën shqiptare. Për shumë vite kuotat prej 1000 tonë peshk të përpunuar nuk janë shfrytëzuar. Në 2012-ën kuotat u plotësuan për herë të parë. Sipas marrëveshjes me BE-në kuotat rriteshin me 200 tonë, deri në 2015 ku sipas marrëveshjes kuota e eksportit do të ishte 1600 tonë, e cila u përmbush që në nëntor. Në 2016-ën kjo kuotë u plotësua gjatë muajit gusht. Ndërsa për këtë vit parashikohet që kuota do të përmbushet që në korrik.
Bashkimi Europian ka refuzuar hapjen e negociatave me argumentin se në objektivat e saj është reduktimi i zënies së peshkut në Mesdhe. Fakti është se BE-ja e ka shtyrë kufizimin e peshkzënies deri në 2034-ën për shkak të kapacitetit, sipas EuObserver. Rrjedhimisht argumenti nga BE-ja bie poshtë dhe merr pamjen e një mase proteksioniste ndaj industrialistëve europianë.
Sipas prodhuesve shqiptarë, pala shqiptare duhet të tregojë më forcë në negocim. Ata janë të mendimit se negociatorët kanë shkuar të papërgatitur në negociata.
Marrëveshjet e tregtisë së lirë, çfarë kemi nënshkruar!
Zona e tregtisë së lirë është një rajon në të cilin përfshihet një bllok tregtar, anëtarët e të cilës kanë firmosur marrëveshje të tregtisë së lirë (MTL). Një marrëveshje e tillë angazhon bashkëpunimin e së paku dy vendeve për të reduktuar barrierat tregtare, kuotat e importit dhe tarifat, dhe të rrisë shkëmbimin e të mirave dhe shërbimeve midis njëri tjetrit. Marrëveshjet tregtare, thënë më thjeshtë dhe parë në këndvështrimin mikro, iu ngjasojnë kontratave të biznesit ku palët bien dakord për kushtet, për të cilat nëse nuk përmbushen ka penalitete.
Katër janë kanalet e marrëveshjeve kryesore, ku qeveria shqiptare ka negociuar.
Kanali i parë është anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), organizatë që në parim lufton për eliminimin e barrierave tregtare dhe për hapjen e tregjeve.
Kanali i dytë i tregtimit është me anë të marrëveshjes së lirë të nënshkruar me Bashkimin Europian, ku janë të përcaktuar produktet të cilat mund të eksportojmë, si dhe kuotat e lejuara.
Eksportet me destinacion BE-në zënë peshën më të madhe të totalit të eksporteve shqiptare, rreth 78.6% të totalit të eksportit.
Kanali i tretë është marrëveshja e tregtisë së lirë që Shqipëria ka me vendet e anëtare të CEFTA-s (marrëveshja e tregtisë së lirë midis vendet e Europës Qendore, si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia Serbia Bosnje Hercegovina), ku çdo tarifë doganore zerohet.
Kanali i katër janë marrëveshjet bilaterale që lidhen midis vendit tone dhe një shteti tjetër, siç është marrëveshja bilaterale (dypalëshe) që kemi me Turqinë.
Sipas Arben Shkodrës, zëvendës president i Dhomës së Tregtisë, marrëveshjet e nënshkruara rreth viteve 2000 duhet të rishikohen përsëri, pasi që nga ajo kohë kanë ndryshuar kushtet dhe rrethanat, biznesi është zhvilluar.
Rishikimi
Arben Shkodra, zëvendës president i Dhomës së Tregtisë: Marrëveshjet e nënshkruara rreth viteve 2000 duhet të rishikohen përsëri pasi që nga ajo kohë kanë ndryshuar kushtet dhe rrethanat, biznesi është zhvilluar
CEFTA, tregti e lirë apo “me hile”
Në momentin që palët kanë nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë, çdo tarifë doganore është shfuqizuar. Arben Shkodra liston dy probleme kryesore të marrëveshjeve CEFTA, së pari barrierat jo tarifore, të fshehta, të cilat vendet anëtare i përdorin për të mbrojtur produktin e tyre në eksport.
Rasti konkret është me produktet e qumështit dhe të mishit, ku me pretendimin se vendi fqinj Maqedonia po mbron sigurinë e konsumatorit vendas nuk lejon importet shqiptare, duke ngritur kështu ato që quhen barriera jo tarifore.
Barrierat jo tarifore në tregti janë dhe këmbimi i kontrollit, ndalimi i importeve për produkte të caktuara, rregullave dhe mekanizmave burokratikë si ligjet diskriminuese të sigurisë, kontrollet e cilësisë, fushatat për të blerë produkte vendase, të cilat diskriminojnë importet.
Një barrierë e tillë, shteti maqedonas ka vendosur për produktet shqiptare të mishit. Konkretisht, vendi fqinj në kuadër të harmonizimit të ligjeve me BE-në, ka adoptuar ligjet e kësaj të fundit për sa i përket sigurisë ushqimore. Shqipëria nuk mund të eksportojë mish dhe nënprodukte në BE sipas legjislacionit në fuqi, dhe Maqedonia ka adoptuar të njëjtin ligj, kjo për shkak dhe të fazave të ndryshme që jemi në përafrimin e legjislacionit. Vendet, duke përfituar nga stadet e ndryshme të harmonizimit të legjislacionit, krijojnë barriera. Në një situatë të tillë duhet të përdoret mekanizimi i reciprocitetit, thotë zoti Shkodra.
Por, për t’u përdorur ky mekanizëm, sipas drejtoreshës së Tregtisë me Jashtë, Pranvera Kastrati, duhet të kemi të dhëna shkencore dhe statistikore.
Subvencionet dhe ndikimi tek importet
Subvencionet në marrëveshjet e tregtisë së lirë, janë kategorikisht të ndaluar për produktet industriale ose jo, ku në rast se praktika të tilla vërtetohen atëherë vendi përballet me penalitete, siç është dhe shembulli i Kinës. Subvencionet në industrinë përpunuese janë plotësisht të ndaluara, dhe në rast të tillë, menjëherë i vendos tarifë, tha për Monitor drejtoresha e tregtisë me jashtë, Pranvera Kastrati.
Mirëpo për sa i përket produkteve bujqësore, subvencionet janë të lejuara dhe është e drejta e çdo vendi që të subvencionojë produktet vendase për disa arsye.
Duke u subvencionuar lëndët e para, indirekt është subvencionuar dhe industria e vendit. Pra, në rast se subvencionohet qumështi, rrushi, blegtoria, nënproduktet e tyre do të jenë më të lira.
Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Industrisë tregon se me tarifimin e produkteve të subvencionuara do të rregullonim tregun e brendshëm:
-Rritet prodhimin e brendshëm
-Mbajmë valutën në vend
-Zhvillojmë prodhimin në vend
-Në afatgjatë ulen çmimet, (në afatshkurtër çmimet mund të rriten)
-Rritet konkurrueshmëria
Shumë prej industrialistëve shqiptarë, lëndën e parë, si qumësht, rrush apo produkte të tjera agro-ushqimore, për shkak të çmimeve po preferojnë që lira ta marrin në vendet fqinje apo në Europë.
Politikat e brendshme, problemi i dytë
Kemi një perceptim të përgjithshëm se produkti vendas nuk ka standard apo cilësi. Një sipërmarrje duhet të udhëhiqet nga një plan kombëtar prodhimi, pra të dimë cilat janë objektivat dhe mundësitë që kemi. Sipas Arben Shkodrës, bizneset duhet të kenë të qartë sektorin, jo kushdo mund të bëjë çdo gjë.
Shteti duhet të ketë funksionin e orientimit të ekonomisë, duhet të hartojë një skemë të mirëpërcaktuar të prodhimit vendas, të kemi një hartë të përcaktuar qartazi se çfarë prodhojmë në çdo metër katror.
Duhet të kuptojmë PPB-në. Duke bërë këtë studim, edhe bizneset janë më të orientuar se ku do t’i vendosin fondet e veta, thotë ai.
Pro apo kundër marrëveshjeve tregtare
Kohët e fundit, marrëveshjet tregtare kanë qenë në fokus të debatit në rang global. Vende ekonomikisht të fuqishme kanë vënë në pikëpyetje ekzistencën e tyre, ndërsa në Europë rinovimi i marrëveshjes së tregtisë të lirë me Kanadanë, për të cilën ia dashur shtatë vite për t’u negociuar, kërkoi një kohë të konsiderueshme për t’u firmosur përsëri. Shkak u bënë fermerët e krahinës belge të Ëallonias, të cilët detyruan Belgjikën që të vendosë veton mbi marrëveshjen, në emër të prodhuesve vendas dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Marrëveshjet e tregtisë së lirë janë një mekanizëm shumë i mirë, kur ato nënshkruhen në dakordësi dhe sipas propozimeve të biznesit, tha Alban Zusi.
Marrëveshjet e nënshkruara janë të negociuara gabim, pa marrë opinionin e biznesit dhe duke mos marrë parasysh zhvillimin e tij, ka shtuar ai.
Analizat klasike ekonomike tregojnë se tregtia e lirë rrit nivelin global të prodhimit pasi tregtia e lirë lejon specializimin përgjatë vendeve. Specializimi bën që vendet të kanalizojnë burimet e tyre në prodhimin e të mirave dhe shërbimeve të veçanta, për të cilat vendi ka një avantazh konkurrues.
Përfitimet e specializimit, lidhur dhe me ekonominë e shkallës, rrisin prodhimin global. Problemi është se ne nuk e kemi prodhimin vendas të orientuar, ka shtuar Arben Shkodra.
Monitor.al/ Titulli i redaksisë