Ilvi Meta u vetëvar në qeli me lidhësen e kapuçit të bluzës. Ky është konkluzioni i hetimeve paraprake të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (ish-SHÇBA).
Në një njoftim zyrtar, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka konfirmuar dhe arrestimin e 3 punonjësve të policisë të komisariatit të Kavajës ku ndodhi edhe ngjarja, pasditen e djeshme.
AMP: I paraburgosuri u vetëvra
“Në vijim të komunikimit për ngjarjen e ndodhur me datën 04.05.2022 në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku është gjetur i vdekur shtetasi I.M., Drejtoria Rajonale e AMP Durrës-Kavajë ka përfunduar hetimet paraprake nga ku ka rezultuar si vijon: Më datë 04.05.2022, rreth orës 19:00, në dhomat e sigurisë/ndalimit/arrestimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë, shtetasi i arrestuar I.M., 31 vjeç, ka kryer vetëvrasje duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur, duke gjetur më pas dhe vdekjen. Nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë është bërë këqyrja e viktimës nga ku ka rezultuar se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune”, njofton AMP këtë të Enjte.
3 efektivë të arrestuar për mos parandalimin e ngjarjes
Agjencia ka konfirmuar arrestimin e tre efektivëve të Policisë. Sipas agjencisë, ata akuzohen se nuk kanë parandaluar ngjarjen.
“Nga hetimet paraprake ka rezultuar se punonjësit që kanë pasur për detyrë mbikëqyrjen dhe mbajtjen në kontroll të shtetasit I.M. gjatë kohës që ai ka qenë i shoqëruar/ndaluar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Ligji 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’ dhe Procedura Standarde ‘Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre’ miratuar me Urdhër nr.925, datë 19.07.2019 të DPPSH. Pas marrjes dhe vlerësimit të provave në kuadër të këtij hetimi dyshohet se këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, duke mos marre masa për parandalimin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Efektivët e arrestuar janë:
- Nënkomisar Petrit Brahimaj, me detyrë Specialist i sallës së komandimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë;
- Inspektor Bexhet Berberi, me detyrë trupë shërbimi, patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kavajë;
- Inspektor Rushit Kola, me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë pranë Komisariatit të Policisë Kavajë.
“Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës për hetime të mëtejshme”, mbyllet njoftimi i AMF.
Familjarët: Nuk u vetëvra
Nga ana tjetër, familjarët të të riut kanë ngritur dyshime se ai është vrarë në qeli.
“Kur kam shkuar te policia nuk më pranuan fare, janë pretekste sikur ka vrarë veten. Kërkova që të shoh fëmijën dhe nuk më lejuan, unë dyshoj se është ushtruar dhunë në polici, është hera e parë që shoqërohej në polici”, tha i ati i viktimës në një prononcim për gazetarët.
“Autopsia iu bë, por nuk e dimë ende se çfarë ka dalë. Djali ishte beqar, nuk është e vërtetë që ka qenë problematik. Nuk ka shtet, nuk ka polici, derisa ata nuk më fusin mua që të shoh djalin tim, për çfarë e dua policinë. Unë dyshoj se djalin e kanë vrarë, iu ka mbetur në dorë. Nuk e kam parë me sy djalin, është ushtruar dhunë ndaj tij. Nuk ka qenë i dënuar, e kanë shoqëruar vetëm njëherë pas një ndeshje futbolli. Djali nuk ka asnjë shenjë në fyt, po them që i ka mbetur në dorë policisë. Në fillim thanë se ishte vetëvarur me litar, dhe më pas me lidhësen e kapuçit”, u shpreh më tej babai i Ilvi Metës.
I riu u ndalua për vjedhje
Në njoftimin paraprak për ngjarjen një ditë më parë, policia bëri me dije se i riu që humbi jetën në qelinë e komisariatit të Kavajës, ishte ndaluar pasi ishte në kërkim për vjedhje.
“Më datë 04.05.2022, në Komisariatin e Policisë Kavajë, është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë, shtetasi i ndaluar I.M., 31 vjeç, i cili është ndaluar ditën e sotme rreth orës 15:50 pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për vjedhje. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin paraprak të së Mërkurës nga policia.







