Një person është plagosur me armë zjarri në Durrës këtë të Martë. Burime policore bëjnë me dije se është qëlluar në këmbë një 43-vjeçar, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes, 43-vjeçari është plagosur pas një konflikti me një tjetër person për motive të dobëta. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Gjykatës së Durrësit.
Autori është identifikuar dhe shpallur në kërkim. Ai është Augert Zera, 35 vjeç.
“Rreth orës 10:00, në lagjen nr.8 Durrës, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobta, është plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi A.S., 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Autori A.Z., 35 vjeç, pas plagosjes është larguar nga vendngjarja. Vijon krehja e zonës, për kapjen e tij. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë lidhur me ngjarjen.