Gazmend Bardhi ka reaguar pas vendimit të gjyqtares së Tiranës Blerina Muça, e cila pranoi ankimin e Enkeljed Alibeajt.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan: “Siç ka thënë edhe Sali Berisha më 25 Mars: Vendimet e gjykatave zbatohen, nuk mund te komentohen, nuk mund te sulmohen. Nuk mund të kesh dy standarte, kur na pëlqen vendimi e zbatojmë, kur nuk na pëlqen e sulmojmë”.
“Vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri ishte dhe është tërësisht i paligjshëm. Qetësisht institucionet legjitime të partisë kanë ndjekur rrugën ligjore për zhbërjen e tij. Askush nuk duhet të shqetësohet nga zbatimi i ligjit dhe duhet të ruaj qetësinë derisa drejtësia të flas. Kërcënimet ndaj gjyqtarëve, dërgimi i mercenarëve të rikthyer sëfundmi brenda gjyqësorit për të joshur gjyqtarët, blerja apo shitja e vendimeve gjyqësore, kthimi i selive të partive në salla gjyqi të humbur, i përkasin drejtësisë së korruptuar alla Zhukri dhe një metaliteti të vjetër politik që ka mbajtur peng të ardhmen e Shqipërisë. Për qartësi të opinionit publik, dua të sqaroj se palë në një proces ku shqyrtohet kërkesa për regjistrim të një statuti të një partie politike, është vetëm PARTIA POLITIKE, ndërkohë se kush e ka të drejtën e përfaqësimit e cakton gjykata në çështje themeli”, shkruan më tej Bardhi.
Më 25 mars, gjyqtari i Tiranës Agron Zhukri njohu Kuvendin e zhvilluar në “Air Albania” që vendosi shkarkimin e Bashës si kryetar i PD dhe marrjen e drejtimit të partisë nga “Komisioni i Rithemelimit”. Enkelejd Alibeaj ankimoi vendimin dhe këtë të Premte, gjyqtarja e gjykatës së Tiranës Blerina Muça vendosi pranimin e këtij ankimi. Bazuar në vendimin e sotëm, i hapet rruga ankimit të vendimit të gjyqtarit Zhukri në gjykatën e Apelit.
Më herët, Iki Kaso nga Komisioni i Rithemelimit e quajti vendimin e sotëm të jashtëligjshëm dhe paralajmëroi ankim.