Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së se, problem themelor i partisë sot janë plagët bazë dhe se bashkimi do të vijë duke u bërë një proces i përbashkët.
Gjatë fjalës së tij, Salianji iu drejtua ish-kryeministrit Sali Berisha, që të ndalë sulmet ndaj amabasadores Yuri Kim dhe ndërkombëtarëve, pasi ata nuk janë fajtorë për gabimet e dikujt.
Salianji: Çdo mbledhje pa axhendë duket si mbledhje për axhenda okulte, produkti që jep kjo mbledhje nuk duhet të prodhojë më shumë paqartësi, më shume mjegull dhe më shume ndasi! Kjo mbledhje duhej bërë dy javë më parë! Personalizimi i mbledhjes i shërben krijimit të ndasisë dhe propogandimit në publik të ndarjes!
Duhet t’iu them disa elementë. Ne kemi bërë një rrugëtim të ndryshëm për disa muaj. Para dy javëve ka pasur një vendim gjykate, njëra palë thotë nuk e njoh, por ndërkohë prej dy javësh nuk e ka thërritur pjesën e grupit që mendon kështu, as kryesinë e partisë, nuk ka mbledhur as degët, çuditërisht dorëzuan dhe çelësat, duke e bëre fakt vendimin!
Gjendja dhe prania e çdo deputeti këtu ka bërë fakt një gjendje të re, sot gjendja faktike po tregohet nga të gjithë koleget që folën. Po i kërkohet Komisionit te Rithemelimit të bëje pjesë te procesit deputetet dhe nuk po i kërkohet askujt tjetër.
Problemi themelor që ka partia sot janë plagët në bazë, ne duhet t’i japim mundësi çdo demokrati të garojë në një proces të besueshëm dhe ku janë gjithë palët. Bashkimi vjen duke u bërë proces i përbashkët!
Po iu kërkoj dhe diçka si kolegë, secili prej jush është në të drejtën e vet për sa kohe flet në cilësi personale dhe jo në emër te grupit por Zoti Berisha duhet te ndalen sulmet ndaj ambasadores amerikane dhe çdo përfaqesuesi të Shteteve të Bashkuara.
Problemet ja kemi shkaktuar njëri-tjetrit, nuk mund të shpallim fajtorë ambasadorët për gabimet e dikujt.”