Nga Boldnews.al
Komisionerja e Vetingut, Etleda Çiftja, është prej më shumë se një viti nën hetim pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), nën dyshimet se ka kryer veprat penale të fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë, mashtrimit me kredi dhe pastrim parash.
Të dhënat e bëra publike nga “Boldnews.al”, si edhe ato që gjenden në kallëzimin e dorëzuar pranë SPAK-ut kundër Çiftjas, krijojnë dyshime të forta se komisionerja e Vetingut ka konsumuar veprat penale.
Megjithatë, hetimi në SPAK po zvarritet ndjeshëm, pa arritur në një konkluzion përfundimtar.
Kjo situatë krijon dyshime se Komisionerja e Vetingut po “tolerohet” nga brenda radhëve të Prokurorisë Speciale.
Etleda Çiftja u zgjodh anëtarëve e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Korrik 2017.
Në fund të vitit 2018 ajo ishte pjesë e trupës që kreu rivlerësimin e subjektit Arben Kraja, i cili në atë kohë ishte prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Në 17 Dhjetor 2018, trupa e përbërë nga kryesues Roland Ilia, relatorë Firdes Shuli dhe anëtare Etleda Çiftja, vendosën konfirmimin në detyrë të Krajës.
Ky vendim mori formë të prerë në 1 Shkurt 2019, pasi Komisioneri Publik nuk e ankimoi vendimin e KPK-së.
Në fund të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e zgjodhi Arben Krajën si anëtar e më tej si drejtues të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).
Nën drejtimin e tij, SPAK ka marrë disa kallëzime në ngarkim të anëtarëve të strukturave të rivlerësimit.
Dy gjyqtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci e Ardian Hajdari, u morën të pandehur nga prokurorët specialë për “falsifikim dokumentash”. Daci u dënua, ndërsa Hajdari është në pritje të gjykimit.
Ndërkohë që me këto dy raste u avancua, SPAK-u po tregohet tejet i ngadaltë me hetimin për komisioneren Etleda Çiftja.
Hetimi penal ndaj saj nuk paraqet vështirësi të mëdha dhe nuk është aspak i ndërlikuar.
Çiftja dyshohet se ka konsumuar veprat penale që lidhen me paratë në formularin e deklarimit të pasurisë “para fillimit të detyrës”.
Veprimet e prokurorëve kanë pasur për qëllim vetëm të krahasojnë deklaratat e pasurisë së Çiftjas me të dhënat pasurore të saj që gjenden në regjistrat publikë.
Por, megjithëse veprimet janë elementare, prokurorët e SPAK-ut nuk po arrijnë në një përfundim, megjithëse kanë më shumë se një vit që mbajnë në duart e tyre procedimin penal ndaj komisioneres së Vetingut.
Kjo “vonesë” krijon përshtypjen se Etleda Çiftja po “ndihmohet” nga brenda radhëve të SPAK-ut, duke mos përjashtuar edhe dyshimin publik se drejtuesi i Prokurorisë Speciale po i kthen “qokën” komisioneres që e konfirmoi në detyrën e prokurorit.
Lexo edhe:
Drejt parashkrimit/ SPAK vonon hetimin e Etleda Çiftjas, për pasurinë e pastrim parash
Mandati i Vetingut/ Etleda Çiftja, dyshime për pasurinë dhe mashtrim në kredi (dokumentat)