Nga Boldnews.al
Një dokument, i dalë nga zyrat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ka zbuluar falsifikimin e frikshëm të shortit të subjekteve që duhet të dalin në Veting.
Një bisedë banale mes kryetares dhe komisionerëve flet për paracaktime emrash, apo edhe hartimin e tyre me “burra e gra”. Një paravendosje e emrave që do të dalin në seancë! Madje, personat që kanë hartuar listën lavdërohen se kanë bërë punë të mirë, pasi e “kanë kopsitur mirë”.
Në redaksinë e Boldnews.al kanë mbërritur informacione se, shumica e shorteve të KPK-së, të kryera në fillimet e tij, kanë qenë të paravendosur. Ose më saktësisht “ata që duhet të largohen”.
Deri më tani, gjysma e atyre që kanë dalë në KPK, janë shkarkuar. Pa dashur të analizojmë vendimet, redaksia jonë është ndalur te shorti. Një veprim demokratik, për të mos paragjykuar radhën. Por, në momentin që këta njerëz, që janë zgjedhur të largojnë nga sistemi gjyqësor ata që e kanë bërë pis këtë sistem, njollosen edhe vetë, po e bëjnë akoma më pis sistemin.
Pasi, ata që duhet të largoheshin të parët vijojnë të japin vendime “në emër të Republikës së Shqipërisë”. Madje, ka gjyqtarë, që presin prej 28 muajsh që të dalin para Vetingut. Një ndër ta është “peshkaqeni” Artan Gjermeni, të cilin do e analizojmë pak më poshtë, apo edhe Besnik Hoxha, por edhe vonesa e rivlerësimit të Kastriot Gramshit, i cili e kaloi Vetingun para pak ditësh, pavarësisht se ndaj tij kishte dyshime të mëdha për miliona lekë nga aferat korruptive.
Bungo: “Nga 48 emra e bëjmë 120 dhe kështu heqim paragjykimin”
Dokumenti i mësipërm, marë nga Facebook-u i Adriana Kalaja, është me vulë dhe firma të komisionerëve KPK-së. Pra, një dokument zyrtar i dalë nga një zyrë e mirëpaguar dhe e ngritur për të pastruar “llumin” e drejtësisë.
Por, nisur dhe nga bisedat që zhvillohen mes tyre, vërehet se nuk është aspak bisedë institucionale e një organi Kushtetues, por ngjason me biseda kafenesh e rruge. Biseda zhvillohet mes kryetares Genta Tafa Bungo dhe komisionerëve Xhensila Pine, Roland Ilia, Olso Komici, Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari.
Diskutimet e mëposhtme janë pasqyruar në një nga procesverbalet, që përbëjnë një dokument zyrtar lidhur me mbledhjen që kanë zhvilluar, dhe që hedh dritë mbi atë se çfarë ndodh me paracaktimin e shorteve në KPK.
Komisioneri Roland Ilia e pyet kryetaren nëse do t’i pyesin ndërkombëtarët si do të bëjnë. Por, përgjigjja e Bungos është “bëni si të doni thonë”. Pa një referencë se kush ia thotë këto fjalë! Në vijim Bungo thotë “unë nuk jam shumë dakort që të skip shortin e zakonshëm”.
Zonja Bungo, çfarë do të thotë skip? A gjendet në fjalorin e gjuhës shqipe?! Ku është mbajtur ky procesverbal, është shtetëror? Nëse po, a e dini që duhet të respektoni gjuhën shqipe, për të cilën edhe Kryeministri shfaqet si shumë i përkushtuar?!
Përtej njohurive të gjuhës shqipe nga anëtarët e zgjedhur të KPK, pasi ky ishte thjesht një detaj, biseda tregon detajet se si paracaktohen shortet në KPK.
“Për mua do të ishte e tepërt, se ne kemi skipur shortin e zakonshëm dhe kemi hyrë në gojën e medias, heq këtë dhe vë atë…” thotë Bungo, e cila merr përgjigjen nga komisionerja Xhensila Pine. “Ta hedhim në votë të zëvendësojmë 15 dhjetorin me këtë listë që na erdhi dhe shortojmë 120”. Pra, komisionerja Pine e thotë troç se u ka shkuar një listë. Nga kush zonja Pine, kush e solli listën?
Por, komisioneri Oldi Komici shkruan se duhet një diskutim me ndërkombëtarët për këtë listë, “s’mund të ecim kështu ne”.
“Ndërkombëtari ka thënë bëj çfarë të duash. Kjo është pyetje e vetes, do 240 apo 120” e pyet komisionerja Xhensila Pine komisionerin Olsi Komiçi, teksa ky i fundit i shkruan se “s’është puna bëni si të doni”.
Por, për të vënë pikat mbi “i” ndërhyn kryetarja Genta Bungo, e cila ua thotë shumë qartë të gjithëve: lista i ka ardhur me e-mail.
“Ore a e kam sjellë me e-mail? Tani unë jam që ta hedhim këtë. Perceptimi i publikut kur ti hedh një short jashtë afatit, për mua jepte efekte në publik. Sepse të terë e komentuan 48-ëshen.
Ndërkohë nëse ne fusim edhe 120, s’kuptojnë më, se nuk mund të jetë 200 rekomandimi i ONM-së. Edhe heqim këtë dyshimin që 48-shja është e paragjykuar. Se ata të 48-të do të shkojnë ne Strasburg. Kurse nëse i fusim 120, do të thotë që ONM-ja nuk ka pasur paragjykim, thjeshtë ka qëlluar”.
Fjalë të qarta të zonjës Bungo, e cila flet qartë se shortet me 48 vetë dhe 120 janë paracaktuar.
Janë vendosur emrat, por që nuk e thotë qartë nëse diktimi i ka ardhur nga ndërkombëtarët apo nga persona të tjerë.
Por, në fund të këtij dokumenti, komisionerja Valbona Sanxhaktari i kthen përgjigje Bungos se “jo me, ka futur aty burra e gra, e ka kopsitur mirë atë”. Kush e ka kopsitur zonja Sanxhaktari? A ishte listë e paracaktuar me këto emra? Dhe, në atë kohë, përse janë janë hedhur disa shorte?!
Ky është linku i shortit të datës 16 dhjetor në KPK, ku ka qenë emri i Artan Gjermenit, por prej 28 muajsh nuk ka dalë para Vetingut. Të jetë rastësi?!
“Peshkaqeni” Artan Gjermeni, prej 28 muajsh në Veting pa iu caktuar data…
Kthehemi në kohë! 16 dhjetor 2019, më saktësisht dy vite e 4 muaj më parë, kur në një listë të publikuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), doli emri i Artan Gjermenit.
Një nga “peshkaqenët” e sistemit gjyqësor, me ecejake në Lushnje, Tiranë apo në KLD. Por, mbi “shpinë” edhe një nga akuzat më të rënda që mund të ketë një gjyqtar; lidhje të drejtpërdrejtë me Bandën e Lushnjes.
Një bandë famëkeqe, e cila kishte mburojë në sistemin gjyqësor për të bërë masakrat më të tmerrshme të ndodhura pas viteve ’90 më Shqipëri. Gjermeni u rreshtua në krahë të Aldo Bares me shokë, ndërsa, duke qenë në nivele të larta të vendimmarrjës së gjyqtarëve, si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, ai i shpëtoi disa herë procedimeve administrative. Madje, i shpëtoi edhe ngjarjeve me pasoja penale, pasi disa vite më parë shkoi me plagë në spital.
Por, u justifikua se është “ngjarje aksidentale”, pavarësisht se procedimi penal u regjistrua për “motive të dobëta”. Dyshimi ishte i fortë se autori ishte një koleg i Gjermenit, në një gjykatë më të lartë, por prokurorët nuk e zbuluan dot, ose të paktën kështu shkruan në ato letra bakalli.
Përpos ngjarjes, pati edhe një hetim për pasuritë e Gjermenit, pasi në momentin e plagosjes iu gjet një shumë e konsiderueshme, por sërish procedimi penal u pushua me arsyetimin “s’ka vepër penale”. Natyrisht, për kolegët s’ka vepër penale, por këta “peshkaqenë” vijojnë të jenë në detyrë, madje të bëjnë ndere pafund për këdo që i mbështet.
Linku i KPK, ku fillimisht u caktuan 48 emra, ndërsa më pas u mbivendos me lista të tjera me 120 emra…
Mbivendosja e emrave vonoi Vetingun për Besnik Hoxhën, Kastriot Gramshin
Mbivendosja e shorteve në KPK, për subjektet e rivlerësimit, ka sjellë vonesa të mëdha për disa nga gjyqtarët më të pushtetshëm, kryesisht në Gjykatën e Tiranës. Më sipër faktuam se emri i Gjermenit është prej shumë muajsh në Veting, ndërsa krahas emrit të tij është edhe Besnik Hoxha.
Shkodrani ia ka dalë që të vonojë në maksimum Vetingun, teksa gjatë kësaj kohe është munduar të “pastrojë” jo vetëm emrin gjatë punës së tij. Më herët, Boldnews.al ka investiguar këtë vonesë për këtë subjekt, i cili lë në burg të akuzuarit për 6 gramë hashash dhe liron më “të fortët”.
Por, rasti më flagrant, është vonesa në maksimum e rivlerësimit për gjyqtarin Kastriot Gramshi. Ky i fundit është i përfolur dhjetëra milionë lekë afera korruptive. Por, Gramshi ia mbushi mendjen këtyre komisionerëve se të ardhurat i ka nga kursimet e babait. Apo nga qiraja e një apartamenti në New York.
Dhe, me këto justifikime, doli “i larë”. Të paktën në shkallë të parë…