Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh kundër legalizimit të kanabisit, nismë që e paralajmëroi kryeministri Edi Rama ditën e djeshme.
Berisha tha se kanabisi ka pasoja negativ në shëndet. Po ashtu, ai paralajmëroi se me këtë vendin mund vijnë një sërë pasojash negative, si rreziku i hapjes së negociatave, pastrimi i parave kriminale, zëvendësimi i kulturave bujqësore me kanabisin, drogimi masiv i të rinjve etj.
Efektet në shëndet
Në një deklaratë për mediat këtë të Premte, Berisha solli në vëmendje efektet negative të kanabisit në shëndet.
“Vendimi i dëmshëm për shqipërime dhe shqiptarët. Ky vendim është vendim për legalizimin e krimit, drogës, vrasjeve, drogimin e të rinjve dhe popullatës. Rrënimin e shëndetit fizik dhe mendor si dhe të identitetit të shqiptarëve, reputacionit të tyre. Në formimin tim si mjet dhe politikan kam lexuar gjerësisht për kanabisin, jam plotësisht i vetëdijshëm se vaji i kësaj bime apo nënproduktet e tjera përdoren për lehtësimin e disa rrethanave, ankthit, dhimbjeve, dhe rrethanave të tjera. Në këtë kontekst të dhëna nga mjeku nuk kam ndonjë kundërshti. Por studimet e gjëra të universiteteve më prestigjioze të botës dhe të fundit kanë faktuar se kanabisi krijon probleme serioze strukturore dhe në procese të trurit. Kanë faktuar se shumëfishosh shfaqjen e psikozave më të rënda. Kanë faktuar se krijon ndryshime strukturore të evidentuara në trurin e përdoruesve të saj. Kanë faktuar se është i dëmshëm për sistemin e zemrës dhe qarkullimin e gjakut. Kanabisi ka të paktën në përbërjen e saj mbi 50 lëndë kimike dhe efektet e tyre anësore në trup nuk ka për efekte anësore studime shteruese, nuk ekzistojnë. Këto janë aspektet mbi shëndetin fizik dhe mendor”, tha Berisha.
“Dëmton çeljen e negociatave”
Ish-kryeministri shtoi se të legalizosh kanabisin në Shqipëri, vend i etiketuar në mënyrë të përsëritur në mediat botërorë si Kolumbi e Europës apo Kanabistan, do të thotë të shkelmosh reputacionin e këtij vendi.
Berisha tha po ashtu në vend ka bimë të tjera me të cilat mund të ngrihet një industri fitimprurëse.
“Ta bësh kanabisin simbol të Shqipërisë e cila vetëm në biodiversitetin e saj me speciet e bimëve aromatike, ka bimë dhjetëra herë më të kushtueshme se kanabis me të cilat mund të ngrihet një industri e fuqishme kozmetike, parfumerish, kremrash, etj. Dhe Edi Rama për shkaqe personale zgjedh kanabisin për ta bërë simbol të shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
“Vendimi i tij (Ramës) është një akt shumë i pamenduar pasi u garantoj se dëmton dhe palcërisht procesin e integrimit në BE. Edi Rama shfrytëzon një rrymë pozitive, një klimë pozitive që është zhvilluar për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për shkak të luftës në Ukrainës, por ky është një kalkulim shumë i gabuar. Se për europën, fqinjët tanë, kanabisi është vetëm krim. Pikërisht në një moment kur po krijohej një klimë pozitive reale për hapjen e negociatave për mendimin tim, mesazhi që dërgon ky te partnerët është se do legalizojë kanabisin paçka se vetëm Italia mund të shpenzojë për mbajtjen e bregut të saj nga trafiqet kriminale qindra dhe miliona euro”, tha ai.
Rasti i Jemenit
Ish-kryeministri paralajmëroi se legalizimi i kanabisit do të sjellë një drogim masiv të shoqërisë dhe të të rinjve. Po ashtu, ai solli edhe shembullin e Jemenit, duke ngritur alarmin për shkatërrimin e kulturave bujqësore në vend.
Ai i bëri thirrje qytetarëve ta kundërshtojnë nismën.
Apel për reagim u bëri dhe ndërkombëtareve.
“Legalizimi i kanabisit është de facto licencë për çdo familje shqiptare që tundohet nga lakmia për të blerë kanabis. Unë e kuptoj se do ja japë klientelës licencat, por kjo do masivizohet dhe mos u çudisni kur një ditë kur aty ku shihni parcela me vreshta, me ullinj ti vihet zjarri dhe të kultivohet kanabis siç kanë filluar të digjen pyjet. U bëj thirrje shqiptarëve të mos mbështesin dhe të kundërshtojnë një politikë shkatërrimtare. Me legalizimin e kanabisit hiqet çdo barrikadë që ekziston për të si një drogë e rrezikshme. Do shohim drogim masiv të të rinjve dhe popullatës. Një bimë analoge e tillë u legalizua në Jemen. Çfarë pësoi Jemeni? Shkatërrim i plantacioneve të kafesë dhe zëvendësimin e bimës të ngjashme me kanabisin”, tha Berisha.
“Shqipëria ka çdo pasuri, çdo mrekulli natyrore, ideja për të krijuar para është shërbimi që u bën Rama klientëve të tij, një kërcënim serioz i madh për Shqipërinë. U bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë të ngrenë zërin kundër këtij vendimi që përbën çështje serioze për sigurinë e tyre”, shtoi ai.