Prokuroria dhe policia pritet ta dërgojnë jashtë vendit telefonin e Nuredin Dumanit me qëllim zbardhjen e komunikimeve të tij. Kjo, pasi në celularin e sekuestruar është gjetur programi “EncroChat” që përdoret për komunikimet e koduara.
Ndërkohë, grupi i hetimit është në pritje të analizës së ADN-së së personit të dyshuar për të paktën 7 ngjarje, e cila do ballafaqohet me provat e gjetura në disa ngjarje kriminale.
Hetimet për zbulimin e autorëve të plagosjes së Nuredin Dumanit po vijojnë dhe krahas tyre edhe për ngjarjet e tjera ku 37-vjeçari është akuzuar si autor apo bashkëpunëtor.
Mesazhet e koduara
Pas këqyrjes së telefonit të 37-vjeçarit nga Dibra, hetuesit kanë konstatuar se i dyshuari ka përdorur programin “EncroChat” i cili lejon shkëmbimin e mesazheve të koduara që lexohen vetëm nga dhënësi e marrësi dhe më pas, për disa sekonda, fshihen. Tri ditë pas arrestimit të Nuredin Dumanit, i cili dyshohet për të paktën shtatë ngjarje të rënda kriminale, prokuroria e Elbasanit po shqyrton mundësinë e bashkëpunimit me autoritetet e huaja më qëllim zbërthimin e telefonit të 37-vjeçarit.
Programi “EncroChat” përdoret nga persona me rrezikshmëri të lartë shoqërie apo grupe kriminale më qëllim shmangien e përgjimeve dhe gjurmimin nga organet e policisë. Për këtë arsye nga hetuesit po shikojnë mundësinë e dërgimit të telefonit të Dumanit në Belgjikë ose Itali në mënyrë që specialistët e huaj të rigjenerojnë mesazhet e shkëmbyera nga 37-vjeçari me qëllim zbardhjen e aktivitetit të tij kriminal.
Nesër seanca për masën
Të premten, pritet që në spitalin e Traumës të mbahet seanca për konfirmimin e masës së sigurisë ndaj Nuredin Dumanit i cili ra në pranga në Fier pas atentatit të ndodhur tri ditë më parë në Elbasan, ku 37-vjeçari mbeti i plagosur. Pritet të lihet nën masën arrest me burg.
Për hetuesit ai ende nuk dhënë asnjë detaj për atentatin dhe as për akuzat e ngritura ndaj tij. Hetuesit dyshojnë se Dumani ka pasur njohje të mëparshme me autorët e sulmit dhe se dëshmia e tij do ti ndihmojë në arrestimin e tyre, por edhe kapjen e Talo Çelës.
Lexo edhe:
Arrestimi i Dumanit, në pranga edhe 5 persona të tjerë (Emrat)