Lorenc Trashi, ish-kapiten i Partizanit, i transferuar në Kuvajt te ekipi Al Qadsia, ku luan prej dy sezonesh dhe ka kontratë deri në vitin 2025, në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur për disa çështje.
29-vjeçari tregon për ambientimin në Kuvajt, teksa ankohet vetëm për arbitrimin. Trashi flet edhe për gabimet e Partizanit këtë sezon, si dhe për Kombëtaren dhe bisedat me trajnerin Reja.
Largësia, por edhe mungesa e informacionit ka bërë që të mos jeni në vëmendjen e mediave dhe tifozëve këtu. Si po shkon aventura juaj në Kuvajt?
Kush interesohet, e gjen mundësinë për informacione nga kampionati ku unë luaj. Të them të drejtën, nuk më pëlqen të jem në vëmendjen e mediave apo njerëzve. Unë bëj punën time dhe jam i kënaqur këtu ku jam. Nuk luaj në Europë, prandaj ndodh e gjitha dhe është diçka normale.
Por për mua ka qenë e vështirë, sepse kam pasur disa oferta në Europë kur luaja te Partizani dhe ndoshta do të flisnim ndryshe sot. Në fund futbolli është edhe fat dhe kur gjithçka të përfundojë, nuk do të të kujtojë më njeri çfarë ke bërë dhe ku ke luajtur.
Familja është e rëndësishme dhe duhet siguruar e ardhmja e saj. Është vërtet pasion kjo që bëjmë ne, por gjithashtu me futbollin mbajmë edhe familjen dhe plotësojmë çdo nevojë tjetër. Unë jam i kënaqur me atë që kam bërë dhe po bëj. I kam plotësuar ëndrrat dhe objektivat e mi dhe kjo ka rëndësi. Pastaj njerëzit do të vazhdojnë gjithmonë të flasin, sepse kështu e ka futbolli.
A jeni ambientuar me kulturën dhe gjithçka në Kuvajt? Çfarë ka diçka pozitive dhe negative?
Këtu u ambientova shumë shpejt, sepse njerëzit janë shumë mikpritës dhe të respektojnë pa masë. Pastaj, gjëra negative gjen kudo, në çdo vend të botës. Këtu problemi më i madh është arbitrimi. Gjyqtarët nuk janë në nivelin e duhur dhe duhet të jesh i kujdesshëm në çdo ndërhyrje. Lë shumë për të dëshiruar.
Me aq sa e keni ndjekur, si ju është dukur Partizani nga janari e mbrapa?
Partizani ka bërë disa ndeshje të mira nën drejtimin e profesor Dritanit, por në betejat e fundit nuk e di çfarë ka ndodhur. Kam parë një shpërqendrim të lojtarëve dhe nuk janë të qetë. Por mendoj se kjo vjen edhe për arsyen se Partizani ka dalë jashtë objektivave të vet dhe është normale që lojtarët të bien psikologjikisht.
Çfarë mendoni se ndikoi më shumë që të kuqtë nuk luftuan dot për titullin në këtë sezon?
Ka shumë faktorë që bënë të ndodhë kjo situatë. Kishte shumë ndryshime, në disa reparte duheshin afruar lojtarë që të kishin aftësinë të mbanin peshën e ekipit, sepse këtë nuk mund ta bëjnë vetëm Hoxha, Belica, Bitri e Mala. Në çdo repart duhen lojtarë me potencial.
Çfarë duhet të ndryshojë kjo skuadër në verë, për të qenë e aftë për titullin sezonin tjetër?
Këtë e dinë më mirë drejtuesit, sepse ata janë afër çdo gjëje që ndodh atje, por ajo që mund të them është se duhet se s’bën të ndryshojë diçka. Nuk duhet të bëjnë gabimet e vjetra dhe duhet të mësojnë nga gabimet e bëra.
Si e shihni përballjen me Vllazninë në Kupë, cila është favorite?
Me Vllazninë është një ndeshje shumë e fortë, por mendoj se Partizani është më i motivuar ta fitojë këtë përballje, sepse është i vetmi objektiv që ka mbetur në lojë.
Të kuqtë kanë afruar një të ri si Hadroj së fundmi që ka mbuluar krahun e majtë. Si ju duket? Ku duhet të përmirësohet?
Hadroj është një lojtar me cilësi të mira. Kam luajtur ndaj tij dhe më pëlqen se është agresiv, por duhet të kuptojë dhe t’i ndajë gjërat. Nuk mund të luash njësoj te Bylisi dhe te Partizani. Duhet të marrë më shumë përsipër dhe të ketë më tepër besim në vete. Është tek ekipi më i madh në Shqipëri dhe presioni është prezent në çdo ndeshje. Thjesht duhet një marsh më shumë.
Këtë herë, pas disa thirrjesh radhazi, Reja nuk zgjodhi t’ju merrte në Kombëtare? Çfarë mendoni se ka ndikuar dhe a keni pasur komunikim me Rejën së fundmi? Tashmë që ka ardhur edhe Balliu, e shihni të fortë konkurrencën në krahë?
Unë me trajnerin kam folur në çdo grumbullim ku kam qenë dhe normalisht që ai nuk është i kënaqur me mua, sepse jam transferuar në Kuvajt. I kam shpjeguar me detaje se kam dashur shumë të luaj në Europë, por jo çdo gjë ka qenë në dorën time.
Duke parë moshën, 28- 29 vjeç, koha ikën dhe në Europë bëhet çdo ditë e më e vështirë, atëherë mendova për të ardhmen e familjes dhe fëmijës tim. Nuk dua që në të ardhmen familjes sime t’i mungojë diçka. Them se kushdo që të ishte në vendin tim, këtë zgjedhje do të kishte bërë. Unë jam koshient që luaj në një kampionat, që me të drejtë, trajnerin Reja nuk e kënaq dhe është normale.
Kam pranuar çdo vendim të tij. Në qoftë se do të më thërrasë sërish në Kombëtare, unë do të jem gati, nëse jo, sërish e mirëkuptoj vendimin e tij. Ne kemi folur shumë dhe e kuptoj plotësisht. Kombëtarja jonë ka shumë lojtarë të rinj dhe premtues. Më bëhet shumë qejfi që po u japin mundësinë, sepse mendoj veten time në fillimet e mia.
Unë ëndrrën time dhe të prindërve të mi e kam bërë realitet. Kam arritur çdo gjë me sakrificat dhe djersën time. Më pas e di se nuk do t’u pëlqej të gjithëve, sepse është e lehtë të ulesh në divanin përballë televizorit dhe të komentosh, por sakrificat e mia i di vetëm unë dhe familja ime.
Për Balliun më vjen mirë që tashmë është përshtatur me Kombëtaren, sepse është një lojtar i shkëlqyer dhe djalë fantastik. Unë konkurrencën e kam me veten. Nëse do të jem në formë, do të vij sërish, nëse jo, atëherë le t’i hapim krahun brezit të ri. Është shumë e thjeshtë.
/Panoramasport