Nga Artan Fuga
Ore, jam çmendur unë, apo është çmendur komunikimi me jashtë i këtij vendi !
Na kanë izoluar nga fqinjët.
Ose janë çmendur komshinjtë! Kjo ka më shumë mundësi. Po, po, ata. Edhe Dija, gruaja e lagjes sime, gjithë kohës me komshinjtë zihet.
Ka ardhur koha të ribotohet “Dy popuj miq”, sado absurde që të duket.
Me Maqedoninë, vetëm takime me partitë shqiptare, a thua se nuk ka një shtet maqedonas ku ato veprojnë!
Po nuk e kuptoni se duke u izoluar thjesht në një takim me to, provokoni shtetin fqinj. Nuk m’u hap bretku për Maqedoninë jo, por e kemi fqinjë.
Me Kosovën, iku koha e mbledhjeve idiote të përbashkëta midis qeverive.
Estradë e madhe ishte. Por, tani ka ngricë për patate, për çdo gjë, asnjë bashkëpunim, dyshime të anasjellta, reagime plot hidhësi.
Pas muajve të mjaltit me Serbinë, tani po deklarohet se Shqipëria po përgatitet për luftë në aleancë me Kosovën kundër Serbisë.
Ore, mos jam në ëndërr unë?
Amani zgjomëni po u përgjuma ! – thotë ajo kënga në hit “Un homme debout!”.
Greqisë po i themi se edhe Partenonin e paskemi ndërtuar ne Shqiptarët dhe se grekët të rrinë urtë se i cojmë tanket në Gramoz dhe që andej i zbresim pa karburant drejt Thessalisë dhe yxhymin e mbajmë drejt e në Izmir.
Tym e flakë lëmë pas!
Me Erdoganin, nuk dihet, më duket si një dashuri ilegale se askush nuk ka guxim t’i thotë më: të kam byrazer o vëlla!
Bosnja as dihet se ku bie! Mos andej nga Himalaja.
Investimet dhe kultura italiane zero në Shqipëri.
Ore si nuk pashë një logo firme italiane. Vdes për Italinë, vdes.
Na ka mbetur të dëgjojmë kanconisiman fshehurazi në ndonjë garazh veture Audi dhe të ribiem në dashuri me Caterina Caseli-n.
Kemi mbetur qyqarë vetëm mo !
Mirë me fqinjët, por tani po na izolojnë edhe nga Amerika duke sulmuar me të gjitha bateritë Presidentin Trump!
Oh, ju që censuroni cdo kritikë edhe për një kotec pulash sepse nisni të kakarisni si gjela të tredhur (Chapons), sa të guximshëm që jeni bërë duke sulmuar Presidentin Trump!
Po, prisni, prisni!
Na kanë izoluar. Jemi vetëm. Trembjuni vetmisë burra dhe gra, pleq dhe fëmijë !
Si i tha ai banditi revolucionar kur hyri në Peqin:
Tani që kam Rrogozhinën, ik o pirdhu thuaji Londrës!
Hajde vendosim marrëdhënie diplomatike me Peqinin, të paktën.
Po pse mo pse? Pse qeverrisjet te ne pasi kalojnë një fazë të parë ku zgjidhin brezin me komshinjtë dhe ata përtej rrugicës sonë, më pas bien në vetmi dhe izolim. Po pse mo pse?