Zv.ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci deklaroi këtë të Shtunë se në 24 orët e fundit në vend, nuk është regjistruar asnjë vatër re me gripin e shpendëve.
Në një deklaratë për mediat, Gjeci tha se janë kryer kontrolle në të gjithë vendin, duke shtuar se po bashkëpunohet edhe me pushtetin vendor për marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjedise të hapura të pa miratuara.
“Në të gjithë territorin e vendit vazhdon procesi i eliminimit dhe groposjes së shpendëve të ngordhur sipas Planit të Kontigjencës dhe protokolleve përkatëse duke zbatuar rregullat e mirëqenies së kafshëve në maksimumin e mundësive reale logjistike. AKVMB ka vazhduar monitorimin e situatës me veterinerët zyrtarë të shërbimit me kontrolle në ferma me drejtim për prodhim vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga kontrollet e kryera për monitorim, situata paraqitet e shëndetshme, pasi nuk ka vatra të tjera të dyshuara”, u shpreh Gjeci.
Ajo shtoi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit dhe nuk janë konstatuar shkelje apo problematika.
Zv.ministrja kujtoi dhe urdhrin e marrë “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”. Ajo tha se “po vijojmë bashkëpunimin me njësitë e bashkëqeverisjes vendore në lidhje me marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura të pamiratuara për shitjen e tyre, përfshirjen e trupës veterinare në rritjen e vigjilencës dhe ndërgjegjësimit të fermerëve”.
“Aktualisht nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmuar, nuk kemi asnjë stabiliment me drejtim prodhim për mish të infektuar dhe janë marrë masat për kontrollin e lëvizjes së shpendëve nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregje përkatësisht për qarkun Durrës, Dibër, Korçë dhe Fier. Po kryejmë monitorimin e vazhdueshëm në Organizatën Botërore të Shëndetit të Kafshëve mbi situatën epidemiologjike të shfaqjes së influencës aviare me qëllim marrjen e masave kufizuese për importin në vend. Po fuqizojmë flotën e veterinerëve zyrtarë”, shtoi Gjeci.
Ajo tha se vazhdojmë fushatën sensibilizuese për informimin e fermerëve mbi evidentimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara.
“Është e rëndësishme të theksojmë vazhdimisht se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licensuara janë të sigurta për konsumatorin. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius siç është edhe procedura normale e gatimit. Në faqet ëeb të Ministrisë së Bujqësisë, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit si dhe të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve mund të gjeni informacionin e nevojshëm për konsumatorët dhe fermerët”, përfundoi zv.ministrja.