Deputeti Dashamir Shehi gjatë fjalës së tij në Kuvend, akuzoi qeverinë se nuk ka marrë masat e duhura për përballimin e krizës.
Shehi u shpreh se është e vërtetë që kriza është botërore, por shtoi se qeveritë në botë kanë marrë masa konkrete, ndërsa qeveria shqiptare vetëm arnime.
“Këtu mund të thonë që kemi bërë pafund, është e vërtetë që në gjithë botën po ngrihen çmimet, por është e vërtetë që bota merr masa reale, nuk merr arnime sipërfaqësore duke pritur se ç’do ndodhë muajin tjetër. Asgjë e mrekullueshme nuk do ndodhë muajin tjetër. Kjo është një krizë që do zgjasë 2-3 vjet. Kjo që po ndodh sot është përgjegjësi e qeverisë. A thua se kriza erdhi nga Ukraina se hynë disa tanke. Kriza ka disa muaj që është. Qeveria duhet ata kishte parashikuar këtë lloj situate. Një qeveri e përgjegjshme mendon 2-3 vjet përpara se çfarë do ndodhë”, tha Shehi.
“Çmimet e imputeve kanë shkuar 3-fish, i futëm dhe një shqelm tjetër bujqësisë me masat që morëm për buxhetin e këtij viti. Bujqësia do prodhojnë 30% mangët këtë vit, ne duhet ta kishim stimuluar që këtë vit të prodhonte 30% më tepër. Këtu kemi pranverën përpara dhe tokat do mbeten pa punuar. Jo thjesht monitorim, qeveria monitoron në terminal, kur ne duhet ta presim zinxhirin e rritjes që në doganë”, shtoi ai.