Nga Boldnews.al
Më 15 mars, nën monitorimin e UEFA dhe FIFA, u zhvilluan zgjedhjet për Presidentin e FSHF dhe antarët e Asamblesë, proces që u certifikua si i vlefshëm nga dy institucionet më të larta të futbollit ndërkombëtar.
Pas përfundimit të zgjedhjeve, Aleksander Ceferin do të uronte Dukën për zgjedhjen në krye të FSHF me një mesazh, që vërtet është kortezie, por ka të njëjtën vlerë si ai mesazhi që iu dha Edi Ramës nga SHBA, ende pa u mbyllur numërimi i votave më 25 prill.
“Vetë Federata Shqiptare e Futbollit është shtylla kryesore e komunitetit të futbollit dhe punon shumë për të mbajtur në qendër të vëmendjes çështje kyçe si pjesëmarrja në evenimente të rëndësishme apo zhvillimi i infrastrukturës. Anëtarë të Komitetit HatTrick të UEFA-s, ku ju jeni edhe Zëvendës-Kryetar kanë vizituar së fundmi Shqipërinë për të parë nga afër progresin. Shumë shpejt, ju do të mirëprisni me ngrohtësi në skenë edhe futbollin europian, teksa do të luhet finalja e parë e UEFA Europa Conference League”, shprehej Ceferin.
Por, tre ditë pas këtyre zgjedhjeve dhe mesazhit të Ceferin, Gjykata e Apelit në Tiranë, shpalli një vendim, i njëjtë me atë të Gjykatës së Shkallës së Parë, që pezullonte nga detyra Presidentin Armando Duka.
Ky vendim i Gjykatës së Apelit ndoshta do të mbahet mend gjatë, jo për faktin se mban të pezulluar kreun e FSHF, ashtu sikundër e kërkonte Erion Veliaj, por për ndëshkimin shembullor që mund ti vijë Shqipërisë nga institucionet ndërkombëtare të futbollit.
As më shumë e as më pak, Shqipëria mund të pezullohet deri në 10 vjet nga kompeticionet futbollistike, jo si një vend në luftë, sikundër shpesh e thotë Kryeministri Edi Rama, por si një regjim që do të kapë atë, që Erion Veliaj e quan “ishull ende të pakapur”. Dhe mos harroni se ky vendim që mund të na vijë, është shumë më i rëndë se ai që iu dha Rusisë pas pushtimit prej saj të Ukrainës.
Një tjetër shuplakë nga UEFA është ajo se Shqipëria mund të humbasë të drejtën që finalja e Conference League të zhvillohet në “Air Albania”, sërisht jo si një vend që rrezikohet nga lufta, por si një “knockdown” për shkak të Rama-Veliajt.
Dhe nëse këto ndodhin mos harroni se janë dhurata që Edi Rama dhe Erion Veliaj, Artan Gjermeni dhe Genti Shala, i bëjnë Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të futbollit.
Në një kohë rekord, Veliaj dhe pas tij Rama, arritën që me “drejtësinë e re”, me dy gjyqtarë njëri ende i pavetuar dhe tjetri i konfirmuar nga Vetting, të hedhin hapa të sigurtë drejt kapjes së FSHF, pa pyetur për pasojat, sanksionet, apo çdo gjë tjetër që mund të godasë sportin më popullor në Shqipëri.
Betejën e nisi Erion Veliaj, duke pasur si hije nga pas Edi Ramën, për të gjetur më pas dy tentakula në sistemin e drejtësisë, që kënaqën egot personale, politike dhe të çdo lloji tjetër të “pushtetuesve” të FSHF.
“Jo UEFA e FIFA të zbresë, por edhe sikur Zoti dhe Muhamedi të zbresin, nuk e ndalin dot luftën time. Unë do të bëj çdo gjë për t’ia nxirë jetën këtyre me prokurori e SPAK. Tani edhe në rast se duam të tërhiqemi nuk tërhiqemi dot, sepse nuk tërhiqen agjensitë që janë vënë në lëvizje, prokuroria është vënë në lëvizje”, deklaronte Erion Veliaj, ndërsa në Tiranë kishte ardhur një delegacion me 3 anëtarë nga FIFA dhe UEFA për të verifikuar çdo pretendim.
Delegacioni mblodhi faktet, provat, dëgjoi palët, njoftoi organizmat ndërkombëtare, dhe fakti se i gjithë procesi zgjedhor u monitorua, ndoshta shumë më tepër se ato proceset politike zgjedhore, në fund u certifikua po prej tyre. Gjithsesi kjo nuk ndali ambicien e Rama-Veliajt për të çuar deri në fund projektin e kapjes së FSHF.
Pasi bënë një betejë publike me sulme dhe tentativa presioni, treguan muskujt madje edhe materialin që kishin organet gjenitale, Veliaj dhe Rama gjetën dy gjyqtarë, njëri prej të cilëve me një seri akuzash në kurriz, dhe tjetri i konfirmuar në detyrë, por me dyshime të ngritura nga ONM për fshehje pasurie, për të treguar se shprehja “s´ka kala që s´marrin komunistët” bëhet realitet.
Shala në Apel la në fuqi vendimin e Gjermenit të Gjykatës së Tiranës, duke rrëzuar një proces zgjedhor të certifikuar nga UEFA dhe FIFA, që në rastin e zgjedhjeve në FSHF as më pak e as më shumë janë njëlloj si ODIHR/OSBE, SHBA, KE, KiE, për certifikimin e zgjedhjeve politike, qofshin parlamentare apo lokale.
Kjo që po ndodh me FSHF duke tentuar kapjen përmes Gjykatave është njëlloj sikur Lulzim Basha, të siguronte dy vendime gjykatash, të pezullonte Edi Ramën, dhe ato certifikimet e rezultateve nga institucionet zgjedhore shqiptare, dhe ato ndërkombëtare, përfshi edhe nga Shtëpia e Bardhë, të hidheshin në kosh. Me siguri po të ndodhte kjo cilido që do të jepte vendimet në rastin më të mirë do të shpallej i çmendur.
Dhe përtej lojës për të kapur “ishullin e FSHF” me vendime gjykatash, jo thjesht për interesa politike, ajo që po tregohet është fakti se si Rama Kryeministër ashtu edhe Veliaj Kryebashkiak, nuk pranojnë organizimin e procesi zgjedhor pa ndikimin dhe ndërhyrjen e tyre.
Çuditërisht në heshtje miraton këto veprime edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, që gjen kohën të reagojë dhe komentojë për gjithçka, përveç rasteve kur shkelet me këmbë çdo princip nga të përkëdhelurit e saj, edhe pse garancitë për drejtësinë e pavarur, i ka dhënë diplomatja.
Ndoshta në konceptin e saj drejtësi e pavarur do të thotë kur ajo vihet në lëvizje nga një Kryebashkiak apo Kryeministër, jep vendime që i përshtaten planeve të tyre, pavarësisht kostos që mund të paguajë ky vend.