Me rritjen e çmimeve, pagat reale po bien, shkruan The Economist
Ekonomia botërore vazhdon të japë surpriza të këqija të inflacionit. Në janar, çmimet e konsumit u rritën më shumë se sa pritej në Amerikë, Britani dhe Eurozonë, dhe norma e inflacionit vjetor të çmimeve të prodhimit në Amerikë, qëndroi afër nivelit 10%.
Për më tepër, nga lajmet se Rusia pushtoi Ukrainën, çmimi i naftës u rrit në mbi 100 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga viti 2014. Në të dyja anët e Atlantikut, tregjet financiare kanë pësuar shtrëngime monetare në vitin 2022, pasi disa bankierë qendrorë kanë filluar të shqetësohen se po përballen me një provë të besueshmërisë së tyre.
Politikëbërësit monetarë po kërkojnë në tregjet e punës për shenja se inflacioni i lartë po ndikon në kërkesat e pagave të punëtorëve, duke treguar se po fillon një spirale e rritjes së pagave dhe çmimeve. Ata ndodhen në një pozicion të vështirë, pasi ideja se pagat po rriten shumë shpejt, është politikisht toksike.
Në Amerikë, rritja vjetore e pagave prej 5.7%, është në kundërshtim me objektivin e inflacionit prej 2% të Rezervës Federale. Megjithatë, presidenti Joe Biden ka lavdëruar rritjen e pagave, ndërsa demokratët e krahut të majtë fajësojnë lakminë e korporatave për rritjen e çmimeve.
Këto probleme vihen re edhe gjetiu. Qeveria e Britanisë ka thënë se nuk e mbështet thirrjen e guvernatorit të Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, që punëtorët të mos kërkojnë rritje të pagës. Christine Lagarde, shefja e Bankës Qendrore Europiane, thotë se shpreson të ketë një rritje pagash, edhe pse kolegët e saj paralajmërojnë për rreziqet e rritjes së tepruar të pagave.
Sipas mendimit të gjerë publik, punëtorët janë përfituesit e parë të spirales së çmimeve dhe pagave, jo viktimat e saj. Rritja e pagave rrit kostot për firmat, të cilat më pas ngrenë çmimet për të mbrojtur fitimet e tyre.
Kjo bazohet pjesërisht në përvojën e fundit të viteve 1960 dhe 1970, kur shefat e sindikatave negociuan rritjen e pagave mbi inflacionin, për anëtarët e tyre. Në vitin 1974, në rajonin famëkeq gjerman Kluncker-Runde, Heinz Kluncker, një sindikalist luftarak, arriti një marrëveshje që punëtorëve të sektorit publik t’u rriteshin pagat me 11%.
Inflacioni më i lartë se rritja e pagave
Në fakt, inflacioni i lartë shpesh i dëmton punëtorët. Vitin e kaluar, inflacioni ka qenë më i lartë se rritja e pagave në çdo vend të G7-ës, pavarësisht mungesës së madhe të fuqisë punëtore.
Sindikatat janë shumë më pak të fuqishme sot sesa në vitet 1970 dhe studiuesit zakonisht kanë zbuluar se çmimet i udhëheqin pagat, dhe jo anasjelltas. Edhe në vitet 1970, shumë punëtorë vuajtën nga spiralja e pagave dhe çmimeve. Në atë dekadë, pagat amerikane u rritën vetëm sa gjysma e produktivitetit të punëtorëve, ashtu si sot, kur pagat nuk kanë arritur ende në nivelet e rritjes së çmimeve.
Në Europë, inflacioni i lartë është shkaktuar kryesisht nga energjia e shtrenjtë. Por në Amerikë, ai është pasojë e rritjes së madhe të shpenzimeve, çeqeve stimuluese dhe normave të ulëta të interesit, duke dërrmuar kapacitetin e ekonomisë për të zgjeruar prodhimin.
Kompanitë nuk i kanë rritur çmimet për të përballuar kostot, por për të frenuar kërkesën, duke rritur marzhet e fitimit. Dhe ndërkohë që inflacioni i çmimeve të konsumit është rritur në 7.5%, është kapitali dhe jo puna, ai që ka luajtur rolin kryesor dhe ka ushqyer pretendimet se firmat janë duke përfituar.
Nga ana tjetër, Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale, ka thënë se justifikimi kryesor për stimulimin ekonomik, ishte që të ndihmoheshin punëtorët dhe të reduktohej pabarazia.
Megjithatë, është e kotë të përpiqesh t’i detyrosh kompanitë ose punëtorët që t’u rezistojnë forcave të tregut. Mjafton të marrim shembullin e Japoninë, ku qeveria është përpjekur për vite me radhë që të përballet me inflacionin nën nivelin e objektivave, duke i nxitur, pa sukses, firmat që të rrisin pagat.
Përgjigjja e saktë ndaj një ekonomie që është shumë e nxehtë, ose shumë e ftohtë, është duke rregulluar politikën makroekonomike, pa ndërhyrë në përcaktimin e pagave dhe të çmimeve.
Është e rëndësishme që Rezerva Federale të rrisë shpejt normat e interesit dhe politikëbërësit europianë të qëndrojnë vigjilentë. Sa më shumë të zgjasë inflacioni tepër i lartë, aq më e dhimbshme mund të jetë ulja e tij.
Spiralja e çmimeve dhe pagave në vitet 1970, u frenua vetëm pasi politika e shtrënguar monetare shkaktoi rënie ekonomike globale, ku papunësia amerikane arriti kulmin në nivelin 11%. Nëse bankierët qendrorë duhet të nxisin sërish recesione për të rikthyer besueshmërinë e tyre, punëtorët do të paguajnë gjithashtu çmimin për këtë.